Home / Lajme / Maqedoni / BDI: JO PËR PRESIDENTIN E NJËANSHËM.

BDI: JO PËR PRESIDENTIN E NJËANSHËM.

24 Mars – Kërkojmë të palëkundur zgjedhjen e presidentit sipas modelit të dhjetëra vendeve evropiane: zgjedhjen në Parlament.

Bashkimi Demokratik për Integrim është deklaruar dhe ka për t’u deklaruar për sot e mot, si parti e perspektivës dhe jo e retrospektivës. Si bartëse e ideve që na e sjellin të ardhmen dhe jo e atyre që na e rikthejnë të kaluarën. Si pararojë e ndryshimeve që i kërkon koha dhe vendi, njeriu dhe natyra, qytetari dhe shteti. Ne dhe Bota.

Bujar Osmani : Të nderuar,

Të mbështetur në këto parime dhe ideale, me sigurinë që i japin drejtësitë e tyre, NE sot hapim fushatën e aktiviteteve për të përhapur idetë, psetë dhe përgjigjet e saj.

Në të njëjtën kohë kur, partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet presidenciale do të zhvillojnë një proces legal por të pavërtetë, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë krah dhe pranë çdo qytetari shqiptar. Jo për të ushtruar presion dhe as për të kushtëzuar, duke hedhur këtu me forcë çdo spekulim të tillë, por për të sqaruar përmes një bashkëbisedimi qytetar, arsyet përse përgjigjja jonë në këto zgjedhje është një JO PËR PRESIDENTIN E NJËANSHËM.

Slogan ky që do të shoqërojë të gjitha tubimet tona në qytete të ndryshme dhe çdo takim sy më sy me qytetarët tanë, dashamirë të këtij shteti.

Për të qetësuar të gjithë kritikët dhe skeptikët, ripohojmë sot pozicionin tonë të patundur: kjo fushatë e nisur dhe çdo ide që ne do të përçojmë nëpërmjet saj, nuk ka qëllim të dëmtojë askend dhe asgjë. Përkrundrazi, Bashkimi Demokratik për Integrim është i bindur se me PRESIDENTIN KONSESUAL Maqedonia do të shkojë drejt vlerave të gjithë pranueshme europiane. Në shërbim të këtij qëllimi, është veçanërisht nevoja e menjëhershme dhe jo vetëm kërkesa e kahershme e Bashkimit Demokratik për Integrim, për zgjedhjen konsensuale të presidentit.

Nisur nga e vërteta se partive u mungoi guximi e urtësia politike, për të dal për herë të parë në histori me një kandidat të përbashkët, ne – forca më e madhe legjitime shqiptare, kërkojmë të palëkundur zgjedhjen e presidentit sipas modelit të dhjetëra vendeve evropiane: zgjedhjen në Parlament.

Kjo është e vetmja zgjidhje që përmbush detyrimet kushtetuese dhe ato të Marrëveshjes së Ohrit, për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike. Në rastin e institucionit të presidentit, vetëm zgjedhja me konsensus të gjerë politik dhe etnik mund t’i japë atij karakter dhe përfaqësim shumetnik. Çdo mënyrë tjetër që përjashton shqiptarët nga ky proces, konsiderohet antidemokratike dhe antievropiane, e papranueshme dhe në konflikt të hapur me realitetet politike dhe etnike.

Pikërisht ky insistim yni për të qenë pjesë e vendimmarrjes, vlerësojmë se do të përparojë demokracinë, do të forcojë unitetin e do të baraspeshojë ekuilibrat etnikë, si dhe do të çojë vendin përpara, mes demokracive më të zhvilluara. Aty ku vendi ynë kërkon por dështon të jetë.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, për fitoret e ideve dhe të vizioneve tona, ju ftojmë sonte në takimin e parë me qytetarë, në qytetin e Kërçovës, aty ku festohet sot dhe për mot fitorja e 24 marsit.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *