Home / Lajme / Maqedoni / Fyle kërkon rezultate nga Shkupi

Fyle kërkon rezultate nga Shkupi

23 janar-“Në këtë takim është përmendur edhe marrëveshja e arritur për ndryshimet e Kodit zgjedhor, e miratuar me konsensus nga partitë më të mëdha politike. Më pas, është folur edhe për ndryshimet në Ligjin për mediat dhe vazhdimin e dialogut me gazetarët, si dhe ndryshimet në ligjet për administratën publike. Temë e bisedimeve ishin edhe prioritetet, si dhe dinamika për vazhdimin me dialogun inkuadrues të nivelit të lartë”, deklaroi zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi.

Komisioni Evropian kërkon rezultate nga autoritetet në Shkup për reformat, kodin zgjedhor, gjyqësorin dhe lirinë e medias.

Kjo kërkesë dje është parashtruar nga evrokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle në takimin e zhvilluar në zyrën e tij në Bruksel me zëvendëskryeministrin për evrointegrime të Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe ministrin e jashtëm, Nikolla Popovski.
Zyra e evrokomisionerit Fyle pas takimit përmes një komunikate ka bërë të ditur se në qendër të bisedës ka qenë zbatimi i marrëveshjes politike të vitit të kaluar midis partive politike për përforcimin e dialogut politik dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe tensioneve politike, zbatimi i reformave prioritare sidomos në fushën e lirisë së medias, pavarsisë së gjyqësorit dhe kodit zgjedhor.

“Fyle dhe dy ministrat janë dakorduar për të vazhduar diskutimet për forcimin e dialogut paraqasës të nivelit të lartë, para shpalljes së raportit të ardhshëm për vlerësimin e përparimit, me qëllim që vendi të ecë drejt rrugës së integrimeve në BE”, thuhet në komunikatën e kabinetit të evrokomisionerit Fyle.

Zëvendëskryeministrit Besimi tha se në Bruksel dhe në takimin me Fyle kanë biseduar për arritjet e deritanishme që janë bërë nga autoritetet e Shkupit në planin e evrointegrimeve, por edhe plotësimi i rekomandimeve të bëra nga BE.

“Në këtë takim është përmendur edhe marrëveshja e arritur për ndryshimet e Kodit zgjedhor, e miratuar me konsensus nga partitë më të mëdha politike. Më pas, është folur edhe për ndryshimet në Ligjin për mediat dhe vazhdimin e dialogut me gazetarët, si dhe ndryshimet në ligjet për administratën publike. Temë e bisedimeve ishin edhe prioritetet, si dhe dinamika për vazhdimin me dialogun inkuadrues të nivelit të lartë”, deklaroi zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski tha se temat e diskutuara kanë qenë edhe për ate se çfarë duhet bërë në periudhën e ardhshme dhe si të shfrytëzohet sa më mirë periudha deri në raportin e ardhshëm të progresit.

“Qëllimi është që në mënyrë sa më të fokusuar dhe më përmbajtjesore ta shfrytëzojmë këtë periudhë, si sikur do të ishim në fazën e negociatave. Mendoj se ky diskutim ishte i dobishëm që t’i shohim perspektivat e të gjithëve në lidhje me ato reforma të cilat janë të rëndësishme në procesin e negociatave”, theksoi ministri Poposki.

Dy ministrat janë takuar edhe me drejtorin e Drejtorisë për zgjerim të BE-së, Kristian Danielson dhe me raportuesin për Maqedoninë të Parlamentit Evropian, Riçard Hovit. Sipas tyre edhe në këto takime janë diskutuar temat e njejta që kanë të bëjnë me plotësimin e detyrimeve për anëtarësim dhe reformat. (INA)

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *