Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti: BDI do të jetë fituese absolute më 27 prill

Ahmeti: BDI do të jetë fituese absolute më 27 prill

24 prill-“Unë ju siguroj se ne nuk bëjmë asnjë hap pas, por të gjitha ato parashikime, të gjitha ato që ne i pasqyrojmë të shkruara në letër, edhe e realizojmë, sepse nuk e konsiderojmë votën vetëm si një obligim të rëndomtë që duhet ta bëjë çdo qytetar, por për ne vota është e shenjtë, është besë dhe ne besën nuk mund ta shkelim, nuk mund të vendosim mbi diçka që nuk mund të bëhet”, nënvizoi lideri i BDI-së.

BDI platformën e saj dhe kandidatët për deputetë në njësinë e 6 zgjedhore i ka shpalosur të mërkurën në mbrëmje në Gostivar. Lideri i BDI-së dhe kryesuesi i listës për deputetë sërish ka sqaruar pozicionin e partisë së tij lidhur me formimin e Qeverisë së ardhshme të koalicionit, duke shtuar se koalicionin qeverisës do ta formojnë partitë fituese të zgjedhjeve tek maqedonasit dhe tek shqiptarët.

“Po ua them një të vërtetë se edhe zogjtë mbi çati e dinë se BDI, bijtë tuaj, janë fitues absolut në këto zgjedhje dhe nuk ka forcë që i del pas e as para. Sepse kanë realizuar, jetësuar qëllimet dhe të arriturat të cilat sot i kemi. Dëgjohen zëra aty-këtu, hyn ky e del ai në Qeveri. E tha bukur komandant Talat Xhaferri, legjitimiteti dhe pushteti jepet nga populli dhe ne me luftë dhe gjak kemi fituar një të drejtë që nuk mund ta mposhtë askush – votimin e dyfishtë, dhe po të mos ishte kjo e arritur, pa kuptim do të ishte që shqiptarët të garojnë me parti politike dhe të kërkojnë legjitimitetin se kush do i përfaqësojë, do e vendoste Nikola Gruevski ose Zoran Zaevi. Por jo, përfaqësuesin e shqiptarëve e vendosin shqiptarët me votën e tyre, sepse ka përfunduar koha kur vendosnin të tjerët”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se eksperimentet e tjera sikur ai i vitit 2006 do të jetë i dështuar.

Ai ritheksoi se, programi zgjedhor është shumë i gjerë dhe se përmban mbi 1 mijë projekte në të gjitha fushat, që nga investimet ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës e deri te zhvillimi i arsimit, i shëndetësisë dhe i infrastrukturës.

“Unë ju siguroj se ne nuk bëjmë asnjë hap pas, por të gjitha ato parashikime, të gjitha ato që ne i pasqyrojmë të shkruara në letër, edhe e realizojmë, sepse nuk e konsiderojmë votën vetëm si një obligim të rëndomtë që duhet ta bëjë çdo qytetar, por për ne vota është e shenjtë, është besë dhe ne besën nuk mund ta shkelim, nuk mund të vendosim mbi diçka që nuk mund të bëhet”, nënvizoi lideri i BDI-së.

Ai shtoi se BDI është një parti politike që ka shtrirë dorën gjithmonë për bashkëjetesë ndëretnike. “Ne e dimë më së miri ç’do të thotë të jesh më i vogël, më i diskriminuar e më i nënçmuar, sepse këtë e kemi provuar në Jugosllavinë e dikurshme. Por edhe ata duhet të zgjohen një herë e përgjithmonë, e të mos ecin pas ‘udhëheqësve’ të tyre që paradite janë turq e më pas punëtorë të Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DMPNE-së. Sepse ishim ne ata që i ngritëm lart e i futëm në Marrëveshjen e Ohrit, që edhe ata të trajtohen si komunitete”, tha Ahmeti.

Për sa u përket zgjedhjeve presidenciale, Ahmeti ripërsëriti qëndrimin se ato duhet bojkotuar dhe se nuk duhet votuar asnjë nga dy kandidatët presidencialë. Në përfundim të fjalës, kreu i BDI-së nënvizoi se, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të sigurt përveçse të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur anëtare e plotfuqishme e NATO-së dhe e BE-së.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *