Home / Lajme / Maqedoni / Dyshime për krim dhe korrupsion me ekskursionet e shkollave

Dyshime për krim dhe korrupsion me ekskursionet e shkollave

24 Maj –
“Ju lutem nuk është e drejtë që një shkollë të organizojë ekskursionin e njejtë me 45 euro, ndërsa shkolla tjetër 65 euro.

Ekskursionet e shkollave në Maqedoni kanë shtuar dyshimet dhe debatet për manipulime, korrupsion dhe krim të organizuar.

Gjithçka funksionon në mënyrë ilegale, ku tenderët për organizimin e ekskursioneve realizohen përmes rrugëve kriminale, por para opinionit shfaqen tenderët transparentë.

Agjencitë turistike dhe që merren me organizimin e ekskursioneve bëjnë të ditur për manipulime të ndryshme dhe korrupsion, ku gjithë kjo i adresohet drejtuesve të shkollave.

Një punonjës i një agjencie turistike shpjegon për INA se si oferta e tyre më e lirë nuk merret parasysh në tender, derisa fiton oferta me çmim më të fryer.

“Këtu bëhet fjalë për krim të organizuar dhe korrupsion dhe ministria e brendshme duhet të ndryshojë mënyrën e tillë të organizimit të ekskursioneve. Lidhur me një tender për ekskursion ishin dy oferta të ngjajshme, me të gjitha kushtet e njejta që kërkohen, por më në fund fitoi ajo ku ishte interesi i drejtuesve të shkollave. Ne dyshojmë se ka involvime të ndryshme dhe korrupsion që bëhet në prapavijë, ndërsa transparenca shfaqet në opinion se gjoja gjithçka në rregull”, thekson bashkëbiseduesi për INA.

Në disa shkolla në Shkup, Kumanovë, Tetovë e qytete tjera ka ndodhur që të ketë oferta me dallim të madh, por ato më të leverdishme për nxënësit janë hedhur poshtë, ndërsa janë miratuar ofertat e majme, që shtojnë dyshimet për manipulime.

Zëvendësministri i arsimit Safet Neziri kohë më parë ka deklaruar se të gjithë ata që kanë dyshime mund të denoncojnë rastet e tilla dhe këtë mund ta bëj gjithkush, nxënës, prindër, profesorë apo edhe agjencitë turistike. Ai ka inkurajuar që kjo të bëhet në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.

Prindërit e shqetësuar në këtë fundvit shkollor janë viktimat më të goditura, pasi që ata duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për një ekskursion për fëmijën e tij që përfundon shkollimin fillor apo të mesëm. Një pjesë e tyre vazhdimisht kanë denoncuar përmes letrave tëndryshme dhe emailave në adresën e INA duke kërkuar që të ndërhyjë Inspektorati Shtetëror i Arsimit për të verifikuar gjithë tenderët dhe ofertat e dorëzuara nga agjencitë.

“Ju lutem nuk është e drejtë që një shkollë të organizojë ekskursionin e njejtë me 45 euro, ndërsa shkolla tjetër 65 euro. Pse fëmiu im të jap 20 euro më shumë, kur kemi njohuri se shkollat e tjera kanë organizuar ekskursionin më lirë dhe ka pasur oferta shumë të mira”, thekson për INA, një prindër, i cili ka shkruar një letër publike në emër të shumë prindërve të një shkolle.

Në Kosovë vitin e kaluar shpërthyen disa skandale për korrupsion dhe manipulime gjatë organizimit të tenderëve, ku ishin përfshirë drejtorë shkollash, por në disa raste edhe përfaqësues të inspektoratit të arsimit nëpër nivele komunale. Një pjesë e rasteve ka përfunduar në gjykatë duke u shoqëruar me arrestime dhe largime nga puna. (M.Mellova/INA)

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *