Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti ne Haracinë: Çdo votë për kandidatët për president është në dëm të shqiptarëve

Ahmeti ne Haracinë: Çdo votë për kandidatët për president është në dëm të shqiptarëve

21 prill-“Ne duhet të angazhohemi për në NATO dhe BE pasi këto janë e ardhmja. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të sigurt përveçse të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur anëtare e plotfuqishme e strukturave euroatlantike”, ritheksoi kreu i BDI-së.

BDI realizoi tubimin e radhës në Komunën e Haraçinës, ku para banorëve të zonës përreth, u prezantua programi dhe kandidatët për deputetë të Njësisë nr 2.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se subjekti i tij politik merr 12 vite radhazi forcën nga populli dhe shpie përpara misione të ndryshme, qëllimi parësor i të cilëve është që shqiptarët të bëhen të rëndësishëm në tokat e veta.

“Jemi një komb me një histori të lashtë gati bashkë me diellin e rritur në këto hapësira. Përshëndes të gjithë bashkëluftëtarët e mi për punën e tyre të palodhshme. Puna jonë është për të çuar proceset, zhvillimet dhe punët më përpara që të ndryshojë dhe e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Të gjithë duhet të bëjmë dallime. Ku kemi qenë para 10 viteve dhe ku jemi sot? A ka krenari më të madhe për çdo shqiptar?”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi më tej se, me ndryshimin e statusit juridik, shqiptarët arritën të bëhen shtetformues, ndërsa shprehu vendosmërinë “për të mos hequr dorë nga hisja dhe nga tapitë tona”.

“Kjo punë me përkushtimin më të madh po punohet. U jam mirënjohës shqiptarëve që kanë kuptuar idenë dhe misionin tonë”, tha në vijim kreu i BDI-së.

Ai shtoi se BDI me kujdes të veçantë po trajton projekte për një bujqësi më të mirë, për një treg më të gjerë, për kushte më të mira për bujqit e blegtorët.

“Unë e di se ka edhe shumë punë për t’u bërë, unë e di se duhet edhe shumë tregje të hapen për tu përmirësuar jeta e bujqve. Trajtim i veçantë po u kushtohet zonave të reja të lira ku brenda 3 viteve do të hapen mbi 10 mijë vende të reja të punës. Pa këto zona e investime, njerëzit tanë do të kërkojnë ardhmërinë në vendet e huaja. Këtu janë qasjet, studimet që janë bërë nga mbi 400 ekspertë e që pasqyrohen në programin tonë. Siç kemi dalë me raport, kemi bërë edhe programin për 4 vitet e ardhshme. Kam kërkuar që brenda këtij mandati të kemi qasje më serioze për 3 gjëra: kanalizim në të gjitha hapësirat, hapësira për gjelbërim pasi mungon ajri i pastër; dhe kam kërkuar me insistimin më të madh, cilësinë më të lartë në arsimin fillor, të mesëm e të lartë. Kam kërkuar edhe rritjen e pagave të mësuesve pasi gjërat për së mbari fillojnë në shkollimin fillorë, kujdes të veçantë për mësuesit”, tha Ahmeti.

Ai vlerësoi se, lista e BDI-së për deputetë ka njerëz të përgjegjshëm të cilët kanë vizion për të ardhmen, ndërsa riafirmoi përcaktimet për të punuar në interes të rendit dhe të sigurisë.

Këtij vendi, vijoi ai, i duhen politikanë të guximshëm, që njerëzit i thërrasin në pajtim, sepse “në Ballkan përfunduan luftërat, të reja nuk na duhen.

“Ne duhet të angazhohemi për në NATO dhe BE pasi këto janë e ardhmja. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të sigurt përveçse të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur anëtare e plotfuqishme e strukturave euroatlantike”, ritheksoi kreu i BDI-së.

Në lidhje me zgjedhjet e 27 prillit, Ahmeti ripërsëriti qëndrimin se, shqiptarët duhet të votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare, por jo dhe për ato presidenciale.

“Shqiptarët ndodhen para një sprove para një momenti shumë të rëndësishëm, kjo sprovë u dha në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ku 90% e shqiptarëve, si në referendum i thanë jo një presidenti të njëanshëm. Platforma që kemi shtruar është platformë mbipartiake, shqiptarëve u takon të drejtojnë një nga 3 institucionet më të rëndësishme të shtetit. Këtë ide tonën ne duhet ta jetësojmë dhe ta materializojmë pasi nëse nuk bëhet sot, ajo do të bëhet nesër. Shqiptarët më 27 prill nuk marrin letrën e vogël e cila ka dy emra. Çdo votim i njërit apo tjetrit është në dëm të avancimit të çështjes shqiptare”, vijoi i pari i BDI-së.

Në vijim, ai apeloi partitë politike maqedonase që të mos bëjnë shantazhe në vendbanimet ku shqiptarët janë pakicë, duke kërkuar nga to të krijojnë kushte për zgjedhje të lira.

“Ata duhet të angazhohen që t’u krijojnë kushte që të votojnë dhe le të deklarohen lirshëm, për kë duan ata, pasi informatat e mi nuk janë të mira dhe nga ky vend apeloj që partitë maqedonase të jenë më të kujdesshme. Me frikësime nuk ecet përpara, krijon armiqësi. Millosheviqi u përpoq t’i frikësojë shqiptarët, por ju e dini se ku përfundoi ai”, u shpreh më tej Ahmeti.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *