Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti në Kumanovë: Jemi shqiponja që dimë ku po shtegtojmë

Ahmeti në Kumanovë: Jemi shqiponja që dimë ku po shtegtojmë

19 prill-“Asgjë e keqe nuk e gjen as Maqedoninë, as Kosovën dhe as Shqipërinë për heqjen e kufijve, por vetëm heqim një gur nga qafa për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. A do realizohet? Po. Në vendnumërim nuk qëndrohet”, u shpreh Ahmeti.

Tubimi qendror i radhës i Bashkimit Demokratik për Integrim e zhvilloi në Kumanovë. Mijëra shqiptarë të Kumanovës dhe të Likovës përcollën shpalosjen e platformës nën emrin “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Europë”.

Kreu i BDI-së vijoi fjalën, duke kujtuar vuajtjet e popullit të Kumanovës, 100 vite më pas nga Luftërat Ballkanike, ndërsa zbuloi lidhjen shpirtërore personale me këtë qytet.

“Është një vit shumë simbolik. 100-vjetori i Luftërave Ballkani që më kujton hapat e si fëmijë, ku jashtë Zajazit kam dëgjuar për Kumanovën. Nëna ime më tregonte se si është plagosur babai i saj në ato luftëra në Kumanovë, dhe që atëherë Kumanova është bërë për mua si një vendlindje e dytë, sepse kemi qenë shpirtërisht të lidhur me babanë e nënës sime”, tha Ahmeti.

Ai tha se, kjo është një nga provat se, e gjithë veprimtaria politike është zhvilluar jo në bazë të krahinizmave por veçse si një tërësi.

“Ne i kemi trajtuar shqiptarët si një, të jenë gjithë bashkë. Ne kemi vlerësuar çdo njeri për çdo aftësi që ka”, tha Ahmeti.

Ai riafirmoi objektivat për më shumë liri, demokraci dhe bashkim mes popujve, por dhe për heqjen e kufijve dhe për standardet evropiane.

“Asgjë e keqe nuk e gjen as Maqedoninë, as Kosovën dhe as Shqipërinë për heqjen e kufijve, por vetëm heqim një gur nga qafa për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. A do realizohet? Po. Në vendnumërim nuk qëndrohet”, u shpreh Ahmeti.

Ne, tha Ahmeti, kemi investuar në krijimin e kuadrove në të gjitha fushat për 12 vite radhazi, prandaj sot shtegtimi nuk bëhet qorrazi.

“Unë nuk jam me origjinë nga ato skifterë qorra. Unë kurrë nuk kam shtegtuar me këtë lloj skifteri pa sy. Unë jam shok i shumë shqiponjave që janë këtu dhe bashkë me ato shqiponja kam shtegtuar. Prandaj do të kisha dashur një përkrahje më të fortë për këtë listë të dëshmuar”, tha në vijim Ahmeti.

Ai kërkoi të mbështetet më 27 prill opsioni i BDI-së, duke quajtur votën e shqiptarëve si “vizionare që vendos për të ardhmen”, ndërsa kërkoi të mos mbështet asnjëri nga kandidatët në zgjedhjet presidenciale.

“Më 27 prill do të votohet edhe për president, asnjëri nuk është yni. Ka njerëz që nuk i shohin gjërat pas malit, unë dua t’i shohim gjërat edhe pas malit. Ta votojmë Pendarovskin për inat të Ivanovit? Jo, nuk duhet asnjërin”, përfundoi fjalën z. Ahmeti.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *