Home / Lajme / Maqedoni / BDI ka zhvilluar mbrëmë tubimin e radhës në Dibër

BDI ka zhvilluar mbrëmë tubimin e radhës në Dibër

9 prill-“Ne mendojmë se ky vend ka të ardhme dhe ajo është tek bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ne duam që këtë vend ta integrojmë bashkërisht në Evropë pasi të ndarë nuk mund të shkosh atje. Ne duam integrim në NATO pasi vetëm një komunitet nuk mund ta bëjë këtë. Ne kërkojmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ritheksoi Ahmeti

Në kuadër të fushatës “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Europë”, Bashkimi Demokratik për Integrim ka zhvilluar mbrëmë tubimin e radhës në Dibër. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij kërkoi zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura që ka Maqedonia brenda dhe jashtë. “Ne mendojmë se ky vend ka të ardhme dhe ajo është tek bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ne duam që këtë vend ta integrojmë bashkërisht në Evropë pasi të ndarë nuk mund të shkosh atje. Ne duam integrim në NATO pasi vetëm një komunitet nuk mund ta bëjë këtë. Ne kërkojmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ritheksoi Ahmeti. Lideri i BDI-së shtoi se vota për BDI-në do të sigurojë ditë më të mira, arsim më të mirë dhe shëndetësi më të mirë, si dhe vende të reja pune për të rinjtë. Ahmeti shtoi se me përkrahjen e shqiptarëve më 27 prill, BDI do të sigurojë ndikim më të fuqishëm në qeverinë e ardhshme, por dhe përparim në integrimet euroatlantike. “Kur kemi kërkuar përkrahjen e dibranëve, ajo vërtet s’ka munguar. Por sot ajo është edhe më e fortë dhe më e organizuar. Po dëgjoj dhe përcjell fushatat e të tjerëve, po dëgjoj me kujdes të gjitha programet dhe platformat e partive garuese ne këto zgjedhje, me qëllim që të kristalizoj edhe më shumë bindjet, por edhe qëllimin se çfarë i duhet ofruar elektoratit shqiptar por edhe të gjithë të tjerëve. BDI nuk është ndërtuar mbi një platformë egoiste apo vetëm për komunitetin e vet. Ne nuk kërkojmë mandate për të sunduar të tjerët. Ne kërkojmë mandate dhe u drejtohemi shqiptarëve që të vazhdojmë rrugën një dekadëshe në avancimin e çështjes shqiptare ne Maqedoni. Ne nuk kërkojmë mandate që të margjinalizojmë dikë në Parlamentin e Maqedonisë. Ne kërkojmë mandate për një arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë. Mandate për të hapur vende të reja te punës, pasi ky është vendi ynë”, tha Ahmeti. Ai ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE, si një garanci për stabilitet, paqe dhe ardhmëri, ndërsa bëri të qartë se, ardhmëria e vendit është pranë këtyre dy strukturave ndërkombëtare. Duke folur mbi çështjet e brendshme, Ahmeti u përqendruar në avancimin e gjuhës shqipe, si një kapitull ende i pambyllur, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme për avancimin e saj. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata apeloi për bashkim qytetarët dibranë, ndërsa pohoi se, integrimi në BE mund të zhvillohet vetëm përmes Bashkimit Demokratik për Integrim.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *