Home / Lajme / Maqedoni / Menduh Thaci: Intervista ne News 24

Menduh Thaci: Intervista ne News 24

29 Janar – Menduh Thaçi: Ali Ahmeti më tha që presidenti konsensual të jetë maqedonas.

Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi deklaron se çështja e devijimit të Radika është më e rëndë nga sa duket. Në një intervistë në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në “News24”, Menduh Thaçi tha se qeveria shqiptare nuk ka asnjë dokument zyrtar për këtë çështje, pasi sipas tij, është gënjyer nga BDI-ja.

Eni Vasili: Në fakt kohët e fundit emri juaj është përmendur shumë mediatikisht dhe politikisht në Tiranë pas deklaratave tuaja të pakënaqësisë ta quajmë kështu që nuk ishin ftuar përfaqësuesit e Maqedonisë në takimin e qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës më 11 janar në Prizren. Pse ai reagim?

M.Thaçi: Faleminderit që më jepni mundësinë të sqarohem edhe për keqkuptimet e mundshme të asaj deklarate me rastin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë. Të kuptohemi unë flas për atë pjesë të cilën më takon mua. Unë jam përfaqësues i shqiptarëve në Maqedoni duhet të flas dhe të tregoj pakënaqësinë e tyre. Nuk flas dhe nuk kam ndërmend ta bëj për punët e qeverisë së Shqipërisë apo të Kosovës se ata janë të mandatuar nga qytetarët e tyre, kanë një formë të veprimit institucional, kanë opozitën e vetë, e kështu me radhë. Ndoshta dikush kishte dëshirë që ti ngatërronte këto çështje se unë jam kritik me qeverinë shqiptare dhe atë të Kosovës. Nuk është e vërtetë. Jam kritik në kuptimin që në atë mbledhje u krijua një ambient, aty flitej për interesat e të gjithë shqiptarëve dhe në asnjë moment nuk u përmendën shqiptarët e Maqedonisë. Nuk dua ti dalloj prej shqiptarëve të Preshevës dhe të Malit të Zi, nuk dua të keqkuptohem kur flas për numra. Ka shqiptarë, janë shumë të rëndësishëm edhe në Preshevë dhe në Mal të Zi dhe në vende të tjera, por shqiptarët e Maqedonisë dallojnë për shkak se ata janë kapacitet kombëtar, një numër prej afërsisht një milion njerëz janë kapacitet gjithëkombëtar duke filluar nga aspektet ekonomike dhe gjithë të tjerat. Sigurisht që kjo pakënaqësi apo këto deklarata tregojnë se dhe përkujdesja ndaj nesh duhet të jetë shumë e madhe. Kushtetuta e Shqipërisë parasheh këtë përkujdesje të shtetit shqiptar dhe të qeverisë dhe në anën tjetër kjo çështje dhe mund të “keqpërdoret” nga ana e qeverisë shqiptare. Loja me garantimin e stabilitetit që bën Serbia në provokimet e herëpashershme në Kosovë, mendoj se dhe pa meritë ja siguroj datën e hapjes së nisjes së bisedimeve me KE-në, ndërsa stabiliteti prapë po them i “tepruar” i qasjes se qeverisë së Shqipërisë nuk e dha efektin në marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithë BE dhe strukturat ndërkombëtare e kanë të qartë se roli i qeverisë shqiptare dhe i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në stabilitetin në rajon, me qindra dhe mijëra ndoshta miliona herë më i rëndësishëm se roli i Serbisë.

E.Vasili: Në fakt Serbia gjithmonë e më tepër merr produkt pozitiv….

M.Thaçi: Po, por për mendimin tim pa merita. Nëse Serbia ka 50 mijë apo 60 mijë serbë në Kosovë që thotë se u kanë të shkelur të drejtat, Shqipëria ka një milion arsye që të flasë për një milion shqiptarë që i ka jashtë shtetit të vetë dhe që nuk arrijnë që të realizojnë të drejtat.

E.Vasili: Në fakt Kryeministri Thaçi është shprehur i hapur për një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë

M.Thaçi: Kur flas këtu, nuk flas për politikat e qeverisë së Maqedonisë. Kjo sipas meje do të ishte edhe një gabim, legalizim i politikës të kësaj qeverie të Maqedonisë që nuk ka dilema. Që tashmë është vërtetuar që është politikë anti-NATO dhe anti-BE. Politika nacionaliste që çon qeveria e Maqedonisë pavarësisht se aty ka ca shqiptarë është politikë e cila merr përgjigje negative çdo ditë qoftë nga Brukseli, qoftë nga Uashingtoni. Unë seriozisht mendoj se nuk duhet të dukemi aq altruistë të mëdhenj se kjo keqpërdoret. Ne vazhdojmë të jemi pjesa e një populli që vazhdojnë ti shkelen të drejtat në të gjitha aspektet, qoftë kolektive, të drejtat politike por edhe ekonomike. Aktrimi i stabilitetit të tepruar nuk jep efekt.

E.Vasili: Do të shkoni nëse ftoheni në mbledhjen e dytë që do të mbahet në Vlorë?

M.Thaçi: Padyshim unë i respektoj institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës, i respektoj edhe të dy kryeministrat, ata janë të zgjedhur dhe të mandatuar, por kërkoj mirëkuptim për qëndrimet e mia dhe ata duhet ti respektojnë qëndrimet e mia për shkak se dhe unë jam i mandatuar dhe i zgjedhur, ndoshta jo prej një milionë votuesve po prej qindra mijëra që të flas për interesin e tyre. Fundi i fundit nuk shoh kurrfarë hapësire këtu, nevoje që dikush të preket qoftë edhe kryeministri i Shqipërisë. Është ai fenomeni thotë populli jonë edhe fëmija po nuk qau, nuk e trajton nëna. Dhe ne nuk jemi mirë, jemi shumë keq, ne shqiptarët e Maqedonisë,por në asnjë moment nuk më shkon ndërmend që të vendos në një pozitë të palakmueshme qeverinë e Shqipërisë që të na kontribuojë drejt realizimit të të drejtave, ne duhet ti bëjmë punët vetë. Mirëpo në asnjë moment nuk është mirë që të legjitimohet dhe të legalizohet politika e qeverisë së Maqedonisë së paku nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë. Në anën tjetër qasjen ndaj qeverisë së Kosovës e kam pak më ndryshe për shkak se përveçse jemi të gjithë shqiptarë, Kosova dhe Maqedonia kanë lidhje familjare shumë të afërta, gati se mbi gjysma jemi nipa dhe dajë. Dhe unë nuk pajtohem me qasjet që të harrohet shpejt viti ‘98 dhe ‘99, kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Maqedonisë, të them partia që unë drejtoj duke filluar me 500 mijë kosovarë që kanë qenë çdo moment pranë ndihmës sonë për bukë dhe qumësht apo dhe për zëra të tjerë. Dhe një sjellje kaq komode tani se shqiptarët e Maqedonisë qenkan në lule të parajsës është e patolerueshme. Jam plotësisht i vetëdijshëm se me këto deklarata mund ti shkaktoj telashe vetes megjithatë do më lejoni të konstatoj se unë jam i detyruar të them të vërtetën se ne jemi më keq se çkemi qenë nën Jugosllavi.

E.Vasili: Pse jeni më keq

M.Thaçi: Së pari sepse ekonomikisht jemi shumë keq. Para 20 vjetësh shqiptarët kanë qenë të zhvilluar ekonomikisht, tani e gjithë ajo ekonomi është rrënuar. Të gjithë ata biznesmenë shqiptarë që kanë qenë të fuqishëm milionerë para 20 vjetësh, tani janë në greminë. Jo rastësisht, ka pasur program që të na dëmtojë në aspektin ekonomik. Të gjitha çështjet e tjera qoftë gjuha,ndarja e buxhetit etj nuk janë të realizuara.

E.Vasili: A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoni? Juve jeni pro mbajtjes së tyre?

M.Thaçi: Kjo varet prej atyre që përbëjnë qeverinë se ata kanë votat për të shpallur zgjedhje të parakohshme. Normalisht unë si drejtues i opozitës shqiptare nëse partia shqiptare që është në pushtet do zgjedhje edhe unë jam pro, por nuk jam pro prapaskenave të ndryshme që të merrem vesh më dikë që ti ndihmoj dhe ti kontribuoj për të shpallur zgjedhje të parakohshme. Si duket qeveria ka zgjedhur mënyrën e një konflikti virtual mes njëri-tjetrit për të fituar rating politik dhe për të shpallur zgjedhjet e parakohshme. Unë sinqerisht mendoj se çështja kryesore që duhet të jetë në rend ditë të qeverisë dhe politikës në Maqedoni është çështja e zhbllokimit integrues. Nëse ky proces nuk zhbllokohet atëherë vështirë se do të arrihet të zhvillohen situata normale edhe pas këtyre zgjedhjeve. Besoj në bazë të asaj që ndjek dhe shikoj se ata tashmë janë marrë vesh që zgjedhjet presidenciale që i kemi të rregullta do i mbajmë bashkë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por nuk zgjidhet gjë përsa kohë nuk zhbllokohet procesi integrues, d.m.th nuk merret vesh me Greqinë për çështjen e emrit.

E.Vasili: Megjithatë duket se të gjitha partitë parlamentare në Maqedoni janë pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme?

M.Thaçi: Për shkak se kur qeveria thotë do bëjmë zgjedhje të parakohshme ju si opozitë nëse thoni “JO” tregoni frikë, tregoni se nuk jeni gati,pozita nuk është për zgjedhje, qeveria është që për atë mandat që ka fituar të zgjidhë problemet të zgjidhë çështjet të cilat ka premtuar. Kjo partia shqiptare që është në pushtet ka 6 vjet që ka premtuar se ajo do zhbllokoj procesin integrues. Lideri i asaj partie 6 muajt e fundit ka pasur një turne të “fuqishëm” diplomatik dhe çdo herë që vinte në Shkup na thoshte duhen edhe disa ditë,dhe disa javë që ky proces të zhbllokohet. Po kjo nuk ndodhi dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Megjithatë ata synojnë më tepër ratingun që ti fitojnë dhe njëherë zgjedhjet, por të fitojnë edhe njëherë zgjedhjet nuk do të zgjidhet problemi kryesor, çështja e integrimit për Maqedoninë është me mijëra herë më e rëndësishme se pushtete të tjera për shkak se rruga e integrimit nëse është korrekte e drejtë dhe e hapur Maqedonisë i garanton stabilitet i plotë. Maqedonia është i vetmi shtet ne Ballkan qe ka një popull brenda tij që është mbi 35%. Shtetet e tjera mund ti quajmë nacionale, por Maqedonia ka telashin e madh të raporteve ndëretnike të dy popujve më të mëdhenj që mundohen të ngrenë këtë shtet.

E. Vasili: Nuk ndjeni se mund të fitoni në këto zgjedhje të parakohshme?

M.Thaçi: Besoj se po, po jam i kujdesshëm se nuk dua të krijoj përshtypje se jemi të interesuar që ti fitojmë zgjedhjet për shkak të pushtetit. Sinqerisht, mendoj se po për shkak se oponentët tanë nuk kanë asnjë sukses brenda këtyre 11 viteve në pushtet. Nëse unë ju them që nënkryetarja e parlamentit e ka të ndaluar të drejtoj seancën në gjuhën shqipe të tjerat vetvetiu flasin. Po në hasim në telashe të ndryshme të manipulimit zgjedhor që vijnë nga ana e qeveritarëve qofshin maqedonas apo shqiptarë, nga një sistem tërësisht i kontrolluar i mediave, me një represion të pakuptimtë, dhe nga krijimi i një mekanizmi të varfërimit të pjesës më të madhe të popullit dhe blerjes së votës me 10 euro ditën e zgjedhjeve. Ky është armiku kryesor i pamundësisë për fitoren e zgjedhjeve nga ana e PDSH-së, jo diçka tjetër.

E.Vasili: Pra nëse mbahen këto zgjedhje do të mbahen bashkë me ato presidenciale më 13 prill? Cila është situata? Do të ndikojnë tek njëra-tjetra?

M.Thaçi: Po synohet të mbahen në të njëjtën kohë, dhe sigurisht që do ndikojnë tek njëra- tjetra, për shkak se zgjedhjet parlamentare janë vetëm me një raund ndërsa për zgjedhjet presidenciale ka dhe balotazh. Sa i përket zgjedhjeve presidenciale nuk kemi interes si parti për shkak se është një betejë e kotë, nuk fiton kandidat shqiptar. Kështu që njëherë për njëherë nuk kemi interes të marrim pjesë në këto zgjedhje.

E.Vasili: Pra ju nuk do të keni kandidat?

M.Thaçi: Nuk e besoj, nëse mbahen vetëm pa zgjedhjet parlamentare, nëse bëhen bashkë atëherë situata mund të ndryshojë

E.Vasili: Si ndryshon atëherë do të keni ju një kandidat?

M.Thaçi: Mundet për shkak se në atë rast ai kandidat është simbolik e mbartjes së fushatës,ndërsa vetëm për zgjedhjet presidenciale nuk jemi të interesuar.

E.Vasili: Atëherë keni një arsye më shumë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme apo jo?

M.Thaçi: Unë jam shumë i kujdesshëm, se ka shumë shpifje se jo ne i mbështesim zgjedhjet e parakohshme për shkak se e mbështesim qeverinë e Gruevskit të shkojë në zgjedhjet e parakohshme dhe pastaj në bëhemi pjesë e qeverisë e kështu me radhë. Dhe kështu nuk po kam as forcë dhe as mundësi që çdo ditë dhe çdo minutë të demontoj këto shpifje që bëhen për partinë tonë. Unë kam gjetur një fjalë që nëse konkurrenti jonë BDI-ja është e interesuar për zgjedhje të parakohshme, dakord do dalim dhe mendoj se do ti fitojmë, por nuk jam i interesuar për prapaskena të ndryshme.

E.Vasili: Për shkak të këtyre skenarëve keni votuar p.sh kundër disa ndryshimeve në kodin zgjedhor?

M.Thaçi: Jo, ne kemi votuar kundër ndryshimeve të kodit për shkak se ngelën në lista mijëra maqedonas fiktiv vetëm për të rritur numrin e maqedonasve. Ky është i vetmi shtet në botë që ka 2 milionë e 100 mijë banorë dhe ka 1 milionë e 980 mijë votues. Nuk pati pajtueshmëri nga ana e partisë që është në pushtet që bashkërisht ta shtyjmë këtë çështje por ata u morën vesh me partnerin e vetë dhe në vazhdojmë të kemi mbi 200 mijë votues maqedonas fiktivë nëpër lista zgjedhore. Kjo është arsyeja kryesore pse ne nuk ishim pro këtij ligji zgjedhor.

E.Vasili: Në fakt BDI-ja tha se votuat kundër pasi nuk keni oferta të reja?

M.Thaçi: Jo ne mbetëm edhe jashtë dialogut për shkak të BDI-së. Dialogu u zhvillua mes dy partive maqedonase dhe BDI-së. Ne nuk ishim të gatshëm për atë dialog, ata u pajtuan që vetëm ata si parti shqiptare të marrin pjesë dhe sigurisht duhet dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë.

E.Vasili: Në fakt BDI, lideri Ali Ahmeti është shprehur për një president konsensual që përfaqëson të gjitha bashkësitë etnike. Pse jeni kundër?

M.Thaçi: Po të jetë maqedonas, po.

E.Vasili: Çfarë do të thotë kjo?

M.Thaçi: Kështu më ka thënë mua.

E.Vasili: Ju sikur nuk bashkëpunoni?

M.Thaçi: Jemi takuar me zotin Ahmeti për këtë çështje me insistimin e kryeministrit Rama dhe mua më është dukur shokuese në aspektin logjik d.m.th interesimi i tij që ne të zgjedhim një maqedonas më të mirë. Kjo është ide e gabuar e shekullit të kaluar, nuk ka maqedonas të mirë dhe më të mirë, nuk ka shqiptar të mirë dhe më të mirë, por ka sistem të mire dhe të keq dhe ligj të mirë dhe ligj te keq. Interesimi i Zotit Ahmeti është që ta zhvendosë temën e vërtetë politike në një temë tjetër virtuale. Presidenti në Maqedoni nuk ka kurrfarë kompetencë, shumë, shumë më të vogla seç i ka presidenti në Shqipëri. Pushteti i vërtetë është në duart e qeverisë së Maqedonisë. Represioni i vërtetë vjen prej qeverisë së Maqedonisë, diskriminimi i vërtetë ekonomik vjen prej qeverisë së Maqedonisë ku është pjesëtar Zoti Ahmeti dhe ai për këto 10 vjet nuk ka parë as arsyen më të vogël për të bërë as presionin më minimal që kjo situatë të përmirësohet.

E.Vasili: Thatë kryeministri Rama ka insistuar që ju të takoheni me zotin Ahmeti për këtë çështje?

M.Thaçi: Jo vetëm për këtë çështje, përherë. Kryeministri Rama gjithmonë ka insistuar dhe vazhdon të insistojë, mua shpeshherë kjo më pengon, që të ruhet një linjë minimale e komunikimit mes meje dhe zotit Ahmeti.

E.Vasili: Pse nuk është diçka e mirë për juve, nuk është për ju komunikimi diçka e mirë?

M.Thaçi: Është i mirë por mua si lider i opozitës me relativizon shumë. Unë përkujdesem për njerëzit që përfaqësoj por nëpërmjet kësaj edhe për veten. Një lider i opozitës që është bashkëpunues, konstruktiv me pushtetin pa ndonjë arsye të vërtetë politike rrezikon të quhet i shitur apo i frikësuar.

E.Vasili: Fakti që ju komunikoni, nuk besoj se ju pengon të bini ose të mos bini dakord sipas rastit? Pse mendoni që ky insistim i zotit Rama ju pengon?

M.Thaçi: Jo herë pas herë thashë. Nuk mendoj se e ka me qëllim të keq e ka me qellim shumë pozitiv dhe e mirëkuptoj plotësisht.

E.Vasili: Keni rënë dakord atëherë për kandidatin konsensual apo dhe për këtë insistim zoti Rama nuk gjeti konsensus nga ana juaj?

M.Thaçi: Qëndrimi im ka qenë ndaj zotit Ahmeti se për mua kjo është çështje shakash. Presidenti nuk ka kurrfarë kompetencash. Unë jam i gatshëm nëse i nevojitet Zotit Ahmeti një mbështetje e plotë një pakt i vërtetë, një kohë e vërtetë 2,3,4, 5 vite që ai të arrijë të realizojë premtimet e veta që i ka dhënë në kuadër të qeverisë. Por ai nuk ka gatishmëri të hapë kësi temash serioze.

E.Vasili: Cila është marrëdhënia juaj me kryeministrin shqiptar?

M.Thaçi: Shumë e mirë, shumë korrekte dhe shumë e drejtpërdrejt jo vetëm tani por edhe si lider i opozitës.

E.Vasili:A ju ka çuar insistimi i tij për takimet me zotin Ahmeti në produkt pozitiv?

M.Thaçi: Thashë që i mirëkuptoj qëllimet e kryeministrit shqiptar, ndoshta ai edhe për nga pozita e ka këtë detyrë, po mua më pëlqen shumë të kryeministri që është i gatshëm të dëgjojë secilin, edhe mua. Jam i vetëdijshëm se shpeshherë gjërat që flas nuk i pëlqejnë por ka gatishmëri që të më dëgjojë.

E.Vasili: A ishte takimi me ministrin e jashtëm zotin Bushati disa ditë më parë pjesë e këtij insistimi. Ju kërkoi diçka tjetër kryeministri?

M.Thaçi: Jo takimi me zotin Bushati, ishte takimi i parë do të thosha me personin më përgjegjës pasi është i politikës së jashtme. Çështja që më tepër u bisedua në atë takim ishte ajo e lumit Radika si një fenomen jashtëzakonisht interesant i mënyrës se si çështjet manipulohen politikisht.

E.Vasili: Ndalemi tek çështja Radika. Cila është e vërteta sipas jush? Kemi qëndrime nga dy qeveritë se nuk ka projekt.

M.Thaçi:Çështja është shumë më serioze dhe e rëndë se sa është dukur. Çështja Radika ekziston, janë dokumentet, ka 6 vjet që ekziston, po manipulimi politik nga ana e atyre shqiptarëve që janë pjesë e qeverisë, duke qenë tërësisht të paaftë që ta pengojnë këtë çështje arritën që të implikojnë qeverinë e Shqipërisë në këtë çështje pa qenë nevoja.

E.Vasili: Jo thoni dokumente dhe unë në tavolinë shoh një dosje…

M.Thaçi: Po, janë dokumentet..Kjo parti e shqiptarëve që është në qeveri, kuadrot e saj kanë nënshkruar të gjitha dokumentet për këtë projekt që ekziston që në 2008. Kryetari i Bashkisë së Dibrës i takon BDI-së, nuk e sheh të arsyeshme të reagojë tek qeveria e vetë që ta ndalojë këtë çështje, po implikon qeverinë e Shqipërisë. Unë mendoj se qeveria e Shqipërisë vetëm u përshpejtua jo për ndonjë qellim negativ por nga sinqeriteti i madh që kishte ndaj BDI-së, dhe tash gjërat dalin krejtësisht ndryshe.

E.Vasili: Ka diçka që nuk dimë në atë dosje?

M.Thaçi: Po, projekti është shumë më i madh se çmendohet. Në vitin 2008, qeveria maqedonase i dha Akademisë së Shkencave 300 mijë euro që të bëjë projektin për energjinë e Maqedonisë. Maqedonia është e kushtëzuar prej BE-së,që prej 15% të energjisë që prodhon nga HEC-et të shkoj në 20% pra të hapë HEC të reja. Këtë marrëveshje me Akademinë e nënshkruan në 2008 ministri shqiptar Fatmir Besimi,dhe në faqen 170 të këtij punimi shkencor është hidrocentrali për Radikën. Në vitin 2011, një ministër tjetër i BDI nënshkruan këtë projekt si projekt të qeverisë së Maqedonisë dhe jep deklaratë ku thotë se ne do ti ndihmojmë Shqipërisë me këtë projekt për shkak se meqë po ia ndalim ujin do ta ndalim edhe përmbytjet që i bëhen Shkodrës. Hidrocentrali duhet të ndërtohet në parkun e Mavrovës, është e ndaluar me ligj të ndërtohen hidrocentrale, por ministri i mjedisit Ademi propozon ndryshimin në ligjin për parkun nacional që ta garantojë këtë. Zv/ministri i financave propozon që të miratohet në qeveri dhe parlament aspekti buxhetorë i ngritjes së këtij hidrocentrali. Dhe thotë dikush ky projekt nuk ekziston, në vitin 2012 qeveria e Maqedonisë ka bërë kontratë me firmën ndërtimore “Beton” për të kryer punët fillestare që do të thotë akumulimin e të gjitha ujërave të malit Korab në një kanal dhe vendosjen e tyre ne liqenin e Mavrovës. Ky akumulim i ujërave ka ndodhur ne vitin 1962 në malin Sharr dhe tash dy qytetet më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë, Tetova dhe Gostivari kanë probleme me ujë të pijshëm. Ju thatë se Gruevski tha se do të bëhet ose nuk do të bëhet, ashtu flasin ata, i përgatisin të gjitha gjërat, projekti është këtu, BB tha nëse kjo i pengon ambientit..

E.Vasili: Projekti është këtu, ku?

M.Thaçi: Krejt me rend e tregova deri ne 2013 si janë miratuar të gjitha ligjet, janë dhënë…

E.Vasili: Ju keni dokumente zyrtare?

M.Thaçi: Projekti është aty, dhe projekti do të bëhet por formulimi nëse u pengon qytetarëve apo ambientit jetësor lë hapësirë të qetësimit politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që ai projekt të vazhdojë të bëhet. Kush e vlerëson a i pengon ambientit jetësor? Qytetarët e Dibrës jo, institucionet e ndryshme që janë nën kontrollin e qeverisë. Projekti kushton 83 milionë euro, për të gjitha çështjet e mëparshme kështu janë sjellë. E dini se kur e vendosën bustin e Car Dushanit në Shkup, këta thonin nuk ka marrë vendim askush, këta thonin nuk e dimë kush e ka vendosur, këtej policia ruan. Të gjithë e dimë se penda e liqenit të Mavrovës që është e vendosur tek hoteli Radika ku shkojnë shumë shqiptarë tre metra e gjysëm është ngritur sivjet, projekti është para përfundimit, por e keqja e madhe e kësaj situatë është që ne lejojmë që ministrat shqiptarë të qeverisë së Maqedonisë të vijnë në vizitë zyrtare në Tiranë dhe të japin deklarata idioteske. Ju lutem çfarë formulimi është ky kur ministri thotë se 90% nuk do bëhet , po ai 10% kush e mban përgjegjësinë nëse ai bëhet. Dhe e gjitha kjo ka një qëllim, të gjitha ujërat e tokave shqiptare në vend që të kalojnë përmes Drinit dhe Radikës në Adriatik do të barten në lumin Vardar dhe këtij do ti rritet niveli i ujit dhe të bëhet i lundrueshëm deri në Egje. Ndërsa kinezët kanë bërë studimin, projektin ideor për lidhjen e lumit Danub me lumin Morava dhe lumin Vardar. Akademia e Shkencave të Serbisë ka bërë të njëjtin plan që prej Danubit në Beograd,të lidhet me lumin Vardar, dhe atë të Moravës dhe aty të krijohet aksi apo boshti i ri sllav ortodoks për ta bërë komunikimin sa më të lehtë. Këto çështje fshihen. Pra nuk mund të themi që nuk ka projekt kur kanë kaluar me dhjetëra ligje në qeveri dhe parlament të Maqedonisë për këtë çështje, dhe kur në anën tjetër dhe po ashtu kemi dokumentacion që Akademia e Shkencave të Serbisë të njëjtin projekt e përgatit që të lidhë lumin Vardar me Danubin është e qartë që kjo punë do të përfundojë ashtu si e kanë në mendje ata.

E.Vasili: A keni vënë në dijeni qeverinë shqiptare për këtë situatë, ministrin Bushati të cilin e takuat pak ditë më parë dhe me dokumentet që dispononi?

M.Thaçi: Po, për disa dokumente nuk kanë patur njohuri, tash e shohin që çështja është me serioze. Qeveria shqiptare u gjend në një pozitë shumë të palakmueshme, kur juve ju gënjen njeriu juaj, ju nuk doni të besoni. Vetë deklarata e ministrit të ambientit të Maqedonisë, zotit Ademi që tha në foltoren e konferencës për shtyp në qeverinë e Shqipërinë në Tiranë që tha 90% nuk do të bëhet,si mund të flasim ne ashtu, o bëhet o nuk bëhet. Ai 10% është të kalojmë ne këtë situatë parazgjedhore që është shumë e rëndësishme dhe duhet të dukemi shume bashkëpunues me qeverinë shqiptare dhe të fitojmë pikë dhe pastaj nuk ka kurrfarë problemi.

E.Vasili: Cila ka qenë përgjigja e Zotit Bushati në lidhje me këtë çështje?

M.Thaçi: Sigurisht që Zoti Bushati është interesuar, por unë i kam thënë që nuk do të bëhet për shkak se do ta pengojë PDSH-ja. Por ju sigurisht jeni dëshmitarë se ne nuk kemi folur, kjo është hera e parë sot që flas për këtë çështje. Kemi dashur që të zbulohet ky mashtrim dhe kjo gënjeshtër kaq e madhe e atyre shqiptarëve që janë në qeverisje. Kjo nuk do të bëhet, për shkak se do të reagojnë shqiptarët, PDSH-ja, opozita të gjitha shoqatat joqeveritare. Marrja e atyre ujërave na than gojën për ujë të pijshëm. Ky projekt është bërë për Tetovë e Gostivar në vitin 1962, janë marrë të gjitha ujërat e pastra.

E.Vasili: Pse keni pritur kaq gjatë dhe nuk keni dalë publikisht?

M.Thaçi: Për shkak se kemi dashur të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos cilësohemi si zhurmaxhi dhe si opozitarë që të fitojmë terren politik. E lamë që situata të zhvillohet deri këtu, mirëpo më vjen keq kur vërejta se këtu në mënyrë të pavetëdijshme implikohet dhe qeveria e Shqipërisë në gënjeshtrat e partisë shqiptare që është në Shkup,me shpejtësi reaguam. Kam patur edhe takime të tjera, me kryetarin e Parlamentit, Zotin Ilir Meta dhe i kam folur për këtë çështje. E përsëris nuk ka nevojë të futet qeveria e Shqipërisë në siklet, në pozicione të rënda.

E.Vasili: Cili ka qenë qëndrimi i Zotit Meta?

M.Thaçi: Do të takohemi edhe njëherë dhe do ti shohim çështjet edhe njëherë. Janë disa dokumente të cilat duhen përkthyer pasi janë në gjuhën maqedonase. Po faktori që ka gënjyer për këtë çështje është BDI që është në qeveri. Ata janë mësuar të punojnë brenda kështu, por tash më vjen keq, besoj më kuptoni ku e kam fjalën nuk dua që të sillet në atë pozitë qeveria e Shqipërisë që të duket se ka sjellje jokonstruktive ndaj fqinjëve se ne e dimë se një ndër kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat është raporti i mire me fqinjët. Nuk ka nevojë që të tensionohet situata dhe ne të vendosim në siklet Shqipërinë, kur jemi ne brenda që do të ngremë zërin dhe do të pengojmë këtë projekt.

E.Vasili: Çfarë do të bëni ju për ta penguar?

M.Thaçi: Të gjitha çështjet politike, interpelancën që e ka ministri i jashtëm i Maqedonisë shumë shpejt këtë jave, dhe protestat do ti mbështesim komplet dhe po të jetë nevoja dhe ti drejtojmë ato që të pengohet kjo marrje e ujit të pijshëm, ujë për pije.

E.Vasili: Keni kërkuar ndihmë nga qeveria shqiptare për këtë?

M.Thaçi: Vetëm mirëkuptim. Për shkak se fjalët ndihmë mund të keqkuptohen dhe mund ti bëhen telashe Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.

E.Vasili: E keni gjetur mirëkuptimin apo do të ritakoheni?

M.Thaçi: Do të ritakohemi për shkak se shumë dokumente do të krahasohen dhe do të shihen. Ka mirëkuptim të plotë tani për hezitimin e qeverisë shqiptare pas asaj situate që u gjend me ministrat shqiptarë. Ju lutem ndoshta po përsëris në mënyrë të mërzitshme, një njeri që vjen dhe ju thotë se nuk ka një projekt të tillë dhe del para mediave dhe thotë 10% mund të bëhet. Fjalori 10% tregon se ajo do të bëhet. Fjalori i Gruevskit ajo nuk do të bëhet nëse… ajo bëhet ose nuk bëhet, por mund të themi që ka patur edhe mungesë të informacionit.

E.Vasili: Mungesë të informacionit nga ana e kujt?

M.Thaçi: E qeverisë shqiptare

E.Vasili: Pra qeveria shqiptare nuk ka patur informacionin e duhur nga BDI-ja e cila është në qeveri?

M.Thaçi: Ka patur gënjeshtra. Projekti ekziston. Qeveria shqiptare është në të drejtën e saj, asnjë dokument zyrtar nuk ka nga qeveria e Maqedonisë. Qeveria shqiptare do të hyjë në lojë ku të merrni njoftim zyrtar. Qeveria shqiptare në asnjë moment nuk është sjellë në mënyrë jo profesionale

E.Vasili: Pra përgjegjësia sipas jush bie mbi BDI dhe Ali Ahmetin i cili jo vetëm nuk ka dhënë informacionin e duhur por…

M.Thaçi: Ka gënjyer

E.Vasili: Për çfarë arsye..

M.Thaçi: Personale dhe grupore dhe në aspektin se ata nuk kanë kurrfarë force të brendshme politike për të rezistuar për asnjë projekt brenda qeverisë. Tani të gjendur në një situatë shumë të keqe duan të implikojnë qeverinë e Shqipërisë për të dalë pastaj me arsyetimin se nuk u gjet në kohë si duhet dhe ja që na ndodhi kjo e keqe.

E.Vasili: Cili do të jetë aksioni juaj më i afërt në lidhje me këtë çështje?

M.Thaçi: Kemi interpelancën me ministrin e jashtëm, ku duhet të konstatohet zyrtarisht një qëndrim ekziston ky projekt apo jo, dhe jo të thuhet nëse dhe jo të thuhet 10 % do të mund të bëhet dhe 90% jo. Kjo nuk është çështje e implikimit të Shqipërisë së i zvogëlohen ujërat por kjo është çështje që merret uji i pijshëm i banorëve shqiptarë që jetojnë në ato zona dhe çohet në detin Egje.

E.Vasili: Kryeministri Rama parashikon një vizitë në Beograd. Keni një koment dhe simbolikën që ajo përfaqëson?

M.Thaçi: Ka shumë njerëz që u pengon kjo vizitë megjithatë Kryeministri Rama është njeriu më lart i ngritur institucionalisht ndër shqiptarë edhe në Kosovë dhe Maqedoni, përfaqëson shtetin shqiptar. Ai e di më mirë se ne sepse duhet ta bëjë atë vizitë. Paraprakisht folëm për çështje konkrete që kanë të bëjnë me raportet e fqinjësisë së mirë, nuk e shoh sinqerisht negative. Të mos mendoj dikush që bëj pseudopolitikë, unë e them të vërtetën. Nuk e shoh negativë në kuadër të këtij drejtimi unë vazhdoj ta shoh dialogun Kosovë-Serbi si dialog shqiptaro-serb. Kam shumë shpresa që ky dialog do të përfundoj me një marrëveshje të paqes së përhershme mes serbëve dhe shqiptarëve. Nëse do të mbërrijmë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare BE dhe SHBA në këtë marrëveshje të planifikuar paqeje historike me serbët patjetër se kryeministri Rama qeveria e Shqipërisë dhe të gjitha institucionet e Shqipërisë duhet të jenë bashkëpjesëmarrës në të.

Eni.Vasili: Faleminderit që ishit me mua në “Studio e Hapur”.

M.Thaçi: Faleminderit juve

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *