Home / Sport / Shkëndija ndal Vardarin, Horizonti kampion vjeshtor (VIDEO)

Shkëndija ndal Vardarin, Horizonti kampion vjeshtor (VIDEO)

Ekipi nga Turnova për herë të parë në historikun e vet do të dimërojë në pozitën e parë në elitën e futbollit vendor, por për këtë duhet të falemenderojë Shkëndijën e cila ndali në barazim pa gola Vardarin në stadiumin e qytetit në Shkup.

Me ndeshjet e xhiros së 19-të është mbyllur sezoni vjeshtor në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, në të cilën si lider do të dimërojë skuadra e Horizont Turnovës. Skuadra nga Strumica ka mundur të dielën 3:0 Rabotniçkin dhe me 34 pikë të tubuara mbajnë pozitën e parë, me pikë të barabarta me Vardarin dhe Pelisterin, por me goldiferencë më të mirë. Dejan Bllazhevski ka qenë sërisht figura qendrore e takimit, duke shënuar të tre golat për Horizontin. Ekipi nga Turnova për herë të parë në historikun e vet do të dimërojë në pozitën e parë në elitën e futbollit vendor, por për këtë duhet të falemenderojë Shkëndijën e cila ndali në barazim pa gola Vardarin në stadiumin e qytetit në Shkup. Në një takim interesant, tetovarët sollën performansë të shkëlqyeshme, me disciplinë maksimale taktike dhe lojë të sigurtë, por për fat të keq nuk arritën të fitojnë pasi Nexhipi në pjesën e parë humbi penalti. Ndeshja nisi me disa kanosje të Vardarit, që u pritën pa problem nga Jovanovski, ndërsa në anën tjetër Emrullai s’ishte preciz, ndërsa goditja e Pollozhanit u kontrollua nga Pavloviç. Në minutën e 42-të pas goditjes së Mustafit, Tanevski prek topin me dorë, ndërsa referi Jakimovski jep penalti për Shkëndijën. Nexhipi mori përgjegjësinë për të goditur nga pika e bardhë, mirëpo u lexua nga Pavloviq që ndali tentimin e mesfushorit shkupjan. Në pjesën e dytë Vardari kishte disa mundësi të mira, kur dy herë u kanos Grozdanovski, një herë jo preciz, ndërsa në rastin e dytë nga vija e portës shpëtoi Belica, ndërsa më vonë Cikarski goditi skaj portës. Në anën tjetër Cuculi solli goditje të dobët, ndërsa paraprakisht Shabani nuk arriti të përfundojë me sukses një depërtim të shpejtë. Në fund barazimi pa gola ishte rezultati më real i takimit, që Vardarin e zbret nga pozita e liderit, ndërsa Shkëndija me 23 ndalet në pozitën e 8-të, aq sa ka edhe Euromliku i vendit të 7-të. Ndeshje interesante u zhvillua në Tetovë ku Renova mundi 3:1 Bregallnicën. Pjesa e parë solli futboll të dobët me mysafirët që kishin më shumë nga loja, ndërsa këtë performansë e kurorëzuan me gol në minutën e 44, kur Iliev shfrytëzoi assistin e Aksentievit, për epërsi 0:1 të miqve. Disavantazhi ishte i papranueshëm për vendasit, që u hodhën të gjithë në sulm në pjesën e dytë. Barazimi erdhi në minutën e 50-të kur Emini pason për Fetain, i cili dërgon topin pas shpinës së portierit të Bregallnicës. Renova vazhdoi të sulmojë dhe kishte mundësi të përmbysë gjithcka kur Emini fitoi penalti, mirëpo portieri Bozhinovski për mrekulli ndali goditjen e ‘Izos’ nga pika e bardhë. Penaltia e humbur nuk uli moralin e vendasve të cilët arritën të shënojnë golin e epërsisë në minutën e 65-të kur Elmedin Rexhepi për mrekulli reagon para zonës dhe shënon për 2:1. Rezultatin përfundimtar Renova 3, Bregallnica 1 e vendosi Memedi në minutën e 68-të, kur me sukses egzekutoi goditjen nga penaltia. Renova me këtë triumf shkon në kuotën e 27 pikëve me të cilat ngjitet në pozitën e 6-të në renditje, ndërsa njëkohësisht ndal serinë prej pesë ndeshjeve pa fitore. Gostivari mbetet në pozitën e fundit pasi mundet 4:0 nga Makedonija Gj.P. Pelisteri ka mbyllur me sukses sezonin vjeshtor pas fitores 4:0 përballë Napredokut, ndërsa barazim pa gola ka sjellë dueli ndërmjet Euromilkut dhe Metalurgut. Me këto ndeshje është mbyllur sezoni vjeshtor, ndërsa më 2 mars me ndeshjet e xhiros së 20-të parashihet të fillojë sezoni pranveror.

Rezultatet:

Renova-Bregallnica 3:1,

Makedonija Gj.P.-Gostivari 4:0,

Pelisteri-Napredoku 4:0,

Eurmilku-Metalurgu 0:0,

Horizotni-Rabotniçki 3:0,

Vardari-Shkëndija 0:0.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *