Home / Lajme / Maqedoni / Nënkryetarët, Boneva nga VMRO, Aliti nga BDI, vend edhe për PDSH-në?

Nënkryetarët, Boneva nga VMRO, Aliti nga BDI, vend edhe për PDSH-në?

Shkup, 27 Maj – Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski ka vendosur edhe në këtë mandat të ketë tre nënkryetarë, por ende nuk dihet cilët nga deputetët do të zëvendësojnë kryetarin aktual.

Edhe pse Parlamenti dje ka pranuar propozimin e Veljanoskit që ai të zgjedh tre nënkryetarë, partia në pushtet VMRO-DPMNE nuk di si t’ia bëjë me vendin e nënkryetarit që i përket partisë më të madhe opozitare, në këtë rast LSDM-së.

Sipas praktikës së deritanishme, në dy vendet tjera të zëvendëskryetarëve do të zgjidhen deputetë nga VMRO-DPMNE dhe BDI.
Nga partia në pushtet ende nuk kanë qëndrim konkret si do të zgjedhin problemin me vendin e nënkryetarit që tani për tani është i zbrazët, sepse LSDM nuk merr pjesë në punën e Parlamentit dhe është e qartë se nuk do të propozojë kandidat nga radhët e tyre.

Në VMRO-DPMNE thonë se në dispozicion kanë dy mundësi. Njëra, vendi të mbetet vakant derisa LSDM të vendos se si do të veprojë tutje, respektivisht nëse deputetët e tyre do të japin dorëheqje ose do të kthehen në Parlament.
Mundësia tjetër është që ai vend t’i ofrohet PDSH-së, si parti e vetme opozitare e pranishme në Parlament, edhe pse atë mundësi Veljanoski e hodhi poshtë.

Në VMRO-DPMNE dhe në BDI nuk zbulojnë se kush nga radhët e tyre do të ulet në karrigen e nënkryetarit, duke pasur parasysh që dy nënkryetarët e mëparshëm të Veljanoskit, Svetlana Jakimovska dhe Suzana Saliu më nuk janë deputete.

Jozyrtarisht, spekulohet se ka mundësi që në vend të Jakimovskës të zgjidhet ish koordinatorja e VMRO-DPMNE-së Silvana Boneva, derisa në BDI gjithnjë e më shumë përmendet emri i Rafiz Alitit, i cili dhe ishte në këtë funksion në periudhën deri në vitin 2011.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *