Home / Lajme / Maqedoni / Dy drama familjare që tronditën komunitetin shqiptar të Zvicrës

Dy drama familjare që tronditën komunitetin shqiptar të Zvicrës

29 Janar… Në një lokalitet të vogël, në Wohlen të Kantonit Aargau, brenda 48 orëve kanë ndodhur dy drama të tilla familjare. Ato kanë ngjarën dy familje shqiptare.

Në Zvicër, ashtu si dhe në vendet tjera, ndodhin herë pas here vrasje në mes të bashkëshortëve, ku kryesisht viktima janë bashkëshortet dhe ku shpesh herë bën vetëvrasje edhe dorasi. Në rastet më të rënda, ai ose ajo vret edhe një apo më shumë fëmijë të përbashkët. Krime të tilla që përfundojnë me vdekje, sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i Bernës, në Zvicër ndodhin gjashtë deri në 7 herë në vjet. Kriminologët nuk kanë gjetur se njerëz nga shtresa ose etni të caktuara kryejnë krime të kësaj natyre më shpesh se të tjerët.

Në një lokalitet të vogël, në Wohlen të Kantonit Aargau, brenda 48 orëve kanë ndodhur dy drama të tilla familjare. Ato kanë ngjarën dy familje shqiptare. Mbrëmjen e të shtunës, 25 janar, Hanka M. një grua 35 vjeçe me prejardhje nga Kërçova është gjetur e plagosur rëndë me armë zjarri. Pak më vonë ajo ka ndërruar jetë në spital.

Ndonëse ende nuk është konstatuar përfundimisht, të gjitha indicet për vrasje çojnë te bashkëshorti i saj, Arben M. 40 vjeç. Ky i fundit është arrestuar dhe mbahet në psikiatri me masa sigurie si dhe i është shqiptuar burgu për hetime.

Vetëm dy ditë më vonë, të hënën rreth orës 19.00, po në Wohlen, shqiptari 23 vjeçar nga Kosova ther me thikë bashkëshorten e tij 24 vjeçe. Pastaj ai ik në drejtim të panjohur. Viktima ka pësuar plagë të rënda por gjendja e saj thuhet të jetë stabile.

Në një situatë të tillë, a duhet të shqetësojë shqiptarët si komunitet fakti se dy krime kaq të rënda kanë ndodhur në mesin e tyre brenda një periudhe kaq të shkurtë? A ka në këto raste diçka specifike që i dallon shqiptarët ? Albinfo.ch ka marrë mendimin e dy ekspertëve lidhur me këtë çështje.

Buçaj-Shehi: “Më shumë punë me bashkatdhetarët për parandalimin e krimit”

Sipas kriminologes shqiptare, Silvije Buçaj-Shehi, në parim bëhet fjalë për raste që ndodhin kudo dhe, rrjedhimisht, mund të ndodhin edhe në komunitetin tonë.

“Si kriminologe them që këto raste ndodhin gjithandej në botë, dhe është normale që të ndodhin edhe ne Zvicër, nga bashkëkombësit tanë. Por është alarmante kur këto shpeshtohen dhe ndodhin, sikundër tash, dy herë brenda një periudhe kohore prej tri ditësh. Shqiptarët janë nga natyra popull i ndjeshëm, i nxehtë dhe prandaj edhe reagojnë shumë shpesh me gjaknxehtësi, “në afekt”, shton ajo.

“Ne, profesionistët shqiptarë dhe të gjithë ata që kanë vullnet të mirë, urgjentisht duhet të mobilizohemi për të organizuar më tepër takime informative me bashkatdhetarët tanë, mbi parandalimin e krimit ose biseda interaktive rreth çështjeve të tilla” shprehet Buçaj-Shehi.

Ndërsa, e pyetur nëse ka ndikim fakti se në dy rastet e fundit bëhet fjalë për martesa të përziera (burri i ardhur nga vendlindja, gruaja e rritur në Zvicër) ajo thotë: “Për këtë temë duhet bërë studim shkencor. Unë jam duke e realizuar një projekt në kuadër të doktoraturës sime në lidhje me faktorët kyç të cilët i influencojnë devijimet tek delikuentët me origjinë shqiptare. Sipas disa hulumtimeve të deritashme, mendoj se bëhet fjalë për një moskuptim të jashtëzakonshëm në mes mentaliteteve dhe traditës të një personi i cili është rritur në Zvicër dhe një personi që ende ka konservuar mentalitet kosovar apo ballkanik”, thotë ajo. Nuk dua të gjykoj se cili mentalitet është i mirë e cili i keq por “supozohet që bashkimi i këtyre dy personave për një lidhje martesore të mirëfillte ka gjasa të dështojë dhe mundet të jetë “faktor rreziku” për një lidhje stabile, edhe pse një gjë e tillë nuk është rregull”, thekson Silvije Buçaj-Shehi, kriminologe.

Zeqiri: Dhuna, rezultat i “kërcënimit” të rolit të burrit nga bashkëshortet e emancipuara

“Dallimet kulturore dhe vlerat e ndryshme, mund të sjellin deri te rastet e dhunës në mes të bashkëshortëve migrantë, në këtë rast shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia, që ndodhen në një interval kohor të afërt dhe në një lokalitet të njëjtë në Zvicër. Kështu mendon Hamit Zeqiri, specialist për migrim dhe integrim. Ai thekson se është gabim nëse konkludojmë që njëri rast lidhet me tjetrin, në fakt ato duhet të gjykohen ndaras.

„Xhelozia e shprehur vjen nga emancipimi i grave me një stil modern që është normal këtu në Zvicër por që për disa burra që janë rritur me vlera të tjera mund të jetë i „tepërt“. Janë disa veçori që sjellin deri te rastet e dhunës në familje sidomos te bashkëshortët që vijnë nga vendet tjera e nuk gjejnë rolin e „shefit të shtëpisë“ të cilin e kanë paramenduar në vendlindje.

Këtë fenomen e konstatojmë shpesh por nuk vlen për secilin rast ngase xhelozia dhe dhuna janë fenomene që shprehen te të gjithë popujt dhe nuk janë „produkt“ ekskluziv i shqiptarëve.

Edhe në Zvicër ndodh që gratë të mos trajtohen në mënyrë të barabartë në çdo lëmi të jetës. Dhuna është shpesh rezultat i identitetit dhe rolit të „kërcënuar“ të burrit prej bashkëshorteve të cilat nuk pranojnë rregulla të lojës diktatoriale të cilat për shumicën e njerëzve të emancipuar janë të tejkaluara. Ka raste kur burrat nuk janë në gjendje ta akceptojnë gruan si partnere të barabartë dhe ta respektojnë pavarësinë e saj. Në rastet ekstreme ndodh edhe dhuna fizike. Rastet e fundit mund të dëmtojnë imazhin e shqiptarëve në Zvicër por shpresoj që nuk do të ketë instrumentalizim për tema politike lidhur me migracionin, thotë Hamit Zeqiri. Albinfo

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *