Home / Lajme / Rajon / Qeveria ndau 100 mijë euro për Festën e Pavarësisë

Qeveria ndau 100 mijë euro për Festën e Pavarësisë

2 shkurt-“Më 15 shkurt do të ketë aktivitete të tjera deri më 17 shkurt, kur do të kulmojë me paradën e njësive të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Sheshin kryesor të Prishtinës… Po ashtu me 17 shkurt do të ketë një pritje nga Presidentja, pastaj do të jetë edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës”.

Kosova më 17 shkurt feston gjashtëvjetorin e pavarësisë së saj. Qeveria ka vendosur që kremtja të fillojë më 14 për të përfunduar më 17 shkurt. Për këtë festë është formuar një këshill organizativ, i cili tash e disa javë është duke u marrë me përgatitjet, në mënyrë që festa të shkojë sipas agjendës. Për shënimin e kësaj feste Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro.

Festa e pavarësisë do të nis me 14 shkurt me shfaqje teatrale për fëmijë e të rritur, ndërsa do të kulmojë më 17 shkurt me defilimin në shesh të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë dhe me seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, shkruan “Tribuna”.

Në këshillin organizativ, që udhëhiqet nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të përfaqësuara edhe disa ministri, si ajo e Punëve të Jashtme, e Punëve të Brendshme si dhe ajo e Kulturës, e cila ka një rol të veçantë për organizimin e ceremonive festive kulturore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka thënë se tashmë shumica e përgatitjeve për shënimin e gjashtë vjetorit të pavarësisë janë bërë.

“Aktiviteti i parë do të jetë me datën 14 shkurt ku do të ketë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë do të jetë nga arkivi i Marubit, që vjen për herë të parë në Kosovë“, ka thënë Krasniqi.

“Më 15 shkurt do të ketë aktivitete të tjera deri më 17 shkurt, kur do të kulmojë me paradën e njësive të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Sheshin kryesor të Prishtinës… Po ashtu me 17 shkurt do të ketë një pritje nga Presidentja, pastaj do të jetë edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës”.

“Do të mbahet edhe një koncert i muzikës klasike nga tenori i mirënjohur shqiptar Agim Hushi dhe një koncert nga Ansambli Shota dhe në mbrëmje në shesh do të ketë një koncert qendror që tashmë është bërë tradicional”, ka thënë ministri Krasniqi.

Festa do të mbyllet me fishekzjarrë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, pas përpjekjeve të gjata shekullore për liri, dinjitet e shtet.

Deri tash shteti i Kosovës është njohur nga 105 shtetet të ndryshme të botës, duke përfshirë shtetet kryesore dhe më të fuqishme të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. /Tribuna/Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *