Home / Lajme / Maqedoni / Hoxhaj në Tetovë takon Ahmetin

Hoxhaj në Tetovë takon Ahmetin

9 maj-“Ne jemi në kontakte të përditshme, për shkak se funksionarët nga dy partitë në përbërjen e kaluar të qeverisë janë në pozicionet e tyre deri te formimi dhe zgjedhja e qeverisë së re edhe ata kanë pasur komunikim të rregullt të përditshëm. Dy partitë kanë platforma ligjore dhe momentalisht zhvillohen bisedime për afrimin e dy platformave”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka qëndruar në Tetovë në një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ai ka ndaluar në Tetovë, pas kthimit nga konferenca BE- Ballkani Perëndimor, që u zhvillua në Selanik.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, por edhe zyrtarë të tjerë të BDI-së, ku me theks të veçantë është biseduar për zhvillimet në Maqedoni pas zgjedhjeve të 27 prillit dhe fitoren e BDI-së në këto zgjedhje.

Por Ahmeti dhe Hoxhaj kanë theksuar se ata bashkërisht kanë biseduar edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe thellimin e tyre.

Dy bashkëbiseduesit pas takimit kanë dhënë edhe deklarata për mediat, duke u përqëndruar në zhvillimet në Maqedoni.

“Ministri Hoxhaj më uroi për rezultatet nga zgjedhjet parlamentare si dhe për rrjedhën e mirë të vetë procesit zgjedhor. Biseduam edhe për gjendjen politike në vend dhe rajon dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona, si dhe mundësitë për avancimin e tyre të mëtejmë. Përmirësimi i infrastruktusë dhe komunikimet janë rast i mirë për avancim të kushteve për qytetarët nga të dy vendet. Unë i dëshirova edhe proces të mirë dhe sukses në zgjedhjet parlamentare që më 8 qershor do të mbahen në Kosovë”, deklaroi Ahmeti.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj theksoi se të arriturat e deritanishme në Maqedoni janë si rezultat të punës së Ahmetit dhe partisë së tij.

“Ky ishte takim dhe mundësi e shkëlqyer e kryetarit të BDI-së Ahmeti që t’i urojë për fitoren historike të BDI-së në zgjedhjet parlamentare që do të thotë përforcim i pozicioneve të një partie, por edhe të Maqedonisë edhe të faktorit politik shqiptar në vend. Të gjitha rezultatet e arritura dekadën e fundit janë pasojë e punës së madhe të Ahmetit dhe të BDI-së, si dhe të angazhimit të tij personal. Kemi biseduar edhe për bashkëpunimin më të afërt të Kosovës dhe të Maqedonisë në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me këtë të kontribuojmë edhe për gjendjen më të mirë ekonomike dhe sociale”, theksoi ministri i jashtëm në largim, Enver Hoxhaj.

Ahmeti duke folur për zhvillimin e negociatave për formimin e koalicionit qeverisës, ka thënë se dyja palët po zhvillojnë bisedime për afrimin e dyja platformave.
“Ne jemi në kontakte të përditshme, për shkak se funksionarët nga dy partitë në përbërjen e kaluar të qeverisë janë në pozicionet e tyre deri te formimi dhe zgjedhja e qeverisë së re edhe ata kanë pasur komunikim të rregullt të përditshëm. Dy partitë kanë platforma ligjore dhe momentalisht zhvillohen bisedime për afrimin e dy platformave”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Gjithashtu lexo

BESA me Çupin dhe LR-PDSH me Agollin do të garojnë në Dibër

Partitë politike bashkë me degët komunale po i bëjnë përgatitjet e fundit para zgjedhjeve lokale, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *