Home / Lajme / Maqedoni / Ura e ligjshme, por vendimi për Car Dushanin mbetet mister (VIDEO)

Ura e ligjshme, por vendimi për Car Dushanin mbetet mister (VIDEO)

Shkup, 26 dhjetor – Pas deklaratës së djeshme të ministrit Janakievski se Ura e Civilizimeve është ndërtuar në pajtim me ligjin, sot reagoi Këshilli Iniciator për zhvendosjen e Car Dushanit.

Përmes një letre të hapur, ky Këshill i bëri thirrje zv/ministrit të transportit Xhelal Bajrami që të reagojë ndaj deklaratave të eprorit të tij, dhe të dalë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë që ai përfaqëson.

“Lutemi që të ngrini zërin tek subjekti legjitim që përfaqëson sot interesat e shqiptarëve, nga të cilët kërkojmë të gjejmë mbështetje institucionale për mënjanimin e këtij akti të turpshëm, dhe që ata të vihen në mbrojtje të vullnetit të mbi 40% të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni. T’i referohen Kushtetutës së re pas marrëveshjes së Ohrit ku në asnjë mënyrë nuk do të lejohet diskriminimi dhe nxitja e urrejtjes etnike e fetare në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Ministri Janakievski deklaroi një ditë më parë, se Ura “Syri” është ndërtuar me vendim të Këshillit të Komunës Qendër, ndërsa për përmendoret në të nuk është diskutuar veç e veç, për shkak se ligjërisht objektet me madhësi të tillë njihen vetëm si elemente dekorative të urës, dhe jo domosdoshmërisht duhet të precizohet emri i tyre në propozim-vendim. Por Janakievski nuk shpjegoi se cili ka qenë institucioni i radhës që vendosi që figura e Car Dushanit të ishte element figurativ në Urën “Syri”. Ministri i Transportit është vetëm njëri nga ministrat dhe funksionarët që ngrenë supet ndaj vendimit për vendosjen e Car Dushanit. Më herët edhe institucionet e tjera përkatëse nuk merrnin përgjegjësi.

“Ministria e Kulturës nuk është as porositëse dhe as ngritëse e përmendores”, thoshte Elizabeta Kançevska Milevska, Ministre e Kulturës (04.12.2013).

“Nuk është parashikuar përmendore e Car Dushanit”, tha Katerina Canevska, zëdhënëse e Komunës Qendër (04.12.2013).

“Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca për vendosjen e përmendores”, deklaronte Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit (06.12.2013).

“Këto ditë, pas plot 6 shekujsh, edhe Car Dushani i shenjtë na kthehet në Shkup”, tha në Kongres Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe (09.11.2013).

“Unë isha e pranishme në pjesën e hapur për mysafirët, kështu që nuk mund të flas për të gjithë rendin e ditës dhe vendimet që janë vendime brenda-partiake”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme (05.12.2013).

“E them shumë sinqerisht, edhe unë jam i befasuar”, u shpreh Musa Xhaferi, zv/kryeministër (11.12.2013).

Edhe komuna Qendër nuk deshi të komentonte sot deklaratat e ministrit Janakievski. Megjithatë kryetari i saj Andrej Zhernovski, javë më parë u shpreh se të gjitha përmendoret e paligjshme, përfshi edhe atë të Car Dushanit, do të zhvendosen. Edhe prokuroria deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me padinë e shoqatave shqiptare, për gjetjen e autorëve të vendosjes së Car Dushanit dhe zhvendosjen e përmendores nga qendra e Shkupit.

Gjithashtu lexo

Tym, zjarr e mbeturina në komunat shqiptare, politikanët bëhen gati për fushatë,rinia pa shpresa

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë filluar përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve lokale të cilat pritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *