Home / Lajme / Rajon / Mbi 300 fëmijë, punëtorë droge në Lazarat

Mbi 300 fëmijë, punëtorë droge në Lazarat

19 maj-Numri i tyre, në vend që të ulet, rritet, ndonëse në periudha të caktuara të vitit, vërehen luhatje të shifrave, si pasojë e “shtegtimit” të tyre, në zonat bregdetare, gjatë sezonit të verës, kryesisht në Durrës. Shumica e fëmijëve të identifikuar si lypës janë nga komunitetet rome dhe egjiptiane

Rreth 300 fëmijë kultivojnë dhe korrin marijuanë në Lazarat, të paktën dy vitet e fundit. Ndërsa fëmijët nga rajonet e largëta, në dijeni të këtij fenomeni, e konsiderojnë si një nga “punët” më të mira për të fituar shumë para në një kohë të shkurtër. Arsyeja që ka nxitur shtegtimin e shumë fëmijëve, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre, në muajt shtator-tetor, drejt Lazaratit, shkruan Gazeta Shqip.

Kjo është një nga të vërtetat, që na njeh me një fenomen të ri për Shqipërinë, i cili është zbardhur në studimin e parë kombëtar mbi Fëmijët në Situatë Rruge në Shqipëri, të realizuar në kuadër të Reformës së Shërbimeve Sociale nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNICEF, Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Save the Children, ARSIS, GFK dhe një ekspert ndërkombëtar. Zbardhja e plotë e këtij studimi do të bëhet nesër, në një event, që do të realizohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale, ku të pranishëm do të jenë ministri i Mirëqenies, Erion Veliaj, Kryeministri Edi Rama dhe organizatat jofitimprurëse, që morën pjesë në hartimin e studimit.

“Studimi nxjerr në pah një fenomen të ri të hasur gjatë fazës së dytë të numërimit lidhur me kultivimin e marijuanës në Lazarat (Gjirokastër), i cili përfshinte 312 fëmijë. Edhe fëmijët nga rajonet e largëta e përmendën këtë si një mundësi që ofronte fitime të larta, duke sugjeruar se fëmijët dhe familjet e tyre mund të lëviznin në atë zonë. Lëvizshmëria u konfirmua si një veçori e fëmijëve në situatë rruge, por më specifikisht familjeve të tyre, duke qenë se fëmijët më të vegjël kishin ndjenjën se i përkisnin vetëm një qyteti, duke mos mbajtur mend migrimin e mëparshëm të familjes së tyre”, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të studimit.

Fëmijët, që shesin stilolapsa, bajame, aromatikë makine, që lypin për para, mbledhin materiale plastike apo kanoçe në kazanët e mbeturinave, apo që punojnë në të zezë në ngarkim-shkarkim, mbeten fenomenet më shqetësuese në vend. Pasqyrë që reflekton qartazi, sesi shfrytëzohen fëmijët në mes të ditës, në mes të kryeqytetit, por edhe të rretheve të tjera të vendit, të gjinive e grupmoshave të ndryshme, në shkelje flagrante me legjislacionin në fuqi, që mbron të drejtat e tyre. Numri i tyre, në vend që të ulet, rritet, ndonëse në periudha të caktuara të vitit, vërehen luhatje të shifrave, si pasojë e “shtegtimit” të tyre, në zonat bregdetare, gjatë sezonit të verës, kryesisht në Durrës. Shumica e fëmijëve të identifikuar si lypës janë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

“Fëmijët janë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të lidhura me rrugën. Më të zakonshmet janë shitja e sendeve të ndryshme (38% faza 1- 25% faza 2) të tilla si cigare, çakmakë, ujë, produkte bujqësore dhe artikuj ushqimorë, lule, stilolapsa, lapsa, aromatikë makine ose aksesorë të tjerë, si dhe lypja për para (35% faza 1 – 21% faza 2), riciklim i materialeve plastike dhe metalike (8% faza 1 – 20% faza 2), dhe punë (12% faza 1 – 15% faza 2). Punët informale përfshijnë ngarkimin dhe shkarkimin e kamionëve të mallrave, puna në bujqësi, pastrimi i rrugëve, pastrimi i varrezave, përkujdesja për shezllonet në plazhe, puna në hyrjet e minierave, si dhe performanca në rrugë. Trendi në punët jozyrtare është drejt një diversiteti në rritje të aktiviteteve dhe këto punë shkojnë përtej infrastrukturës urbane më shumë sesa besohej më parë”, thuhet në studimin kombëtar mbi fëmijët në situatë rruge. Duke marrë parasysh të gjitha burimet e informacionit, që çuan në vlerësimin sasior dhe cilësor, studimi nxjerr në pah profilet themelore të fëmijëve në situatë rruge në aspektet e moshës, gjinisë, grupit etnik, si dhe aktiviteteve të kryera dhe se si ato kryheshin. Në të paraqiten edhe shkaqet e disa aspekteve të rëndësishme të lidhura me lëvizshmërinë, familjet, shëndetin, arsimin dhe kuadrin e shërbimeve sociale. (Gazeta-Shqip/INA)

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *