Home / Sport / “Topi i Artë”, shpallen finalistët

“Topi i Artë”, shpallen finalistët

Kristiano Ronaldo, Frank Riberi dhe Lionel Mesi janë tre finalistët e këtij edicioni të “Topit të Artë”, me konfirmimin që ka ardhur nga FIFA.

Dje është bërë publike lista e tre emrave që kanë dalë nga përzgjedhja e parë prej 23 lojtarësh, të cilët më pas u votuan nga trajnerët dhe kapitenët e 209 vendeve anëtare të FIFA-s, ashtu si edhe nga disa gazetarë të përzgjedhur nga “France Football”. Njëkohësisht, dje janë bërë të ditur edhe tre emrat në garë për “Trajnerin e vitit”, ku Jup Heinkes është dukshëm i favorizuar përballë Jurgen Klop dhe Aleks Ferguson. Gara për “Topin e Artë” ka qenë një ndër temat kryesore në futbollin ndërkombëtar në këtë pjesë të parë të sezonit, duke parë paraqitjet e jashtëzakonshme të kandidatëve që ishin në listë. Secili prej tre finalistëve ka arsye të ndryshme për të cilën duhet të pretendojë të fitojë këtë trofe individual që është më i lakmuari për çdo futbollist.
Kristiano Ronaldo shihet nga të gjithë si favoriti kryesor për ta fituar për herë të dytë në karrierën e tij “Topin e Artë”, pas suksesit në vitin 2008. Portugezi ka shënuar në këtë sezon 32 gola me fanellën e klubit dhe të kombëtares, ndërsa tre golat e jashtëzakonshëm në play-off për Kupën e Botës ndaj Suedisë së Ibrahimoviç, detyruan FIFA-n të rihapte votimin. Ronaldo mund të bëjë realitet atë që bashkëkombësi i tij, Luis Figo, bëri në vitin 2000, të fitojë këtë trofe pa marrë asnjë titull me skuadrën e tij gjatë vitit kalendarik. Por shifrat e frikshme të portugezit konfirmojnë gjithsesi se ai po kalon një formë të pabesueshme. 67 gola në 56 ndeshje tregojnë se 2013 ka qenë një vit shumë i mbarë për të dhe se forma ka ardhur në rritje, siç vërtetohet nga 17 golat e shënuar në 14 ndeshje në kampionatin spanjoll dhe 8 gola në 5 ndeshje në Ligën e Kampioneve në këtë sezon.
Sikur të mos ishte luajtur ajo ndeshje mes Suedisë dhe Portugalisë, tani të gjithë do të ishin duke folur për një sukses thuajse të sigurt të francezit Frank Riberi. Mesfushori ka qenë figura përfaqësuese e Bajern Mynihut, lideri i skuadrës më të mirë të vitit 2013, gjatë të cilit ka fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Ligën e Kampioneve dhe Superkupën e Europës. Francezi i fundit që meritoi këtë trofe ishte Zinedin Zidan në vitin 1998, ndërsa 23 golat në 53 ndeshje kanë bërë që Riberi të ndjekë gjurmët e bashkëkombësit të tij në këtë edicion, duke u bërë për herë të parë në karrierë një prej finalistëve. Zërat se është favorit në këtë edicion, e kanë ndihmuar të bëjë një nisje fantastike të këtij sezoni, me 12 gola e 14 asiste në 23 ndeshje.
Emri i tretë ka qenë ai i zakonshmi i Lionel Mesit, fitues i katër edicioneve të fundit të këtij trofeu. “Këpuca e Artë” e sezonit të kaluar nuk ka pasur një vit të lumtur për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme. Por kjo nuk e ka penguar atë të fitojë kampionatin dhe Superkupën në Spanjë. 14 gola dhe 4 asiste në 16 ndeshje ishte bilanci i tij në këtë fillim sezoni, ndërsa nuk duhet harruar as kontributi me Argjentinën, të cilën e udhëhoqi drejt Botërorit me 10 gola në 14 ndeshje.
Favoriti
Kompanitë e basteve duken të sigurta për suksesin e Ronaldos. “William Hill” kuoton fitoren e tij me koeficientin 1.44, kundrejt 2.62 të Mesit dhe 13 të Riberi
Dyshimet
Për të shmangur çdo pakënaqësi që shfaqet shpesh në dhënien e titujve të tillë, FIFA i besoi procesin e votimit dhe numërimit kompanisë audituese “PricewaterhouseCoopers”.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *