Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT u promovua antologjia dygjuhësore me poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja ,,Viatique”

Në USHT u promovua antologjia dygjuhësore me poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja ,,Viatique”

17 prill- Botimi i ardhshëm në atë revistë që do t’i kushtohet posaçërisht poezive të Ali Podrimjes do të përfshijë po ato poezi të marra nga vëllimi ,,Buzëqeshje në kafaz” dhe në tërësi i ka të përkthyera prej kohësh, por që s’dolën, dhe disa prej tyre janë në këtë vëllim, se përmban poezi nga më shumë përmbledhje të Aliut, ku kemi botuar përafërsisht nga pesëdhjetë poezi”, tha Aleksandër Zoto.

Në sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës u promovua antologjia dygjuhësore me poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja “Viatique”. Vepra në fjalë është përkthyer dhe përgatitur në shqip e frëngjisht nga përkthyesi Alexandër Zoto. Përurimi i kësaj vepre është mbështetur nga USHT-ja dhe kompania ECOLOG. Me këtë rast, Rektori i USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti theksoi se përmbledhja antologjike e poezive të Ali Podrimjes në të ardhmen do ta përafrojë edhe më shumë popullin shqiptar me atë francez.

“Mirë se keni ardhur në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore për USHT-në, për qytetin e Tetovës dhe më gjerë! Universiteti ynë i ka dyert e hapura për evenimente të këtilla, veçmas kur bëhet fjalë për vepra të rëndësisë së veçantë, siç është përmbledhja antologjike e z. Aleksandër Zoto, të poezive të Ali Podrimjes, që sigurisht do të ketë ndikim në përafrimin e mëtejmë të kulturës shqiptare me atë franceze, me të cilën ka qenë e lidhur që në fillet e saj që datojnë nga Humanizmi dhe Rilindja e madhe evropiane… Kënaqësia jonë është e veçantë edhe për faktin se këtë përurim e bëjmë bashkë me mikun dhe mbështetësin e përhershëm të Universitetit tonë – Kompaninë multinacionale ECOLOG, të drejtuar nga familja fisnike Destani. Sigurisht që ngjarjet e mëdha si kjo hapin shtigje të reja bashkëpunimi e njohjeje nëpërmjet vlerave më sublime shpirtërore ndërmjet popujsh, shtetesh, gjuhësh dhe kulturash të ndryshme, dhe ne këtu e shohim rëndësinë e këtij takimi. Duke e falënderuar përzemërsisht botuesin e këtij libri dhe njeriun që e përktheu dhe përgatiti atë me shumë kompetencë profesionale, z. Aleksandër Zoto, uroj që ky takim t’i shërbejë pikërisht thellimit të komunikimeve të ardhshme në të mirë të kulturave të dy popujve tanë miq”, tha mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Ndërsa, Akademiku Ali Aliu duke folur për veprën tha se, përkthyesi Aleksandër Zoto është ambasadori i letërsisë tonë shqipe në Francë. “Përmes Francës edhe përtej ai është përkthyesi dhe përzgjedhësi, analisti i poetëve më të mëdhenj të poezisë tonë, dy nga të cilët i kemi sonte edhe këtu Ali Podrimja dhe Dritëro Agolli. Natyrisht se merita për këtë ka edhe botuesi nga Franca z.Filippe Biget. Unë sonte me ju do të ndaj disa mendime të mia mbi poezinë e Ali Podrimjës që pjesërisht i kemi të pranishme në këtë botim shumë të rëndësishëm për nga cilësia por edhe teknikisht është botim dygjuhësor me poezi edhe në shqip edhe të përkthyera. Ky është vëllimi i tretë i Ali Podrimjes i botuar në gjuhën frënge, do u them është autor që me tre vëllime është prezantuar përpara lexuesit francez. Nga biseda me profesorin Aleksandër Zoto më tha se në rrugë është edhe një botim tjetër i rëndësishëm i në frëngjisht i poezisë së Ali Podrimjes, gjithnjë nën kujdesin e profesorit, që kësaj here një nga revistat prestigjioze letrare ia kushton një numër të vetin poezisë së Ali Podrimjes, që në të vërtetë do të jetë një vepër në vete, ku do të ketë poezi të reja të pa përkthyera deri tani. Libri në fjalë ka nisur të realizohet sa ka qenë gjallë Ali Podrimja, domethënë parapërgatitjet e para, konsultimet me të janë bërë disa muaj para se Ali Podrimja të mos jetë në mesin tonë. Unë ta nisi që këtu, si një poet, në bazë të statistikave që kam unë është poeti më i përkthyer shqiptar për jashtë, jo shkrimtar por poet dhe ai së shpejti do të ketë katër vëllime në Francë, dy nga të cilat botohen pas vdekjes së tij, qysh i ka hapur rrugët në mënyrë kaq të sigurt poezia e Ali Podrimjes, para se gjithash është një poezi që nuk e njeh gjuhën e urrejtjes. Ali Podrimja është një nga poetët e parë, është i lindur në fillim të viteve 40 të shekullit të kaluar dhe në fund të viteve të 50-ta, ai u paraqit si poet gati i formuar, i talentuar”, shtoi më tej Ali Aliu.

Nga ana tjetër, akademiku Luan Starova tha se është një kënaqësi e veçantë të flas sot për mikun tim të ndjerë Ali Podrimjen, me rastin e këtij përurimi të veprës së tij botuar në gjuhën frënge. “Unë kisha dashur vetëm të parashtroj disa momente të cilat më kanë afruar me Ali Podrimjen, gjatë një periudhe mjaftë të gjatë. Ali Podrimjen unë e konsideroj si një ndër poetët më të mëdhenj evropian dhe shqiptar të shekullit XX. Pse poeti i madh evropian, para së gjithash ai pati forcën e poetit që ta shfrytëzojë momentin kryesor të periudhës së gjatë të realizmit socialist në Shqipëri kur muzat kryesore shqiptare jo se ishin të heshtura por ishin të njëzëshme dhe ai pati forcën ta sigurojë kontinuitetin e madh të poetëve siç janë Jeronim Derada, Ndre Mjeda dhe të tjerët e Rilindjes shqiptare. Kjo është një meritë e veçantë, merita e parë e poezisë të Ali Podrimjes. Si dhe ne shqiptarët e kemi si një autor emblematik, Ismail Kadarenë, sa i përket prozës, sa i përket identifikimit të shqiptarëve në përgjithësi në Evropë. Në një periudhë ka pasur më shumë njerëz që e kanë njohur emrin e Kadaresë, por jo edhe emrin e Shqipërisë. Domethënë, aq shumë ka bërë vepra e tij letrare, shpesh herë ia kam bërë pyetjen vetes, Kosova a e ka pasur poetin e vet emblematik siç ka qenë Kadareja për Shqipërinë, ose për shqiptarët në përgjithësi. Duke e përcjellë punën e Aleksandër Zotos me veprën, me përmbledhjen, me antologjinë, si i thotë ai në mënyrë modeste, të poezisë të Ali Podrimjes kjo është vepra e tretë dhe ai po bëhet me të vërtetë një institucion i rëndësishëm i shqiptarëve, mund të artikulohet bota e Ali Podrimjes e cila bëhet edhe një zë i rëndësishëm i cili mund të identifikohet tragjizmi i Kosovës”, kështu deklaroi Luan Starova.

Përkthyesi i veprës së Ali Podrimjes, Aleksandër Zoto potencoi se në sirtarët e tij ka edhe shumë poezi të Ali Podrimjes të cilat do t’i përkthej në gjuhën frënge dhe do t’i botojë në të ardhmen. “Dua të falënderoj akademikët, Ali Aliu dhe Luan Starova, për atë që thanë për mua, njëkohësisht një falënderim për Rektorin tuaj Prof. Dr.Vullnet Ameti i cili e ka bërë të mundur që të gjendem këtu në mesin tuaj, pasi për herë të parë kam qenë para disa vitesh në Festivalin Ditët e Naimit. Botimi me poezitë e Ali Podrimjës, siç u tha nga akademikët, ka pasur hapa të mëparshëm në depërtimin e poezisë së Ali Podrimjes në Francë, madje para kësaj antologjie ku përfshin poezitë nga të parat, e kisha përkthyer dhe ishte e pranishme në shumë revista franceze në atë kohë dhe pastaj erdhi koha për ta botuar si libër. Për mua shtegtimi i këtyre botimeve është një çështje sa miqësie po aq edhe letrare, nga se u lidha nëpërmjet poetit dhe mikut tim të përbashkët Eqrem Basha me Ali Podrimjen, që nga fillimi i viteve të 80-ta. Botimi i ardhshëm në atë revistë që do t’i kushtohet posaçërisht poezive të Ali Podrimjes do të përfshijë po ato poezi të marra nga vëllimi ,,Buzëqeshje në kafaz” dhe në tërësi i ka të përkthyera prej kohësh, por që s’dolën, dhe disa prej tyre janë në këtë vëllim, se përmban poezi nga më shumë përmbledhje të Aliut, ku kemi botuar përafërsisht nga pesëdhjetë poezi. Por, në sirtar më mbeten edhe mjaftë poezi të tjera të cilat do të dalin në të ardhmen”, tha Aleksandër Zoto.

Përndryshe, Rektori i USHT-së përkthyesit të poezive të Ali Podrimjes, Aleksandër Zoto i ndau një mirënjohje për punën dhe kontributin e tij që ka dhënë në këtë drejtim. Ndërsa, ky promovim u begatua edhe me disa pika artistike të përgatitura nga profesorët dhe studentët e Fakultetit të Arteve, si sopranoja Besiana Mehmeti dhe studenti Taulant Kolonja.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *