Home / Sport / Jetmir Bexheti: “Shkëndija kërkon rezultate të larta”

Jetmir Bexheti: “Shkëndija kërkon rezultate të larta”

Në periudhën që lëmë pas ndërmjet ndrimit të viteve dhe kur futbollistët ishin në pushim dimëror, drejtuesit e Shkëndijës kanë bërë punë të madhe dhe të lodhshme. Pasi kanë kompletuar ekipin me përforcime të reja dhe dërguan ekipin në përgatitje në Ohër, për mediat ka folur numri një i skuadrës ‘kuqezi’, Jetmir Bexheti. Presidenti i Shkëndijës vlerëson maksimalisht punën e bërë periudhën që lëmë pas, ndërsa duke analizuar situatën aktuale në klub shprehet optimist për të ardhmen.

Z. Bexheti, si e vlerësoni periudhën e kaluar dhe merkaton që arriti Shkëndija të bëj?

Jetmir Bexheti: “Periudha e kaluar ka qenë mjaft e vështirë dhe intenzive për ne. Pas një analize të mirëfilltë të gjysmëstinorit të parë, u desh të meren disa vendime të dhimbshme për disa futbollistë dhe anëtarë të klubit. Të gjithë e kishim të qartë se duhet të bëhen ndryshime rrënjësore përbrenda kuadrit të futbollistëve. Kishte një dis’harmoni të madhe në moshë dhe kualitet, një numër të caktuar të lojtarëve të rinjë me perspektivë, por pa përvojë dhe një numër të caktuar të lojtarëve me përvojë por edhe me moshë mjaft të shtyrë. Ky fakt bashkë me lëndimet e futbollistëve ishin një ndër arsyet kryesore për oscilacionet e mëdha të ekipit gjatë kampionatit. Prandaj u desh që në fund edhe të ndahemi prej atyre lojtarëve të cilët nuk arritën të përmbushin kërkesat e stafit teknik dhe drejtorit sportiv. Mendoj se menaxhmenti ynë në krye me Arbër Shaqirin kanë kryer një punë mjaft të mirë, kanë arritur të konsolidojnë kuadrin dhe tani kemi mjaft kualitet përbrenda ekipit, harmoni mjaft të mirë në moshë dhe kualitet që do të krijojë një konkurencë mjaft të madhe dhe të shëndoshë përbrenda vetë futbollistëve. Tani më kemi arritur në atë shkallë ku asnjëri prej futbollistëve nuk është i sigurtë si titular. Potencoj, asnjëri !Në Shkëndijë kanë ardhur futbollistë shumë cilësorë, lojtarë të rinjë me një perspektivë të madhe zhvilluese, por edhe futbollistë të kualitetit të madh me eksperiencë evropiane, të cilët do të jenë bartës të kampionatit dhe shtylla kryesore e ekipit tonë. Janë emra për të cilët as që mund të paramendohej deri para një kohe të shkurtë se si destinacion të ardhshëm do të mund të zgjedhin kampionatin e Maqedonisë dhe vetë skuadrën e Shkëndijës. Miliev dhe Vruçina, përkundër ofertave konkrete nga klube të ndryshme evropiane, vendosën të vijnë te ne, Junior, Simijonoviç, Nuri Mustafi, Fazliju, Huseini, Demiri,….. Por edhe disa lojtarë të rinjë dhe cilësorë prej të cilëve presim një zhvillim mjaft të mirë muajt e ardhshëm. Ata tani më do të kenë nga kush të mësojnë, në qetësi dhe pa presion. Unë jam i bindur se përkundër emrave të lartpërmedur, do të kemi ndonjë befasi mjaft të këndshme pikërisht prej këtyre futbollistëve të rrinjë. Dhe në esencë, ky është edhe qëllimi ynë”.

A mendoni të ofroni ende emra në skuadër, apo ndoshta do të ketë largime?

Jetmir Bexheti: “Vetë mënyra se si filluam dhe rrjedha e kampionatit vjeshtor na detyroi në dimër të kemi ndryshime graduale, në çdo pjesë të ekipit, madje edhe në vetë menaxhmentin e saj. Tani më kemi kompletuar një pjesë të madhe të të gjithë kuadrove përbrenda vetë klubit, por kemi nevojë edhe për kuadro tjera kualitative, në radhë të parë në menaxhment, ekipin mjekësor, shkollën e grupmoshave, e kështu me rradhë. Shkëndija bëhet një brend mjaft i lartë, i dëshiruar dhe gjithmonë në zhvillim, por edhe këtu nuk do të shpejtojmë. Do të përzgjedhim me pëkushtim më të mirët, ashtu si i ka hije Shkëndijës tonë, me një ‘Ecolog’ dhe familjen Destani si mbështetës të fuqishëm nga pas.Me plotë bindje mund të potencoj se kuadri ynë tani më është kompletuar me futbollistët e lartëpërmendur, por edhe me disa të tjerë si Pollozhani, Cuculi, Selmani, Nexhipi, Jovanovski, Belica, Bejtullahu, Shabani, si dhe gjithë ata futbollistë të rinjë me perspektivë dhe një potencial mjaft të madh, mendojmë se do të mjaftojnë për sezonin pranveror. Pasi të kthehemi prej fazës së parë përgaditore në fund të janarit, do të bëhet përzgjedhja finale e kuadrit të futbollistëve që do të jenë pjesë e ekipit të parë në sezonin pranveror. Ne kemi besim të plotë në këtë fond futbollistësh dhe tani e tutje stafi teknik duhet të përkujdeset maksimalisht për një përgaditje të lartë fizike, teknik dhe taktike. Kur flasim për ardhje të reja dhe kualitative nuk duhet të harojmë pikërisht edhe stafin teknik. Kemi kryetrajnerin tonë, Shpëtim Duron, një strateg i lojës së futbollit, menjë eksperiencë të madhe dhe karrierë mjaft të suksesshme. Ndihnës trajnerin Jeton Beqirin, një teknik i ri, me një perspektivë të shkëlqyeshme si trajner, i cili përkundër moshës së re, madje posedon eksperincë si kryetrajner në skuadra në Ligën e Parë dhe të Dytë. Në fund të përmendi edhe trajnerin e ri kondicional, Metin Dalip. Me plotë mburje mund të them se me të në stafin teknik kemi një korife në këtë lëmi. Si që mund të shihet, kemi grumbulluar kuadër të kualitetit të lartë në çdo aspekt, duke filluar prej fondit të futbollistëve, deri të stafi teknik.E gjithë energjia e menaxhmentit dhe kryesisë së KF Shkëndija tani do të koncentrohet edhe më shumë në gjetjen e zgjedhjes adekaute sa i përket zhvillimit të infrastrukturës së klubit. Ka lëvizje mjaftë pozitive në këtë drejtim dhe besojme shumë shpejtë do të dalim edhe me plane konkrete. Një gjë duhet të gjithë ta kemi të qartë, pa një infrastrukturë të mirë dhe të shëndoshë, nuk do të kemi sukses në aspektin afatgjatë, nuk do të mund të zhvillojmë Akademinë e Futbollit për të cilën ne që në fillim u përcaktuam, por edhe do ta kemi shumë të vështirë të bindim futbollistë të formatit ndërkombëtarë të bëhen pjesë e Shkëndijës. Një pamje aktuale e tereneve për ushtrime, por edhe stadiumit të qytetit mjafton dhe nuk kërkon koment shtesë. Pritjet në këtë drejtim nuk duhet të drejtohen vetëm kah sponzori ynë gjeneral ‘Ecologu’, që deri tani ka kryer një punë shumë të mirë në vënien e bazës së shëndoshë përbrenda klubit, por edhe nga vetë pushteti lokal, si dhe drejtuesit aktual të FFM-së. Shumë gjëra nuk janë në dorën tonë dhe nuk do të ishte korekte të pritet aq shumë vetëm prej ‘Ecolog-‘ut”.

Keni qenë ekipi më aktiv në merkato, duke ofruar emra kualitativ. Cilat janë ambiciet e ekipit në pranverë?

Jetmir Bexheti: “Pas gjithë këtyre ndryshimeve, obsion tjeter nuk ka dhe nuk do të tolerohet përveç suksesit maksimal. Tani e tutje filozofia e Shkëndijes do të jetë të hymë në çdo lojë me një obsion të vetëm, fitore. Kjo është ajo çka do të kërkohet përbrenda vetë ekipit. Profesionalitet në shkallën më të lartë të mundshme konform kushteve të ofruara, të ndryshohet filozofia e lojës, të zhvillohet një frymë fitimtari te të gjithë. Për atë edhe gjithë ato blerje dhe angazhime të lojtarëve kualitativ dhe me format ndërkombëtar. Por presim edhe nga tifozët tanë një mbështetje maksimale dhe dinjitoze, tribuna të mbushura përplotë me ‘Ballistë’ dhe simpatizues të Shkëndijës. Të gjithë dëshirat u’a kemi plotësuar, tani edhe ata e kanë rradhën të mbushin tribunat tona dhe të tregojne se jo rastësisht llogariten si tifozët më të mirë që mund të dëshirojë një klub. Unë jam i sigurtë në këtë dhe pres që stadium të jetë përplot që në ndeshjen e parë më 2 mars, por edhe në ndeshjet tjera të rradhës.- Kur them sukses maksimal, në rradhë shpreh dëshirën dhe obsionin e vetëm, atë të fitores. Ku do të na dërgojë kjo në fund të kampionatit do të shohim?! Kemi vetëm 13-të ndeshje për të zhvilluar. Edhe ekipet tjera nuk kanë fjetur gjatë dimrit, edhe ata do të përforcohen dhe përgaditen mirë, në radhë të parë Rabotniçki, Vardari, Metalurgu, Horizont Turnova,…. Kjo nuk na frikëson aspak, përkundrazi na gëzon edhe neve pasi në këtë mënyrë do të ngritet niveli i futbollit në Maqedoni, do të ketë ndeshje atraktive të cilat do të kënaqin tifozët dhe do të shtojnë atraktivitetin e futbollit në Maqedoni. Prandaj, edhe unë si gjithë tifozët dhe futbolldashësit tjerë tani më me padurim pres fillimin e Kampionatit.- Në fund dua të falemenderoj sponzorin tonë të përgjithshëm, kompaninë ‘Ecolog’ dhe zotëri Lazim Destanin përmbështetjen e tyre të parezervë dhe besimin e shprehur përkundër një gjysmësezoni mjaft të vështirë. Mendoj se ka ardhur koha që t’ua shpëblejmë këtë besim dhe mbështetje me suksese aq shumë të dëshiruara nga të gjithë.”

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *