Home / Lajme / Maqedoni / Tabelat treguese që bastardojnë gjuhën shqipen

Tabelat treguese që bastardojnë gjuhën shqipen

30 nëntor – Qendra për Zhvillimin rajonal jugperëndimor të Maqedonisë po bastardon gjuhën shqipe në tabelat treguese të komunikacionit për komunat shqiptare.

Inspektorati për komunikacion rrugor në Strugë ka bërë të ditur për shumë gabime dhe lëshime, dhe për mungesë të tabelave treguese për komplekse dhe objekte turistike shqiptare dhe të përkatësisë fetare islame.

Mbi 90 për qind e tabelave treguese për Strugën, lokalitetet turistike, historike dhe të trashëgimisë kulturore dhe fetare janë sjellë në komunën e Strugës me probleme drejtshkrimore në gjuhën shqipe. Njësia për Komunikacion dhe Rrugë pranë komunës së Strugës ka theksuar se tabelat e sjellura nga Qendra për Zhvillimin rajonal jugperëndimor të Maqedonisë përmbajnë shumë probleme dhe gabime drejtshkrimore, ku gjuha shqipe shkruhet e fundit, pas gjuhës maqedonase dhe angleze, mirëpo nuk është respektuar drejtshkrimi dhe nuk dihet se kush ka përcaktuar këto emërtime në Qendrën qeveritare për zhvillim në Shkup.

Derisa nga ana tjetër janë një numër i madh i tabelave treguese që janë dërguar nga Qendra për Zhvillim të Rajonit Jugperëndimor, që kanë të bëjnë me objekte fetare ortodokse dhe tabela treguese për objekte të rëndësishme të historisë shqiptare.

Të gjitha tabelat treguese ishin përcaktuar dhe zgjedhur nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planor Jugperëndimor në bashkëpunim me komunën e Strugës në mandatin e kaluar qeverisës.

Inspektori i autorizuar për komunikacion rrugor Shefqet Biba tha për agjencinë INA se ka shumë gabime dhe lëshime në këto shenja dhe tabela treguese dhe bastardohet gjuha shqipe. “Ky është një diskriminim i patolerueshëm dhe duhet urgjentisht të plotësohen këto tabela”, theksoi Biba.

Kështu njëra nga tabelat për Liqenin e Shumit është shënjuar togfjalëshi “Liqen Shum” duke i’a ndërruar krejtësisht karakterin gjuhës shqipe.

Nga tetë tabelat treguese për objekte fetare, shtatë prej tyre ishin të objekteve fetare krishtere – ortodokse dhe vetëm një i përkiste një objekti fetar mysliman, edhe ate Teqeja. Nuk ishte përfshirë asnjë xhami, edhe pse dihet mirëfilli se xhamia “Mustafa Çelebi” është edhe nën mbrojtjen e monumenteve të kulturës në Strugë dhe shumë objekte tjera fetare islame.

Këto fakte e bënin të pamundur pranimin e këtij materiali. Për pasojë , gjatë raportimit nga ana e inspektorit komunal për komunikacion rrugor, pranë kryetarit të komunës së Strugës , Ziadin Selës, u mor vendimi që ky material i përbërë nga 24 tabela, të refuzohet dhe t’i kthehet organit përkatës. (Mehmet Latifi/INA)

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *