Home / Lajme / Maqedoni / Letër publike drejtuar VMRO-DPMNE dhe partive politike shqiptare

Letër publike drejtuar VMRO-DPMNE dhe partive politike shqiptare

08 Maj – Një letër e firmosur nga intelektualë, komuniteti i biznesit dhe emra të tjerë të njohur për opinionin apelon për përgjegjësi nga partitë shqiptare, por edhe VMRO-DPMNE.

Një letër e firmosur nga intelektualë, komuniteti i biznesit dhe emra të tjerë të njohur për opinionin apelon për përgjegjësi nga partitë shqiptare, por edhe VMRO-DPMNE.

Kjo letër siç thuhet është firmosur nga grupi i akademikëve shqiptarë, Ali Aliu, Alajdin Abazi dhe Abdylmenaf Bexheti , Rektori i USHT Prof. Vullnet Ameti, Kryetari i Odes Ekonomike të Maqedonisë veriperendimore Menderez Kuçi së bashku me një grup intelektualësh, Xhevdet Hajredini, Naser Ziberi, Ismet Ramadani dhe Albert Musliu.

Në këtë letër kërkohet që të pranohet verdikti i popullit shqiptar po me aq seriozitet sa edhe vullneti i popullit maqedonas dhe të respektohet kërkesa e popullit shqiptar e dalë nga këto zgjedhje nëpërmjet partisë fituese në kampin politik shqiptar.

Më poshtë vijon letra e plotë publike:

Apel subjekteve politike të Republikës së Maqedonisë!

Ne, grupi i intelektualëve të nënshkruar më poshtë, të motivuar nga situata post-zgjedhore, e ndjejmë të nevojshme që me këtë apel të japim kontributin tonë në drejtim të zgjidhjeve racionale politike, si në formimin e qeverisë së ardhshme, ashtu dhe në çështjet tjera në interes të vendit.

Pa dyshim ky apel duhet nënkuptuar drejt, i paanshëm dhe parimor. Disa nga qëndrimet tona individuale, rreth paarsyeshmërisë që u shkaktua me këto zgjedhje të parakohshme janë të njohura. Megjithatë ato ndodhën edhe tani duhet menaxhuar rezultati i tyre. Çdo tentim për etiketim të anësisë së këtij apeli me subjekte të caktuara politike paraprakisht është i pabazë.

VMRO-DPMNE, si parti më e madhe fituese, që sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi do t’i takojë mandati për formimin e qeverisë së re, duke respektuar praktikën tanimë të ndërtuar, pritet të ftojë edhe parti politike që prezanton shqiptarët në formimin e qeverisë.

Mendojmë se ditëve të fundit, sikundër dhe para zgjedhjeve, ka pasur dhe ka paraqitje të ndryshme te partitë politike te kampusi shqiptar dhe maqedonas që krijojnë huti dhe që në plan të parë kanë përmbushjen e ambicieve individuale ose grupore, duke i lënë në plan të dytë interesat kombëtare dhe të shtetit si dhe duke bërë veprime që janë në kundërshtim me parimet bazë të demokracisë përfaqësuese.

Nëse shqiptarët nuk do kenë në pushtet partinë për të cilën si shumicë janë përcaktuar, ata në të vërtetë mbeten pa orientuesin më elementar të vullnetit të vet politik, mbeten pa përcaktuesin e sjelljes së tyre politike respektivisht nuk e kanë kriterin themelor të statusit të vetë politik.

Në këto rrethana, përfitojmë nga rasti për tu bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, veçanërisht VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së,që të sillen në përputhje me mandatin e marrë, si dhe miqve tanë ndërkombëtarë që ta lehtësojnë këtë proces drejt stabilizimit të demokracisë dhe forcimit të besimit të ndërsjellë, edhe ashtu të brishtë, në këtë shtet multietnik.

Një apel të posaçëm i drejtojmë NATO-s dhe BE-së, që në këto momente decizive, të mos lejojnë gjithë ajo që është ndërtuar me vite edhe me angazhimin dhe investimin e tyre, të vihet në pikëpyetje. Ky shtet multienik, nuk guxon të futet në turbulenca të paparashikueshme politike dhe të sigurisë, andaj, ka nevojë për mbështetjen tuaj, që sa më shpejtë t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në këto organizma, si orientim strategjik për të cilën kemi konsensus qytetarë dhe etnik.

Kërkojmë nga VMRO-DPMNE, që ta pranojë verdiktin e popullit shqiptar po me aq seriozitet sa edhe vullnetin e popullit maqedonas, dhe të respektojë kërkesat e popullit shqiptarë të dalë nga këto zgjedhje nëpërmjet partisë fituese në kampin politik shqiptar.

Kërkojmë nga BDI-ja, që në asnjë mënyrë të mos shkelë mbi vullnetin 153.000 votuesve që e mbështetën atë dhe të mos pranojë pozicion inferior në qeveri dhe mbi të gjitha, të mos e përbuzë këtë vullnet duke u bërë instrument i ndonjë partie maqedonase, pa marrë parasysh, presionet, shantazhet dhe lojnat e ndryshme politike që mund të luhen me ndonjë parti tjetër, që nuk e ka vullnetin e popullit shqiptar. Nuk ka arsyetim që mund ta justifikojë shmangien nga premtimet, gjersa e ka përkrahjen kaq të fuqishme të popullit shqiptar. Nuk janë të pranueshme kurrfarë arsyetimesh për shmangien nga programi zgjedhor e aq më pak ato të natyrave të shantazheve politike nga kushdo qofshin. Mbi bazën e parimeve që u fitua shumica e përkrahjes politike duhet mbetur konsekuent për pjesëmarrje në qeverisje. Por, kuptohet, që ky besim duhet të vihet në funksion të forcimit të besimit të ndërsjellë të partnerëve në qeverisje duke punuar edhe në uljen e tensioneve brenda shqiptare që u ngritën gjatë fushatës zgjedhore.

Presim që PDSH, të respektojë 66.000 votat shqiptare dhe të luajë rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në proceset politike në përputhje me interesat kombëtare dhe shtetërore. Sinergjia politike duhet të jetë në funksion të qëllimeve tona kombëtare dhe të interesave të qytetarëve. Votat shqiptare ashtu siç janë fituar me programe të caktuara politike duhet të fuqizojnë pozitat shqiptare për të cilën jemi të mendimit se janë relativizuar tej mase. Çdo shmangieje nga ky rrol që ia ka përcaktuar votuesi shqiptar, do të llogaritet për shantazh të procesit,e që padyshim do të rezultojë në dëmin e shqiptarëve.

Verdikti i popullit është dhe duhet të mbetet mbi çdo interes partiak apo individual.

Ne të poshtë nënshkruarit, jemi të bindur se Republika e Maqedonisë, do të shënojë progres dhe stabilitet politik, vetëm nëse qeveriset me programet e partive, që marrin shumicën në dy kampet politike; atë maqedonas dhe atë shqiptar. Kjo lloj qeverisje do të fuqizohet nëse qeveria e ardhshme do të mbetet fortë në kursin strategjik – anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE.

Në fund, duam të theksojmë se para subjekteve politike qëndron një përgjegjësi e madhe për shkak të sfidave të shumta të brendshme dhe në planin ndërkombëtar. Këtë përgjegjësi nuk mund ta bartë një qeveri e cila nuk do ta reflektonte vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *