Home / Lajme / Maqedoni / Familjarët e të akuzuarve: Procesi “Monstra”, Pazar politik apo …!?

Familjarët e të akuzuarve: Procesi “Monstra”, Pazar politik apo …!?

01 mMaj – “Unë mendoj se para finales është ky spektakël dhe se ata janë të dënuar që kur u arrestuan. Megjithatë, prap ju them se ata janë të dënuar që kur u arrestuan, por asnjëherë nuk u dëshmua se janë radikalë islamik

Familjarët e të akuzuarve lidhur me rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit kanë kërkuar lirimin e të afërmve të tyre, duke konsideruar se ata po mbahen të pafajshëm dhe se akuzat e ngritura ndaj tyre janë të pabaza dhe pa dëshmi.

“Unë mendoj se para finales është ky spektakël dhe se ata janë të dënuar që kur u arrestuan. Megjithatë, prap ju them se ata janë të dënuar që kur u arrestuan, por asnjëherë nuk u dëshmua se janë radikalë islamik. Unë nuk po kuptoj se a jemi pjesë e ndonjë pazari politik, por e kam të qartë se njerëzit janë të pafajshëm. Pse kur romët dëshmuan në këtë proces, nuk janë liruar nga paraburgimi. Po a nuk ishin ata dëshmitarët kyç ?”, deklaroi Bedri Ajdari sot në Gjykatën Themelore Shkupi 1, vëllai i të akuzuarit Fejzi Aziri, i cili ngarkohet me veprën terrorizëm për pjesëmarrje në këtë vrasje akoma pa gjykim final, që ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin artificial Smilkovc, në periferi të Shkupit.

Gjithashtu u dëshmua edhe për targat e makinës që ishin përdorur tek makina “Opel Omega” me të cilën sipas prokurorisë u krye vrasja. Këto targa i takon një makinë tjetër të tipit “Mercedes Benz”, e cila nga viti 1998 deri 2005 ishte në pronësi të Irfan Bilallit nga Shkupi. Ky i fundit ka thënë para prokurorisë dhe trupit gjykues se nuk njeh asnjërin prej të akuzuarve në rastin “Monstra”.

Ai ka pranuar se makinën i`a kishte shitur një personi tjetër, që është taksist nga Shkupi dhe dorë pas dore në vitin 2005 makina ka kaluar në pronësi të shtetasit Qenan Arsllani nga Shkupi. Edhe ai sot para trupit gjykues ka dëshmuar duke thënë se nuk njeh asnjërin nga të akuzuarit, ndërsa makinën e voziste me emrin e pronarit të vjetër dhe nuk e kishte ndryshuar, për shkak të punës dhe angazhimeve tjera, duke e lënë pas dore.

Qenan Arsllani ka theksuar se nuk e di se kush i`a kishte hequr targat e makinës, e cila ishte e parkuar gjatë kohë në një vend parkimi në hapësirat e Koperativës Bujqësore “Fusha e Shkupit” në rrugën e vjetër Hasanbeg – Shkup.

Në seancën e sotme, me kërkesë të palës mbrojtëse, Dogana e Maqedonisë ka sjellë raportin e saj se makina e tipit “Opel Omega” nuk ka hyrë në rrugë legale në Maqedoni dhe nuk ishte doganuar.

Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 po zhvillohet për rreth dy vite procesi gjyqësor, ndaj shtatë të akuzuarve si autorët e vrasjes. Dosja disa faqëshe e Prokurorisë akuzon për vepër terrorizëm dhe vrasje të kryer: Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdini si dhe Haki Haziri për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Por nga fundi i vitit të kaluar u arrestua edhe një i ri tjetër shqiptar, Sami Luta, 27 vjeç nga Shkupi, i cili në aktakuzë thuhet se është bashkëpjesëmarrës në këtë vepër terrorizmi.

Së shpejti vendimi final i gjykatës

Gjykata së shpejti do të pastrojë dilemat për masakrën që ndodhi në prag të festës së pashkëve dy vite më parë pranë liqenit të Smilkovcit, ku u vranë pesë maqedonas, katër të rinj dhe një peshkatar, ndërsa për këtë vepër prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë shqiptarëve, duke i konsideruar si organizator dhe kryerës të kësaj masakre.

Të akuzuarit u arrestuan në kuadër të një operacioni policor të koduar “Monstra”, kur në majin e 2012 u shoqëruan dhjetëra burra dhe gra, nga rajoni i Shkupit, Haraçinës dhe Kumanovës, me dyshimet se ishin pjesë e realizimit të vrasjes dhe se në pretendimet e para MPB theksoi se bëhet fjalë për të xhihadit islamik.

Dy të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në burg në Prishtinë dhe se akoma nuk ka ndodhur ekstradimi i tyre, pas shumë kërkesave nga autoritetet e Shkupit.

Avokatët mbrojtës të të dyshuarve kanë hedhur poshtë si të pabaza akuzat e ngritura dhe dëshmitë e deritanishme të paraqitur nga hetuesia.
Deri tani janë mbajtur 35 seanca gjyqësore, ku janë dëgjuar të gjitha palët lidhur me vrasjen. Avokatët e të akuzuarve mbajnë qëndrimin se nuk ka dëshmi të besueshme për këtë rast. Ata nuk e pranojnë edhe dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, i cili konsiderohet si faktori kyç për aktakuzën.

Nga Gjykata Themelore Shkupi 1 kanë theksuar se gjatë muajve të ardhshëm do të jepet vendimi final i gjykatës. Akoma është e paqartë procedura e ekstradimit të dy akuzuarve kryesor, që po vuajnë burg në Kosovë, të cilët akuzohen si autorët kryesor të vrasjes. Vazhdimi i procesit gjyqësor po ndodhë pasi që avokatët e palës mbrojtëse kanë kërkuar përgjigje nga Interpoli dhe Doganat e Maqedonisë se në pronësi të kujt është makina “Opel Omega” me ngjyrë të kuqe, me të cilën siç thuhet në aktakuzë është shërbyer nga vrasësit për të kryer masakrën, dhe se sipas prokurorisë, në makinë është gjetur ADN si provë e njërit nga të akuzuarit kryesor Alil Demiri nga Haraçina. (M.Mellova/INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *