Home / Lajme / Maqedoni / Vrasja në Hasanbeg, policia vazhdon hetimin

Vrasja në Hasanbeg, policia vazhdon hetimin

Shkup, 01 dhjetor – Policia vazhdon kërkimin e autorit të vrasjes së mbrëmshme të Xhelal Ajetit, pronarit të çajtores ‘Te Xhela’ në lagjen Hasanbeg të Shkupit.

Sipas MPB-së, deri tani nuk janë të njohura motivet për vrasjen e lartpërmendur. Nga policia thonë se vetëm pas kapjes së vrasësit do të mund të zbardhet edhe arsyeja dhe do të mësohet dinamika e eliminimit të Xhelal Ajetit, si dhe nëse dy personat e tjerë që u plagosën ishin shënjestër e sulmit.

“Mbrëmë gjatë orëve të mbrëmjes në lagjen Hasanbeg, më saktë në kafenenë “Rolex” tani për tani, një person i panjohur me breshëri plumbash nga një automatik, ka vrarë 46 vjeçarin Xhelal Ajeti nga Shkupi. I ndjeri, edhe më parë ka qenë i njohur për policinë, madje, kundër tij, kanë qenë ngritur edhe një numër i madh padish, për vepra të shumta penale. Sipas fakteve që posedojmë kundër tij në të kaluarën janë ngritur 18 padi penale për kryerjen e 11 veprave, që nga vrasje nga pakujdesia, pjesëmarrje në rrahje, për shkaktim të akteve të dhunës etj”, tha Ivo Kotevski – zëdhënës i MPB-së.

Fakti që Xhelal Ajeti ka qenë me dhjetëra precedentë penalë, e bën më të vështirë zbardhjen e vrasjes së tij mbrëmë. Të gjithë skenarët e mëparshëm, janë pjesë e pistave të hetimit për vrasjen një natë më parë.

“Për fat të keq për momentin nuk kemi ndonjë informacion se cilat mund të jenë motivet. Hetimi po vazhdon në shumë segmente dhe mund vetëm t’ju them se personi edhe më parë ka qenë i njohur për policinë dhe ajo që paraqet një vështirësi shtesë për policinë gjatë hetimeve është se Xhelal Ajeti, edhe më parë ka qenë viktimë në shumë sulme dhe ka pasur numër të madh armiqsh, jo vetëm në Shkup por në gjithë Maqedoninë”, deklaroi Ivo Kotevski – zëdhënës i MPB-së.

Ekzekutimi i pronarit të çajtores ‘Te Xhela’ ndodhi mbrëmë rreth orës 18 në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Sipas dëshmive paraprake, një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në çajtore dhe ka derdhur breshëri plumbash drejtim të Xhelal Ajetit, i ulur në të njëjtën tavolinë me tre persona, dy prej të cilëve mbetën të plagosur në këtë sulm. Policia njofton se 3 personat me të ishin 44 vjeçari me inicialet B.A, 54 vjeçari M.I dhe 49 vjeçari I.M.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *