Home / Sport / Walter: ‘Shkëndija do jetë numër një në Maqedoni’

Walter: ‘Shkëndija do jetë numër një në Maqedoni’

“Qëllimi jonë është të jemi numër një në Maqedoni, të kemi një rol të rëndësishëm në Evropë bashkë me zhvillimin e potencialit të lojtarëve të rrij dhe kualitetit që shofim këtu. Duhet të përveshim krahët dhe të punojmë, por ju lutem na leni të punojmë.”

Me hyrjen e kompanisë ‘Ecolog’ si sponsor në skuadrën e Shkëndijës, në opinion u krijua shumë eufori në lidhje me ambiciet e këtij klubi. Pronarët e rrinjë të njohur për sukseset e tyre në fushat profesionale ku veprojnë, bartën me vete optimizmin se edhe klubi duhet të ecë në një drejtim të tillë, mirëpo normal duke vendosur afate kohore brenda të cilave do të realizoheshin objektivat. Mirëpo publiku tetovar është shumë specifik dhe disi i padurueshëm kur është në pyetje ‘Shkëndija e tyre’, duke pritur ndoshta jorealisht që ekipi që në këtë sezon të dominojë në futbollin vendor. Dhe pasi pas 15-të xhirove Shkëndija është shum larg kreut të tabelës, në opinion është krijuar një tension në lidhje me skuadrën ‘kuqezi’. Mirëpo, për dallim nga publiku dhe tifozët brenda në ekip situata është e qetë dhe kryesia vazhdon të punojë sipas planit të hartuar i cili duhet të sjellë rezultat. Mirëpo për të ulur euforinë dhe për të folur për gjithçka që ndodh dhe do të ndodh rreth ekipit, ekskluzivisht për gazetën Koha flet drejtori sportiv i KF Shkëndija, Mathias Walter. Ai pranoi të flasë hapur dhe pa ‘doreza’, duke u vënë në shërbimin tonë për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që na interesojnë neve, e që në fakt do t’u interesonin të gjithëve. Prandaj në vijim ju sjellim intervistën e plotë me drjetorin sportiv të Shkëndijës, zviceranin Mathiar Walter.

Koha: Kanë kaluar disa muaj, dhe ju tanimë jeni adaptuar këtu te Shkëndija. Si e komentoni këtë periudhë?
Mathias Walter:
“Më të rëndësishme në pyetjen tuaj janë pikëpamjet. Ka një pikëpamje që vjen nga jashtë, apo një mendim të cilin njerëzit e bëjnë jashtë dhe pikëpamja ime personale apo mendimi im personal i kësaj situate. Në qoftë se një ndeshje nuk funksionon si duhet në Tetovë, menjëherë ka pakënaqësi të mëdha dhe gjithçka është e keqe. Unë si njeri profesionist gjithë këtë situatë e shoh në një mënyrë tjetër. Ne tre ditë para fillimit të kampionatit kemi formuar ekipin me futbollistë një pjesë e mirë e të cilëve ende nuk kishin firmosur dikund tjetër. Dhe në atë kohë ishin të papërgatitur. Si mund të pres nga kjo situatë që të formohet një ekip në kohë të shkurtë e cila të gjitha skuadrat tjera do t’i mund sipas dëshirës?! Unë jam i lumtur që së paku kemi formuar një ekip e cila në Tetovë është në gjendje të fitojë secilin kundërshtar. Shihni Renovën, shihni Vardarin, Bregallnicën e kështu me rradhë. Nga ana tjetër nënkputohet se duke shikuar rezultatet që kemi arritur deri tani, unë për momentin së bashku me kryesinë dhe njerëzit tanë jemi duke analizuar situatën dhe të konkludojmë se cilët janë ata lojtarë të cilët në afat pak më të gjatë me të vërtetë do të jenë në gjendje të na dërgojnë në krye të tabelës. Analizat më të mëdha që për momentin jemi duke i bërë janë se si të gjejmë mënyrën që ta dërojmë ekipin në atë gjendje që të jetë e mundur që edhe jashtë të tregojë të njëjtën paraqitje si në shtëpi. Dhe ky është prioriteti numër një në analizat që jemi duke i bërë për momentin. Tani jemi në fazën e analizave në një formë shumë të reptë duke analizuar këtë situatë dhe duke parë cilët janë ato pika të lojës tonë dhe ata lojtarë me të cilët më së voni prej janari do të bëjmë korigjime për ta përmirësuar gjendjen momentale. Pikërisht kjo është ajo që tani për momentin unë së bashku me kryetarin dhe anëtarët tjerë të kryesisë dhe ekipit tonë jemi duke bërë. Duke analizuar secilin prej neve, duke filluar prej ekipit të trajnerëve, lojtarëve dhe çdo personeli që për momentin është duke funksionuar në Shkëndijë. Qëllimi jonë është shumë i thjeshtë, por edhe shumë i qartë që në vitin e ri të kemi stabilitetin të cilin ne gjithë e presim dhe e kërkojmë.

Koha: Kur “Ecologu” hyri në skuadrën e Shkëndijës u pritën gjëra bombastike, por tani punët nuk shkojnë ashtu si duhet?
Mathias Walter:
Edhe një herë do t’ju drejtoj në përgjigjen që dhash më parë. Kur fillon për një kohë aq të shkurtë, me mundësitë që i përmendëm në fillim dhe thjesht me personelin pjesa më e madhe e të cilit ose kanë qenë aty ose i kemi angazhuar shumë shpejt, nuk mund të presish rezultate bombastike, të mëdha për një kohë të shkurtër prej disa muajve dhe ky as që ka qenë qëllimi ynë. Njëkohësisht pas disa muajve pune të përbashkët këtu, me gjithë atë që kam parë, me gjithë rrethin, mundësitë dhe kapacitetin e sponsorit, të ekipit dhe të vetë tregut në Maqedoni, jam i sigurtë se me punë dhe përkushtim shum të madh dhe me një përzgjedhje shumë më të mirë se sa deri tani, rezultatet patjetër do të vijnë. Thjesht një përgatitje shumë më të mirë. Atë që se kemi pasur verës, do ta kemi dimrit, me një ekip të përzgjedhur sipas dëshirave dhe nevojave tona, të jeni të sigurtë se në sezonin pranveror do të jetë një Shkëndijë krejtësisht tjetër nga kjo që e shihni tani.

Koha: Sa kohë mendoni se i duhet skuadrës për t’u komponuar dhe për t’i sjell rezultatet e pritura?
Mathias Walter:
Gjendja aktuale e ekipit shihet shumë qartë gjatë sezonit. Në shtëpi me ndihmën e publikut, me ndihmën e të gjithëve skuadra është në gjendje të tregojë një kualitet mjaft të mirë me të cilin ne kemi edhe rezultatet të cilat i kemi marë në Tetovë. Por, kur luajmë jashtë kualiteti është ai që është dhe ekipi nuk është në gjendje të bëj më tepër. Tani qëllimi jonë është që këtë kualitet që e kemi ta akumulojmë sa më shumë, ta stabilizojmë që së paku të kemi edhe ndonjë rezultat të mirë edhe jashtë. Duke marë parasysh faktin se ne kemi një ekip teknikisht të mirë, por fizikisht jo aq shumë të përgatitur dhe duke u nis edhe nga fakti se tani Maznov dhe Nexhipi janë të lënduar, përveç kësaj tani edhe terenet do të bëhen më të vështira, që edhe ashtu me këtë infrastrukturë që ka Maqedonia janë të vështira, nuk mund të presim shumë më tepër dhe nuk mund të presim se do kthehen rezultatet dhe se do fitojmë secilën ndeshje edhe në transfertë. Ky është fakt.

Koha: A keni ndjerë presion gjatë kësaj periudhe?
Mathias Walter:
Edhe këtu do jap përgjigje shumë të qartë. Unë personalisht si puntor profesionist i sportit që disa vite merem me këtë profesion nuk ndjej ndonjë presion të madh personalisht, për shkak se e dij se ku kemi nisur, ku jemi dhe ku do të jemi në të ardhmen. Por nga ana tjetër e ndjej një presion jashtëzakonisht të madh të cilin rrethi, tifozët dhe gjithë dashamirët janë duke i’a krijuar ekipit, janë duke i’a krijuar sponsorit me pritjet e tyre jashtëzakonisht të mëdha, mirëpo jo aq reale për këtë periudhë.

Koha: A parashihen ndryshime në stafin teknik dhe të lojtarëve gjatë janarit?
Mathias Walter:
Si që ceka pak më parë, në dimër do të bëjmë një analizë aq të mirëfilltë ku me të vërtetë do të analizohet puna e secilit person në klub, duke filluar prej ‘A’ deri në ‘ZH’. Dhe jo vetëm ekipi i lojtarëve, por edhe ekonomët, shkolla e të rrinjëve, neve vetë brenda në kryesi, thjesht të gjithëve. Do të shohim se kush janë ata persona të cilët do të jenë në gjendje që në të ardhmen të punojnë konform asaj që ne duam të arrijmë. Kjo është e para, ndërsa e dyta është se në sport ndodh ndonjëherë që ndonjëri prej futbollistëve pak me vonesë fillon ta tregojë veten. Pra ende nuk është vonë që secili prej lojtarëve ta tregojë kualitetin e tij me të cilën do na bindë neve se është pikërisht ajo që ne edhe e kërkojmë në aspektin afatgjatë. Për mua si drejtor sportiv është shumë me rëndësi të shikoj brenda ekipit, duke filluar prej stafit teknik deri te lojtarët, se kush është në gjendje të zhvillohet, të shkojë përpara. Jo vetëm një lojë apo dy, por të zhvillohet në kualitet. Ai që mendon se nuk ka nevojë më shumë të zhvillohet pasi që ka aq shumë kualitet dhe mendon se ka arritur atë që mendon, sigurisht se nuk do mbetet me bashkë me ne. Ata të cilët mendojnë dhe tregojnë gatishmëri për tu zhvilluar edhe më tutje në formën më profesionale të mundshme, ata do të jenë edhe në të ardhmen me ne, tjerët sigurisht se jo.

Koha: Cilët janë ambiciet këtë sezon, dalja në Evropë a është prioritet i Shkëndijës?
Mathias Walter:
Qëllimi i parë është që mos jemi shumë pikë pas kreut të tabelës, ndërsa si qëllimi jonë kryesor është që kundër Bregallnicës të fitojmë dhe të kualifikohemi për në gjysmëfinale të Kupës. Pastaj si që ceka më parë, dimrit pas një analize të mirëfilltë dhe në bazë të ekipit që do të mund ta formojmë, normal se edhe caqet do jenë tjera nga ajo që kemi patur deri tani.

Koha: Si qëndrojnë planet për infrastrukturën e klubit, a mendoni të punoni në këtë drejtim?
Mathias Walter:
Përgjigjen rreth infrastrukturës më së miri është t’ua thotë kryesia e klubit, se sa unë si drejtor sportiv. Unë dje kam parë se kanë filluar punimet në qendrën sportive për realizimin e një tereni me bar sintetik sipas ofertës që ka bërë FFM-ja dhe kjo është një pikë që më ka gazuar shumë. Ndërsa pika e dytë është se me sa kam arritur të kuptoj unë ne jemi duke punuar në gjetjen e një zgjedhje adekuate interne si klub, si Shkëndijë sa i përket insfrastrukturës. Kurse ajo që është më e rëndësishme është se prej në dimër do të fillojmë të punojmë më intenzivisht me akademinë e juniorëve, prej të cilëve 17-18 lojtarë të rrinjë të përzgjedhur me të cilët do të punoj edhe unë personalisht dhe sipas gjithë gjasave do të shkojmë edhe dikund jashtë në përgatitje. Pikërisht kjo është ajo që kemi dashur ta bëjmë.

Koha: Deri sa folëm për planet e këtij sezoni, na flisni pak për planet afatgjate?
Mathias Walter:
Qëllimi jonë nuk ka lëvizur aspak, as një millimeter prej qëllimit që kemi patur prej fillimit. Të jemi numër një në Maqedoni dhe ajo që është shumë më e rëndësishme në Evropë të jemi një ekip që do luaj një rol të rëndësishëm. Ky është qëllimi kryesor, ndërsa pjesa e dytë është se unë si drejtor sportiv me përvojën sa i përket zhvillimit të futbollistëve të rrinjë kam parë një potencial jashëzakonisht të madh brenda në Maqedoni, të talentëve të rrinjë të cilët janë në gjendje të zhvillohen. Këtë e them me plot përgjegjësi pasi e dij se çka flas. Kam pasur nëpër duar shumë talentë edhe në Zvicër, me një pjesë të mirë të të cilëve edhe sot e kësaj dite bashkëpunojmë, të cilët i kemi zhvilluar, i kemi nxjerë dhe disa prej tyre janë edhe reprezentues të Zvicrës dhe të Shqipërisë sot. Lojtarë që unë i kam zhvilluar dhe i kam nxjerë jashtë dhe jam i sigurtë se këtu ka një potencial edhe shumë më të madh prej asaj që kam parë në Zvicër. Pikërisht kjo më jep atë përshtypjen shumë pozitive, bile edhe më pozitive prej asaj në fillim, për shkak se shoh se këtu ka shumë më tepër potencial dhe talentë për tu zhvilluar. Kjo është ajo që neve shumë më tepër na intereson dhe pikërisht për këtë edhe nuk kemi qenë aq shumë të nervozuar apo të dëshpruar sa u përket rezultateve aktuale. Pra, qëllimi ynë është të jemi numër një në Maqedoni, të kemi një rol të rëndësishëm në Evropë, bashkë me zhvillimin e potencialit të lojtarëve të rrij dhe kualitetit që shohim këtu.

Koha: A keni planifikuar ku do t’i zhvilloni përgatitjet dimërore?
Mathias Walter:
Po. Sipas gjithë gjasave do të jemi së paku dy javë në Turqi, ku përveç ekipit të parë do të kemi edhe një grup të zgjedhur të të rrinjëve, me të cilët do të punojmë më intenzivisht. Pikërisht për atë që thamë, që t’i përgatisim dalëngadalë për një periudhë më afatgjate me kushte dhe stërvitje profesionale.

Koha: Mirë, tani më një kohë jeni në Tetovë dhe punoni për Shkëndijën dhe opinioni pak a shumë kanë ndëgjuar për ju. Mirëpo a mund të na jepni një përshkrim rreth juve? Kush është Mathias Walter në aspektin sportiv?
Mathias Walter:
Me 18 vjet kam shkuar në FC Bazel si junior, ndërsa kam luajtur 15-të ndeshje në ekipin e parë. Për shkaqe shëndetësore u detyrova që si 20 vjeçar ta ndërpres karrierën time profesionale pasi që jam i sëmurë nga astma. Pastaj në atë sistemin e vjetër kam luajtur një kohë të shkurtër si libero, pasi ajo pozitë nuk kërkonte shumë vrapim. Vazhdova studimet në fakultetin ekonomik të cilat edhe i përfundova me sukses. Pas studimeve kalova në Grasshopper të Cyrihut si trajner profesional i grupmoshës U-14. Vitin e dytë u bëra drejtor i akademisë të të rrinjëve dhe ekipit të dytë të Grasshopper Cyrihut. Prej vitit 2000 deri në vitin 2003 për tre vite isha drejtor sportiv i Grasshopper-it, me të cilët në vitin 2001 dhe 2003 ishim kampionë të Zvicrës. Në atë kohë ishim akademia më e mirë e juniorëve në Zvicër me shumë tituj në grupmoshat e reja. Pastaj pesë vite kam qenë në Winterthur si drejtor sportiv dhe trajner i ekipit të parë në Kategorinë e Dytë të Zvicrës (Challenge League). Në atë kohë si qëllim kryesor kam patur që gjithmonë të luaj me ekip shumë të rij, me futbollistë që ne i kemi zhvilluar dhe numër i madh i tyre edhe sot e kësaj dite janë lojtarë me përvojë dhe reprezentues të kombëtareve të ndryshme. Dy prej tyre ju duhet t’i njihni shumë mirë pasi që janë reprezentues të Shqipërisë. Amir Abrashi dhe Ermir Lenjani, që të dy në një farë mënyre janë fëmijët e mi. Pas kësaj u ktheva te Grasshopper Cyrih si trajner i ekipit të dytë dhe juniorëve dhe pas një kohe të shkurtër përsëri më emëruan drejtor sportiv i akademisë së Grasshopper Cyrihut. Ndërsa sot i kam dy pika kryesore në jetë. Njëra është Shkëndija, ku si që e dini tani më jam drejtor sportiv me ambicie shumë të mëdha, ndërsa nga ana tjetër jam duke e udhëhequr pjesën e marketingut të Xherdan Shaqirit.

Koha: Si ishte ndjenja kur erdhët për herë të parë këtu në Maqedoni?
Mathias Walter:
Në një far mënyre unë jam njeri pak sa i çuditshëm në këtë aspekt, për shkak se këta gjëra më fascinojnë shumë. Nga njëra anë në aspektin privat jam duke ndërtuar një shtëpi në një ndër vendet më të bukura dhe më pitoreske që mund ta paramendoni në Zvicër dhe nga ana tjetër miqtë e mi më pyesin se çka kërkon në Maqedoni!? Por për një person të ‘çmendur’ për futbollin si që jam unë, e shoh se kjo është një minierë e artë për një trajner futbolli. Këtu ka aq shumë talentë sa që thjesht ne vetëm duhet ta strukturojmë Shkëndijën dhe frytet do t’ia shohim shumë shpejtë. Prandaj përsëris se pikërisht kjo është ajo që më pëlqen dhe të cilën ndoshta tani në fillim edhe ju nuk do ta kuptoni. Baza është e fuqishme, shumë e shëndoshë. Kualitet ka shumë, por duhet edhe shumë punë. Kjo mua më pëlqen, pasi duhet të përveshim krahët dhe të punojmë. Por ju lutem na leni të punojmë.

Koha: Diçka për fund?
Mathias Walter:
Po, dua ta dinë të gjithë se nga njëra anë i kuptoj brengat e të gjithë dashamirëve të Shkëndijës, i kuptoj dëshirat dhe qëllimet që kanë të gjithë. Mirëpo nga ana tjetër pikërisht sepse i dij mundësitë që ka klubi, e dij në mënyrë profesionale ku kemi qenë, ku kemi filluar, mund t’ju them se kjo është një situatë shumë normale. Edhe pse sikur nuk doni ta kuptoni, pozita ku gjendet ekipi është situatë shumë normale. Thjesht me mundësitë dhe kapacitetin që ka pasur, kjo është një pasqyrë reale për atë që ekipi mund të japë për momentin. Aspak më tepër dhe aspak më pak. Ajo që e bën më interesante këtë situatë është se ne e dijmë se kemi shumë punë dhe jemi të vetëdijshëm për mundësitë që ka Shkëndija. Tani me një sponsor të këtillë dhe me një ekip profesional dijmë se çka mund të bëjmë në të ardhmen. Kjo është ajo që neve na gëzon dhe na jep fuqi për tu përballuar me të gjithë vështirësitë.

Intervistë e realizuar nga gazeta ‘Koha’

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *