Home / Lajme / Maqedoni / Sot shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Sot shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Shkup, 06 Mars – Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, sot në mesditë do të nënshkruajë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 27 prill, njëkohësisht me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë.

Iniciativë për zgjedhje të parakohshme në Parlament të shtunën dorëzoi grupi i deputetëve të BDI-së, e cila po atë ditë u pranua nga ana e partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Propozimin e BDI-së e mbështetën partitë opozitare PDSH dhe LSDM si dhe partitë më të vogla politike. Këto do të jenë zgjedhjet e treta të parakohshme parlamentare në Maqedoni. (INA)

05/03/2014 – Në Maqedoni u votua sot me shumicë votash shpërndarja e Parlamentit dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Vendimi për shpërndarjen e përbërjes së deritanishme parlamentare u votua nga 117 deputetë të të gjitha partive politike dhe asnjë kundër apo të përmbajtur. Ky vendim u shpallë edhe nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski, duke theksuar se bëhet fjalë për një moment të veçantë sepse asnjëherë nuk ishte reflektuar një unifikim i tillë gjithëpërfshirës.

Iniciativa për shpërndarjen e Parlamentit u bë nga partia më e madhe shqiptare në pushtetin e deritanishëm BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), pasi që kjo parti nuk arriti marrëveshje me partnerin e saj të koalicionit VMRO-DPMNE për një kandidaturë të përbashkët për president, që do të ishte koncensuale për maqedonasit dhe shqiptarët etnik. Ky qëndrim sot u arsyetua sërish nga deputeti i kësaj partie, Nexhati Jakupi.

“Pas këtyre zgjedhjeve, partitë politike që do të fitojnë legjitimitetin do të arrijnë marrëveshje për koalicionim dhe do të formojnë përbërjen e re parlamentare. Bazuar në këtë arsye të fortë, BDI vlerëson se ka nevojë për rikonfirmimin e mandatit të partive nga qytetarët dhe për legjitiminin e tyre”, theksoi deputeti Jakupi.

Deputetët e LSDM theksuan se situata dhe skenaret e tilla janë planifikuar dhe hartuar nga partitë e koalicionit. “Loja juaj përfundon sot, dhe se tani fjalën do ta kenë qytetarët”, theksoi deputeti i LSDM, Igor Ivanovski.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu drejtoi akuza ndaj maxhorancës së deritanishme, por duke drejtuar akuza në adresë të partisë shqiptare BDI.

“Kjo parti për këto 10 vite pushtet punoi vetëm për Maqedoninë Lindore duke sjellë investitorë të huaj që hapën mbi 30 mijë vende pune për maqedonasit. Keni punësuar 50 mijë maqedonas, ndërsa nga shqiptarët janë punësuar vetëm të afërmit e BDI-së, dhe nga ana tjetër janë varfëruar shqiptarët dhe nuk është investuar asgjë tek shqiptarët”, theksoi deputeti Fazliu.

Deputetja e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, Silvana Boneva theksoi se partia e tyre pranon zgjedhjet e parakohshme, por asnjëherë nuk ka pranuar nënçmime dhe pazarllëqe në dëm të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional.

Zgjedhjet e parakohshme janë të tretat me radhë, të firmosura dhe shpallura nga kjo përbërje qeveritare. Zgjedhjet e para të parakohshme ishin në pranverën e 2008 dhe të dytat të parakohshm në vitin 2011. Përbërja e deritanishme parlamentare ka një mandat gati 3 vjeçar dhe me 87 seanca të mbajtura. Me vendimin për shpërndarje të Parlamentit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 27 prill gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Gjithashtu lexo

Foure mbështet reformat në OBRM-PDUKM (Foto)

Ish-euroambasadori në Maqedoni, Erwan Foure, përmes një shënimi të shkurtër në Maqedoni, ka përshëndetur iniciativën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *