Home / Sport / Klitçko, sërish kampion: Fitorja, për Ukrainën!

Klitçko, sërish kampion: Fitorja, për Ukrainën!

Vladimir Klitçkos iu deshën vetëm pesë raunde nga 12 të mundshmit për të rrëzuar në tapet sfidantin nga Australia Aleks Lepai për të mbrojtur kurorën WBO në peshën e rëndë.

Në fakt, ka qenë shumë e lehtë nga sa parashikohej dueli i zhvilluar në Oberhauzen (Gjermani), për boksierin 38-vjeçar nga Ukrainas, i cili gjithashtu ruan titujt botërorë në versionin WBA, IBF dhe IBO. Pas këtij triumfi, rekordi i tij ngjitet në kuotën e 62 fitoreve, 52 nga të cilat të arritura me nokaut, ndërkohë që ka pësuar vetëm 3 humbje në karrierë. Humbja e fundit për gjigandin e Ukrainës daton më 10 prill 2004, kundër Lemon Brujster, ndeshje e mbajtur nga Las Vegas. “Në fakt, nuk ka qenë aq e thjeshtë, nuk ka kundërshtarë të lehtë”, – deklaroi Klitçko, i cili ishte përgatitur për këtë supersfidë me mendjen te kriza që ka përfshirë vendlindjen. “Jam stërvitur gjatë dhe fort, por kurrsesi nuk ka qenë e lehtë për mua në këtë moment. Vëmendjen e kam pasur në Ukrainë dhe se çfarë po ndodh realisht atje. Politikanët duhet të gjejnë një kompromis për të shmangur një luftë. Ukraina nuk duhet të ndahet, por duhet të mbetet e bashkuar”, – deklaroi Klitçko. Prezent në duel ka qenë edhe vëllai i tij i madh Vitali, ish-kampion i versionit WBC dhe WBA, tashmë i angazhuar fort në politikën ukrainase. Pas grushtit të nokaut që i dha fund edhe duelit, kampioni i mbrëmjes thirri: “Lavdi Ukrainës!”. Në vijim të deklaratës, Klitçko shtoi se ky sport e mrekullon dhe se dëshiron pa fund të jetë në krye. “Unë e di se ka edhe të tjerë që duan të ma zënë vendin, megjithatë jam akoma i uritur. Ka një dekadë që kur kam humbur me Lemon Brujster dhe jam mirënjohës për atë përvojë. Ajo ishte një humbje e tmerrshme, e cila më la një shije të hidhur dhe një kujtim që më mban në gatishmëri gjithmonë për çdo kandidat të ri me të cilin përballem”. Ndërsa Lepai, i cili ka lindur në Samoa, u shpreh i zhgënjyer pas humbjes. “Vladimir bëri detyrën e shtëpisë së tij. Mua ma bëri shumë të vështirë. Gjithsesi, ky duel më vlejti si mësim dhe unë do t’i rikthehem palestrës për të mbajtur ritmin. Ky nuk ishte fundi! Sot bëra shumë pak gjëra ndryshe, por mbrëmja ishte e tij”.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *