Home / Lajme / Rajon / Ekskluzive: Prapaskenat më të rëndësishme të Luftës së Kosovës

Ekskluzive: Prapaskenat më të rëndësishme të Luftës së Kosovës

3 janar-Nuk ndodhi kështu për shkak se dy njerëz, Vesli Kllark dhe Toni Bler nuk pranuan që Millosheviqi edhe njëherë të përdorë bashkësinë ndërkombëtare për fëlliqësirat e tij dhe për shkak se liderët shqiptarë të Maqedonisë të asaj kohe dhe ata të Shqipërisë vendosën interesat e përgjithshëm para interesave të tyre personale.

Nga Gazeta Express

Gazeta Express sjell rrëfimin ekskluziv të Aleksandër Pirros, ish-bashkëpunëtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar për luftën e fundit të Kosovës. Cili vend perëndimor propozoi në vitin 98 vendosjen e trupave të NATO’s në kufirin Kosovë-Shqipëri për ta shuar UÇK’në dhe luftën? Kush e refuzoi atë? Si planifikonte Slobodan Milosevic krijimin e një Qeverie Multietnike duke marrë mbështetjen e Ibrahim Rugovës? Kush do të emërohej Kryeministër? Si ishte planifikuar serbizimi i Rrafshit të Dukagjinit dhe si planifikohej kthimi i refugjatëve shqiptarë të ikur nga Rrafshi i Kosovës?

Në Kosovë sot mbizotëron mendimi se dihet gjithçka për luftën e fundit; se si nisi ajo, si u zhvillua, si ndërhyri NATO, si u përzunë kosovarët, si u kthyen më pas ata, si hynë ushtarët e UÇK’së në Prishtinë, instalimi i UNMIK’ut, formimi i institucioneve, zgjedhjet…

Në fakt, kur ta lexoni këtë shkrim do të bindeni se nuk janë në dijeni të dy prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës.

Për këto dy ngjarje, një ish-bashkëpunënëtor i Shërbimit Informativ Kombëar të Shqipërisë, Aleksandër Pirro, ka sjell në redaksinë e Gazetës Express një shkrim të gjatë, të shoqëruar me disa dokumente të shërbimeve inteligjente të vendeve perëndimore, disa analiza të NATO’së dhe shkëmbime të informatave mes ambasadorëve të rëndësishëm të asaj periudhe.

Ai ka qenë një prej njerëzve kryesor të shërbimit shqiptar i ngarkuar me Luftën e Kosovës.

Ne po e sjellim shkrimin e z. Pirro meqenëse këtyre ditëve ka nisur një debat për historinë më të re të Kosovës, rolin e Ibrahim Rugovës, Kryetarit të LDK’së, dhe për aktivitetin e veprimtarit Adem Demaçi dhe Akademik Rexhep Qosja – që ishin mbështetësit e UÇK’së në Prishtinë.

Ndërkohë, ditëve të ardhshme, për të vërtetuar pohimet e këtij bashkëpunëtori të Shërbimit Informativ Kombëtar, ne do të botojmë intervistat ekskluzive me disa prej akterëve kryesorë të luftës.

Lexojeni shkrimin në vazhdim

Rrëfimi i Aleksandër Pirros

Për historinë e Kosovës të 20 viteve të fundit pak a shumë dihet gjithçka, por sidoqoftë si çdo ngjarje historike ku lufta ka qenë pjesë përbërëse në mos edhe definuese e përmbylljes së një sekuence historike, lojërat e prapaskenës dhe jo ato të zhvilluara publikisht definojnë rrjedhën e historisë.

Në Kosovë ndodhi për herë të parë ajo që mund të përshkruhet si: Storja ose narativi më i mirë ngadhënjeu ndaj ushtrisë më të mirë. Në epokën e komunikimit në të cilën jetojmë, narativi i palës shqiptare të Kosovës i plasuar në media u dëshmua të jetë arma më e fuqishme se ushtria serbe. Në saje të informimit dhe depërtimit të informacionit u arrit mobilizimi i bashkësisë ndërkombëtare që përfundoi me bombardimet e NATO’s dhe largimin e forcave serbe nga Kosova.

Pjesa tjetër dihet… Mirëpo a dihet me të vërtetë???

Vet fakti se në Kosovë shumë gjëra kanë ndodhur për herë të parë dëshmojnë se Kosova ka pasur fat në rrugëtimin prej okupimit e deri te situate e sotme, mirëpo nëse kësaj i shtohen edhe 2 momentet të cilat do të përshkruhen në vijim mund të thuhet madje se Kosova ka kaluar nëpër fije të perit. Këto dy sekuenca kanë ndodhur njëra në pranverë-verë të vitit 1998 dhe tjetra gjatë bombardimeve në periudhën prill-maj të vitit 1999.

Pranverë, 1998

Përmbledhje e analizave të NATO

Në Kosovë incidentet më mes të ushtrisë dhe policisë serbe në njërën anë dhe formacioneve paramilitare shqiptare kanë filluar të intensifikohen. Kriza humanitare e shkaktuar nga vala e refugjatëve të cilët largohen nga zonat e prekura prej luftimeve kërcënon të shndërrohet në katastrofë humanitare. Me faktin se refugjatët kanë filluar të dalin jashtë kufijve të Kosovës, kriza ka filluar të ndërkombëtarizohet. Formacionet serbe nuk arrijnë që ta shuajnë rebelimin e armatosur të shqiptarëve. Është krijuar mostra standarde e luftimeve. Shqiptarët, herë të organizuar dhe të uniformuar si UÇK e herë si njësi ad-hok të fshatrave i sulmojnë forcat serbe dhe tërhiqen nëpër pyje ose shpërndahen nëpër shtëpitë e njerëzve të besuar, ndërsa forcat serbe në përndjekje të tyre përdorin metodën e tokës së djegur dhe në pamundësi për t’i goditur rebelët e armatosur i dëmtojnë civilët përmes bombardimeve nga distanca ose ndërhyrjeve të kombinuara të këmbësorisë dhe njësive të blinduara.

Këto ndërhyrje rëndom përcillen me brutalitet dhe viktima në radhët e popullsisë civile. Kjo taktikë e serbëve e rrit simpatinë për UÇK dhe numri i vullnetarëve rritet për çdo ditë.

Problemi kryesor i rebelëve është mungesa e armatimit dhe në veçanti mungesa e municionit. Tani për tani, burimi kryesor i furnizimeve mbetet të jetë Shqipëria ku për shkak të ngjarjeve të vitit 1997 armatimi këmbësorik mund të gjendet shumë lehtë dhe me bollëk, po të mos ishte kufiri i ruajtur mirë nga ana e serbëve kjo luftë do të fitonte përmasa shumë më të mëdha.

Rebelët shqiptarë janë kryesisht të armatosur me armatim këmbësorik ku dominon automatiku AK (Kallashi) dhe një sasi e vogël e armëve të kalibrit 12,7 dhe pushkëve snajperike. Armatimi antitank, kryesisht RPG 7 dhe minahedhësit e vegjël 60mm mund të shihen, por nuk janë përdorur në mënyrë efektive.

Për shqiptarët, problem paraqet edhe mungesa e përvojës dhe e stafit profesional. Një numër i ish-oficerëve të APJ’së me origjinë shqiptare dhe disa oficerë me përvojë nga Bosnja dhe Kroacia i janë bashkuar UÇK por e gjithë kjo nuk paraqet ndonjë kërcënim serioz ushtarak për serbët.

Problem do të ishte në rast se ndodh ndërhyrje e organizuar e ushtrisë ose individëve nga Shqipëria, në atë rast baraspesha do të mund të lëvizte në të mirë të shqiptarëve.

(Analizat e asaj kohe rëndom përfundonin me përshkrimin e implikimeve që lufta në Kosovë do të mund t’i kishte për Maqedoninë dhe në këtë aspekt gjithnjë apostrofohej mundësia deri në paevitueshmëri e përfshirjes së Maqedonisë në rast se UÇK nuk eliminohet përfundimisht).

Një përmbledhje tipike e parashikimeve ose projeksioneve për rrjedhimin e mundshëm të ngjarjeve të asaj kohe dukej kështu;

Çka mund të presim?

1. Forcat serbe do të arrijnë që t’i shuajnë vatrat kryesore të rebelimit në Kosovën qendrore dhe perëndimore. Udhëheqja e moderuar politike e shqiptarëve do të rifitojë besimin e popullsisë. Involvimi i aleatëve perëndimorë do të duhej të përqendrohet në diplomaci agresive për gjetjen e zgjidhjes politike, por pa nevojë të angazhimit të elementit ushtarak. Eventualisht, dërgimi i një misioni ushtarak observues në IRJM të llojit dhe përmasave të atij që aktualisht ndodhet në Shqipëri do të ishte i realizueshëm dhe pa kosto të madhe.

2. Stalemate (mosndryshim). Luftimet e intenzitetit të ulët vazhdojnë. Shqiptarët vazhdojnë rezistencën, serbët vazhdojnë me brutalitet policor dhe ushtarak, kriza humanitare në rritje por në suaza të kontrollueshme. Presioni më i madh do të jetë mbi Shqipërinë e cila do të duhet të orvatet me numrin – për mundësitë e saja – të madh të refugjatëve. Rritje edhe e numrit të refugjatëve që arrijnë ne Europën Perëndimore, kryesisht në Gjermani. Aleatët duhet të konsiderojnë ndihma më të mëdha për Shqipërinë dhe organizimin e një misioni humanitar me përmasa më të mëdha të udhëhequr nga OKB dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ky i dyti është prezent në Shqipërinë Veriore dhe ka arritur të pozicionohet në vendet kyçe për veprim, do të duhej vetëm një rritje në vëllim dhe financim). Presioni diplomatik mbi akterët duhet të intensifikohet. Padyshim se Beogradi është lojtari kyç dhe aktiviteti duhet të përqendrohet atje.

Është herët të mendohet për një proces të veçantë paqësor të llojit të Bosnjës, marrë parasysh se Beogradi assesi nuk do të pranojë që të bisedojë me shqiptarët me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Sidoqoftë, një mesazh i qartë për palët duhet të dërgohet sa më parë dhe me terminologji pa ekuivoke, përfshirë edhe kërcënimin me dhunë. Për Beogradin, se pastrimi etnik kësaj radhe nuk do të tolerohet, ndërsa për shqiptarët se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve me dhunë.

3. Skenari më i keq. Lufta intensifikohet. Veriu i Shqipërisë mbushet me refugjatë. Në Kosovë përsëriten skena të Bosnjës. Dhjetëra mijëra djem dhe burra shqiptarë në Shqipërinë Veriore të dëshpëruar i mësynë depot ushtarake. Shqipëria përsëri zhytet në anarki. Në pamundësi të depërtimit ushtarak nga perëndimi përmes kufirit Shqipëri-Kosovë, UÇK tani e armatosur mirë dhe e përforcuar me staf profesional shqiptar (por edhe me vullnetarë nga Lindja e Mesme prania e të cilëve ka filluar të shfaqet) niset drejt kufirit më të brishtë – atij me IRJM. Në Maqedoni u bashkëngjiten shqiptarët etnikë që përbëjnë 20-25% të popullsisë në territor kompakt në perëndim.

Qeveria e IRJM thërret në ndihmë Bullgarinë e madje ndoshta edhe Serbinë, involvimi i Greqisë dhe Turqisë është i paevitueshën në këtë rast madje si palë ndërluftuese në anë të kundërta.

Shpejt do të krijoheshin dy aleanca; një pro-shqiptare dhe tjetra pro-sllave.

Nuk do mend se do të ballafaqoheshim me një luftë ballkanike ku në anën e kundërt do të gjendeshin dy anëtare të NATO’s dhe intervenimi ushtarak do të ishte sa i paevitueshëm aq edhe i komplikuar. Përfshirja e Rusisë nuk përjashtohet në rast se aleanca sllave fillon të pëson humbje, dilnin jashtë Kosovës ose do të zhvendoseshin brenda kufijve. Ky skenar duhet të parandalohet me çdo kusht duke mos përjashtuar edhe intervenimin ushtarak. Momenti më i volitshëm dhe juridikisht i realizueshëm do të ishte katastrofa humanitare e shkaktuar nga luftimet brenda Kosovës.

Kështu përafërsisht e shihnin krizën e Kosovës aleatët perëndimorë, edhe pse forma e raporteve e paraqitur më sipër është kryesisht e bazuar në raportet dhe analizat e NATO’s të cilat në anën tjetër përpiloheshin si përmbledhje e raporteve të shërbimeve diplomatike dhe të inteligjencës të vendeve anëtare. Raportet e NATO’s rëndom edhe sot përpilohen me konsensus të ambasadorëve të vendeve anëtare por fjalën kryesore e ka shërbimi i specializuar brenda organizatës që është nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të Komandantit të Përgjithshëm në atë kohë Gjeneralit Amerikan Vesli Kllark.

Pra në këtë përrethim dhe të udhëhequr nga këto përfundime perëndimorët përpiqeshin që të gjejnë rrugëdalje nga kriza kosovare. Edhe pse fjala intervenim ushtarak kishte filluar të sillet nëpër kokat e disa liderëve politikë dhe ushtarakë perëndimorë (memoaret e tyre të botuara vitet e fundit dëshmojnë për këtë) intervenimi ishte akoma shumë larg. Sidoqoftë, në një mbledhje të ambasadorëve të NATO’s në pranverën e atij viti u ngrit një propozim i cili po të ishte realizuar me siguri se do të kishte ndryshuar pakthyeshëm historinë e Kosovës.

Franca, në atë kohë anëtare me të drejta të plota e këshillit të NATO’s kishte filluar të qarkullojë një ide që forcat e NATO’s të dërgohen në Veri të Shqipërisë. Arsyetimi francez ishte se meqenëse gjenerator i krizës janë rebelët e UÇK’së dhe se përkrahja kryesore u vjen nga Shqipëria (jo nga qeveria, por disa elemente brenda qeverisë dhe kryesisht nga grupe kontrabandistësh), kriza do të zgjidhej nëse forcat e NATO’s do të mbyllnin korridorin kryesor për furnizimin dhe mbijetesën e UÇK’së dhe formacionet e tjera rebele.

Fundi i UÇK’së do të ishte edhe fundi i krizës dhe përfundimisht do të parandalohej “kriza humanitare” – ishte argument francez. Përfaqësuesit francezë propozimin e tyre e mbështesin me një grumbull dokumentesh, fotografi satelitore, raporte të inteligjencës por edhe deklarata të “udhëheqësve të moderuar politikë” të kosovarëve. Sa për ta sforcuar kërkesën e tyre francezët kishin të përpiluar edhe një përshkrim të UÇK si forcë jo-vetëm ushtarake por edhe me agjendë politike që ka për qëllim krijimin e Shqipërisë Etnike etj.

Këtë ide të francezëve e përkrahnin shumica e ambasadorëve (me në krye përfaqësuesin e Turqisë) por u kundërshtua nga SHBA dhe Britania.

A ka hyrë ky propozim francez në agjendën zyrtare, pra a është ngritur kjo si propozim zyrtar në ndonjë mbledhje, i mbetet historianëve ose gazetarëve hulumtues që ta zbërthejnë por sidoqoftë, një veprim i administratës amerikane në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe një përfaqësues të UÇK e bëri të panevojshëm një intervenim të këtillë.

Amerikanët të përkrahur nga britanikët propozuan që të verifikohen ato qe pohojnë burimet franceze. Pra, të verifikohet se a ka me të vërtetë baza të UÇK në Shqipërinë Veriore dhe a shërben territori i Shqipërisë si platformë për operacionet e UÇK.

Sidoqoftë, Konvoji i ushtarakëve dhe zbuluesve kryesisht amerikanë zbarkoi në Shqipëri. Të shoqëruar nga drejtori i atëhershëm i SHIK të Shqipërisë dhe me involvimin e përfaqësuesit të UÇK (nuk po i përmendim emrin, i mbetet atij të thotë nëse e sheh të udhës) u verifikua gjendja në terren.

Ushtarakët e kontrolluan Veriun, biseduan me kënd duhej biseduar dhe përpiluan raportin për prezencën e rebelëve kosovarë në Shqipëri.

Raporti (i cili ende ekziston natyrisht) përfundon se në Shqipëri nuk ka formacione të organizuara të rebelëve, nuk ka baza ushtarake të UÇK dhe nuk ka kontrabandim në shkallës së madhe të armatimit në drejtim të Kosovës.

Si rrjedhojë, ideja për dërgimi e forcave të NATO’së në Veri të Shqipërisë ra nga rendi i ditës dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Por tani shtrohet pyetja se çka do të ndodhte poqëse në verë të vitit 1998 NATO të vendosej në Shqipërinë Veriore?

Nuk do mend se historia do të kishte marrë kahe tjetër sepse në vend të aleatit, NATO do të ishte kundërshtar i UÇK dhe Kosova shumë lehtë do të mund të përjetonte fatin e Bosnjës: konflikti i gjatë rraskapitës ku humbësi ndoshta nuk do të ishte Millosheviqi. Ju kujtohet Bosnja? Ju kujtohet ardhja e Fransoa Miteran në Aeroportin e Sarajevës në 1992 dhe si rrjedhojë dërgimi i forcave të OKB për të “parandaluar katastrofën humanitare”.

Prill-maj 1999

Plani “B”

NATO ishte në vrullin e bombardimeve të caqeve serbe në Kosovë dhe në vet Serbi. Numri i refugjatëve që ishin duke u larguar nga Kosova i afrohej numrit të pesëqind mijë dhe ishte në rritje. Parashikimet ishin se numri prej 1 milion refugjatëve do te arrihej brenda një muaji.

Bombardimet nuk ishin aq efektive sa ishte parashikuar. Serbët nuk bëjnë rezistencë, ata thjesht fshihen dhe përpiqen që të shpëtojnë sa është e mundur më tepër teknikë ushtarake. Forcat serbe, aktivitetin e tyre më tepër e kanë përqendruar në pastrimin e Kosovës nga banorët shqiptarë se në ofrimin e çfarëdo rezistence ndaj forcave të NATO’s. Mirëpo, në gjithë iracionalitetin e një veprimi siç është pastrimi etnik vërehet një model dhe shenja që pastrimi nuk është veprim i improvizuar i udhëhequr nga urrejtja ose ndonjë rezon ushtarak.

I gjithë aktiviteti është i organizuar mirë dhe i udhëhequr mirë. Civilët nga zona të caktuara drejtohen në drejtim të caktuar duke shfrytëzuar rrugë dhe drejtime të parapërcaktuara. Disa zona nuk “pastrohen” të tjera “pastrohen” dhe pastaj çdo gjë digjet, plaçkitet dhe shkatërrohet. Në disa të tjera, largohen banorët por nuk preken pronat. Në të gjithë këtë çmenduri ka një sistem dhe ka kronologji. Si enigmë e fundit mbetet shkatërrimi i dokumenteve personale të atyre që dalin jashtë kufijve të Kosovës. Atyre që largohen në drejtim të Maqedonisë nuk u preken dokumentet personale ndërsa atyre që dalin në Shqipëri u shkatërrohen të gjitha, madje edhe dokumentet e automjeteve. Përse?

Pasqyra e pastrimit dhe shkatërrimit në Kosovë në fund të prillit përafërsisht duket kështu Kosova Qendrore, Drenica dhe Kosova Perëndimore të pastërura dhe të djegura në shkallën 75%. Qytetet si Peja dhe Gjakova të djegur banorët e këtyre regjioneve të larguar në drejtim të Shqipërisë dhe të gjitha dokumentet u konfiskohen dhe shkatërrohen. Mitrovica gjithashtu. Përkundër afërsisë së kufirit malazez, forcat serbe bëjnë çmos që pjesa më e madhe të drejtohen në drejtim të Shqipërisë, por qyteti nuk shkatërrohet në masë të madhe.

Kosova Lindore nuk preket. Gjilani dhe Kamenica nuk ka aktivitete të përzënies me dhunë.

Kosova Qendrore, banorët largohen me dhunë në drejtim të Maqedonisë por qytetet nuk digjen dhe të larguarve nuk ju konfiskohen dokumentet. Ferizaj nuk shkatërrohet në mënyrë sistematike.

Në Prishtinë, pastrimet janë sporadike dhe të organizuara lagje pas lagje por nuk ka shkatërrime. Qendra e qytetit nuk preket.

Punët për NATO nuk po shkojnë si duhet. Intervenimi tokësor tani gjithnjë e më tepër imponohet si zgjidhja e paevitueshme. Britania shpall mobilizimin. Konflikti gjithnjë e më tepër po shkon në kahe të luftës së nervave, kush do të lodhet? Armiku më i madh i NATO janë kolonat e refugjatëve nëpër ekranet televizive. Përse intervenim për të penguar katastrofën humanitare kur vet intervenimi po prodhon katastrofë humanitare. Kështu komentonin disa komentatorë dhe politikanë botërorë me në krye lidershipin e Rusisë.

UÇK në anën tjetër kërkon më tepër goditje kundër njësive të pozicionuara në Kosovë.

“Goditni ju nga ajri dhe ne e kryejmë punën për toke”, ishte arsyetimi i komandantëve të UÇK.

Ne nuk jemi forcat ajrore të UÇK por NATO përgjigjeshin komandantët e NATO.

Nervat dhe durimi kanë filluar të thellohen në taborin anti-serb.

Por, çka dëshoron Millosheviqi? Deri në çfarë mase mund të durojë shkatërrimin e vendit të tij në njërën anë dhe këto veprimet sistematike të organizuara mirë të pastrimeve dhe shkatërrimeve të qëllimshme në anën tjetër. Nëse aq shumë e dashka Kosovën që ta mbajë në kuadër të Serbisë atëherë përse e djeg? Çfarë logjike ka të djegësh dhe të shkatërrosh diçka që nesër duhet ta rindërtosh? Këto ishin dilemat që i mundonin analistët e NATO’s dhe të shërbimeve të tjera të specializuara në maj të vitit 1999 kur përnjëherësh filluan të arrijnë raporte të cilat jepnin shpjegim logjik për të gjitha këto që po ndodhnin në Kosovë dhe përreth.

Së pari, lideri politik i shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugova në mënyrë të pashpjeguar dhe në rrethana misterioze përfundoi në zyrën e Millosheviqit duke kërkuar përfundim të bombardimeve dhe pastaj shëndosh e mirë përfundoi në Itali së bashku me familjen e tij.

Pastaj, Presidenti italian gjatë një vizite në Shqipëri prej Presidentit të Shqipërisë gjithashtu kërkon që ky të bëjë thirrje për përfundimin e bombardimeve (Presidenti i Shqipërisë i përgjigjet se do ta veshë uniformën nëse ndodh kjo).

Mirëpo, shtjellimi përfundimtar i misterit erdhi nga Maqedonia. Atje, adjutanti i Ibrahim Rugovës ka kërkuar prej Qeverisë së Maqedonisë që t’i lejojë aktivistët e partisë së tij, LDK, që në mënyrë të organizuar të veprojnë nëpër kampet e refugjatëve për t’i bindur njerëzit që pa pyetur kënd “spontanisht” në kolona të kthehen në Kosovë.

Përveç kësaj, adjutanti ka filluar të kontaktojë njerëz të caktuar, njerëz me autoritet nga radhët e kosovarëve që të kthehen në Kosovë dhe të bëhen pjesë e Qeverisë së Përkohshme që do të instalohej me garancitë e S. Millosheviqit dhe nën udhëheqjen e I. Rugovës. I pari që ka refuzuar propozimin dhe njeriu që ishte paraparë të jetë Kryeministër në këtë qeveri është likuiduar nga një grup i specializuar i serbëve.

Me të mësuar këtë Komandanti i NATO’s, Kllark ka komentuar: me kolona refugjatësh nëpër rrugë nuk ka më bombardime”.

Reagimi i diplomacisë perëndimore ishte i shpejtë por edhe liderët shqiptarë të Maqedonisë që ishin në koalicion u pozicionuan shumë qartë.

Nëse Qeveria e Maqedonisë lejon një gjë të këtillë, ky do të jetë fundi i koalicionit dhe fundi i qeverisë së Kryeminstrit të atëhershëm. (Partner në koalicion në atë kohë ishte PDSH me në krye Arbën Xhaferin).

Perëndimorët në anën tjetër shumfishuan numrin e fluturimeve me të cilat evakuoheshin refugjatët nga Maqedonia ne drejtim të perëndimit.

Pra kthim “spontan” në kolona nuk kishte, bombardimet nuk u ndërprenë dhe në Prishtinë nuk u instalua Qeveria e Përkohshme multietnike, të tjerat i dimë.

Por përse, çfarë lidhje kanë pastrimet e organizuara, shkatërrimet dhe në veçanti shkatërrimi i dokumenteve të refugjatëve të cilët largoheshin në drejtim të Shqipërisë, Qeveria e Përkohshme dhe ndërprerja e bombardimeve?

Sipas të dhënave të konfirmuara kanë lidhe dhe përbëjnë Planin B të Millosheviqit sipas të cilit në momentin kur numri i refugjatëve të arrinte shifrën 1 milion, bombardimet do të ndërpriteshin.

Ai do të lejonte kthimin e menjëhershëm të refugjatëve të cilët ishin strehuar në Maqedoni ndërsa për këta që ishin larguar drejt Shqipërisë do të ishte vendosur një “sistem i verifikimit” që do të thotë asnjëherë për kthimin e tyre. Pra, banorët e Drenicës, Dukagjinit dhe Mitrovicës përgjithmonë do të mbeteshin jashtë Kosovës. (Në kushte të vendbanimeve të shkatërruara dhe nën sovranitetin serb edhe po t’i kishin dokumentet nuk do të ishin kthyer).

Më tutje sipas Planit B, në momentin e ndërprerjes së bombardimeve dhe fillimit të Rambuje 3 në Kosovë do të hynin 200 deri në 300 mijë refugjatë serbë nga Krajina e Kroacisë dhe do të vendoseshin në pjesët prej të cilave përfundimisht ishin përzënë shqiptarët.

Millosheviqi ka qenë i gatshëm që në këto kushte të pranojë madje edhe ka dëshiruar një prezencë ushtarake nën flamurin e OKB’së, që sipas planit të tij, do ta kishin mbajtur paqen dhe do ta kishin betonuar gjendjen e krijuar si në Bosnjë, me pastrim etnik de fakto dhe të legjitimuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Pra pjesa më e madhe e Rrafshit të Dukagjinit, Mitrovica dhe ajo që është në mes do të ishin me popullsi shumicë serbe (lexo manastiret dhe minierat), ndërsa pjesa tjetër dhe Prishtina do të mund edhe të shpallnin pavarësi së bashku me Qeverinë e krijuar në marrëveshjen e tij dhe I. Rugovës.

Nuk ndodhi kështu për shkak se dy njerëz, Vesli Kllark dhe Toni Bler nuk pranuan që Millosheviqi edhe njëherë të përdorë bashkësinë ndërkombëtare për fëlliqësirat e tij dhe për shkak se liderët shqiptarë të Maqedonisë të asaj kohe dhe ata të Shqipërisë vendosën interesat e përgjithshëm para interesave të tyre personale.

Nuk besoni?

Pyetni përreth, shumë prej akterëve janë ende gjallë.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *