Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët festojnë 101 vjetorin e Pavarësisë

Shqiptarët festojnë 101 vjetorin e Pavarësisë

28 nëntor-“Festa e ditës së flamurit për Luginën e Preshevës do të jetë edhe festë por dhe protestë.Protesta gjithëpopullore do të organizohet nga forumet rinore të subjekteve politike nën patronatin e komunës së Preshevës”, theksuan organizatorët e protestës.

Shqipëria sot shënon 101 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, me ç`rast të gjithë shqiptarët kudo që janë festojnë këtë përvjetor.

Krerët e shtetit shqiptar Presidenti Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama do të jenë së bashku në Vlorë për festimin e këtij përvjetori.

Sot në orën 11:00 nisin në Vlorë festimet për 28 Nëntorin dhe tre krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit dhe më pas në vendosjen e kurorave me lule te varri i Ismail Qemalit.

Aktivitetet do të vijojnë në teatrin “Petro Marko” ku kryeministri Rama do të ketë dhe një prononcim për mediat.

Në orën 12.00 në teatrin “Petro Marko do të bëhet prezantimi i projektit “Lungo Mare” si dhe do të shpallet konkursi ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Në orën 19.00 kreu i qeverisë do të marrë pjesë në pritjen e Presidentit të Republikës.

Aktivitetet janë paraprirë nga mesazhe të shumta urimi. Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti Nishani ka marrë mesazhe urimi nga presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, ai austriak, Heinz Fischer, i Izraelit, Shimon Peres, nga Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar homologun shqiptar, Edi Rama për festën e 28 Nëntorit. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, – shkruan Thaçi.

Gjithashtu edhe Bashkia e Tiranës do të organizojë sot një sërë aktivitetesh me rastin e 28 Nëntorit.

Kalendari hapet me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve në orën 10.00, për t’u pasuar me homazhe te memoriali i Komandantit legjendar Adem Jashari.

Ndërkohë që sheshet dhe parqet do të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, të rinj, fëmije e të rritur, sipas interesit për t’iu bashkuar gëzimit dhe kremtimit të kësaj dite përmes disa lojrave të organizuara popullore, panaireve dhe koncerteve.

Ndërkohë, sot që në mëngjes ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar shqiptarët përmes profileve të tij në rrjetet sociale.

“Gëzuar ditëlindjen e 101-të të Shqipërisë, Festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit! Gëzuar të gjthë shqiptarëve ditëlindjen e parë të shekullit të dytë të Pavarësisë së dheut tone dhe Festen e Çlirimit. Nder perjete Ismail bej Vlores, eterve te Pavaresise, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave te kombit shqiptar qe rane per pavaresine, lirine dhe dinjitetin tone kombetar. Gezuar!!”, shkruan Berisha.

Kosovë, 28 Nëntori ditë pushimi dhe feste, por jo festë zyrtare

Ndonëse 28 nëntori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës, nesër të gjithë nëpunësit civil do të kenë ditë pushimi.Kështu ka vendosur Ministria e Administratës Publike. “Për nder të 28 Nëntorit –Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, nesër, më 28 .11.2013, për nëpunësit civilë do të jetë ditë pushimi”, thuhet në njoftimin e MAP-së, nënshkruar nga Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm. Kryeministri Hashim Thaçi, presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentar Jakup Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë shtetëror kanë uruar të gjithë shqiptarët me rastin e përvjetorit të 101 të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Maqedoni, disa aktivitete për shënimin e 101 vjetorit

Shqiptarët në Maqedoni do të shënojnë 101 vjetorin e pavarësisë përmes disa aktiviteteve të organizuara. Komunat shqiptare kanë organizuar aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë. Me rastin e kësaj dite përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri, gjegjësisht nga BDI do të marrin pjesë në inaugurimin e kompleksit memorial në Zajaz të njohur si Qendra përkujtimore ‘Nëna shqiptare’, një projektii kahmotshëm.

Edhe komunat e Tetovës, Çairit, Strugës, Gostivarit kanë organizuar disa aktivitete kulturore dhe artistike me rastin e kësaj feste.Ky përvjetor i Alfabetit e ka gjetur Shkupin gjithashtu në një atmosferë festive, në prag të 101 vjetorit të Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar. Një grup i studentëve të USHT-së, sponsorizuar nga Komuna e Çairit ka organizuar sot nj aktivitet në shenjë të ditës së Flamurit.

Aktiviteti ka filluar në hyrje të Çarshisë, ku fëmijët së bashku me organizatorët kanë defiluar rreth Çarshisë, dhe pastaj në sheshin Skënderbe ku ka pasur recitale, vallëzim, këndim dhe befasi për fëmijët me nevoja të veçanta, ndaj të cilëve edhe ka qenë e dedikuar.

Programi i hartuar dhe përgatitur nga komuna e Strugës, me rastin e festave të nëntorit, ka parashikuar një program të ngjeshur me aktivitete kulturore artistike. Këto aktivitetet fillimisht do të zhvillohen nëpër shkollat fillore dhe të mesme, por, për herë të parë mbase Struga do të shndërrohet gjatë tërë javës në qendër kulturore në saje të ngjarjeve kulturore.

Në Kumanovë gjithashtu festa e 101 vjetorit organizohet përmes një marshi dhe aktiviteteve tjera nga studentët e USHT-së. Manifestime do të mbahen edhe në komunat e tjera dhe vendbanime të shqiptarëve në Maqedoni.

Lugina e Preshevës feston dhe proteston për 101 vjetorin

Lugina e Preshevë sot do të festojë por edhe do të protestojë me rastin e përkujtimit të 101 vjetorit të pavarësisë.
Kështu sot nga ora 13 ftohen gjithë qytetarët që të marrin pjesë masovikisht në protestën gjithë popullore që do të mbahet në qendër të Preshevës.

“Festa e ditës së flamurit për Luginën e Preshevës do të jetë edhe festë por dhe protestë.Protesta gjithëpopullore do të organizohet nga forumet rinore të subjekteve politike nën patronatin e komunës së Preshevës”, theksuan organizatorët e protestës.
Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që të enjten nga ora 13 të tubohen masovikishtë për të ngritur zërin kundër diskriminimit në përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.
Kryetari Mustafa ka thënë se Lugina është i vetmi vend i cili nuk mund të përdor simbolet kombëtare. Ai me këtë rast ka uruar gjithë shqiptarët ku do që janë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *