Home / Sport / Seferi: Flamuri dhe bashkëkombësit më motivojnë

Seferi: Flamuri dhe bashkëkombësit më motivojnë

Me fitoren kundër kampionit të Evropës, Tamas Lodi në luftën që zgjati 12 raunde , Nuri Seferi i njohur si “Tajsoni shqiptar” pas një viti e gjysmë, përsëri ktheu titullin kampion europian. Gjatë qëndrimit të tij në Tetovë shfrytëzuam rastin për të biseduar për planet e tija, pas fitores dhe kthimit të titullit të kampionit të Evropës në versionin WBO.

Nuri, pas një viti e gjysmë me fitoren e kundër hungarezit Tamas Lodi arritët të ktheni përsëri titullin e kampionit të Evropës, që e keni mbajtur më tepër se dy vite e gjysmë. Na thoni si ndiheni?

Seferi:Ndihem shumë i lumtur dhe tamam i çliruar. Pas humbjes së titullit tim që e kisha në pronën time dy vjet e gjysmë, për arsye shëndetësore nuk arrita ta mbroj në kohë, titulli im u shpall vakant. Për atë titull pastaj boksuan Tamas Lodi me një boksier nga Finlanda, ku Lodi arriti që ta mposht finlandezin, dhe kështu që e fitoi titullin tim. Federata e versionit WBO e kushtëzuan Tamas Lodin që në momentin që do të rikthehem unë, duhej medoemos ta mbroj titullin një herë kundër meje, pastaj pasi që të fitonte do të arrinte ta mbroj edhe me tjerë boksier. Falë Zotit unë arrita që ta mposht dhe ta rikthej titullin e Evropës në pronën time.

Në vitin 20014 për një periudhë shumë të shkurtë arritët të luftoni me dy kundërshtar të nivelit cilësorë. A do të thotë se tani ndiheni shumë më i fortë ?
Seferi: Është shumë e vërtetë, me 11 prill boksova me një boksier nga Venezuela me renome botërore Gusmyr Perdomo. Ajo ishte një ndeshje shumë e vështirë, shumë e rëndë për mua. Mirëpo, edhe aty falë punës time arrita edhe atë ta mposht në Berlin të Gjermanisë dhe në fakt titulli Evropian nuk ishte fare i planifikuar për të boksuar në maj, për arsye se ishte një kohë shumë e shkurt nga 11 prilli. Për momentin ndjehem në formën më të mirë të jetës time dhe kështu i lutem menaxherit tim që sa më shpejt të jetë e mundur të më japë shansin të boksoj për titullin e Evropës. Falë punës së tij dhe aftësive të menaxherit tim Eroll Çejlan nga Gjermania, arriti ta realizoj këtë gjë dhe me 16 maj e realizova ëndrrën time, njëkohësisht e shpërbleva mundin dhe punën e menaxherit tim.

Në dy luftërat e fundit në Berlin dhe Hamburg keni pasur përkrahjen e madhe të tifozëve, adhuruesve të boksit, në veçanti nga ato shqiptarë. Çka do të thotë kjo për ju?
Seferi: Unë si gjithmonë u jam shumë falënderues të gjithë tifozëve të boksit shqiptar, me të vërtetë janë siç kam përmendur në shumë raste janë forca, motivi im, që më japin kurajë në çdo ndeshje që zhvilloj unë. Të jem pak më i sinqertë, flamuri dhe bashkëkombësit e mi janë ato që më japin motiv të çoj lartë flamurin kombëtar, sepse ajo gjë nuk është që blihet me lek apo për ndonjë lloj interesi. Jam shumë krenar që mund sado pak t’i ngre vlerat dhe meritat e kombit shqiptar, njëkohësisht i falënderoj të gjithë bashkëkombësit e mi në gjithë trevat shqiptare për mbështetjen e jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur dhe falënderues.

Gjatë qëndrimit në vendlindje për një pushim të shkurt, kampioni evropian i boksit profesional do të pritet nga kreu i komunës së Gostivarit. Cili është qëllimi këtij takimi?
Seferi: Ta them kështu sinqerisht nuk e kam shumë idenë. Mirëpo, ma konfirmuan që kanë organizuar diçka Komuna e Gostivarit, për sukseset e mia, për fitimin e titullit Kampion Evrope. Jam shumë falënderues për këtë organizim qo do më bëjnë.

Tani kur më jeni kampion i Evropës, na thoni cilat janë planet e tua gjatë këtij viti?
Seferi: Planet e mia janë… lufta e 16 majit ishte një luftë klasifikuese për të sfiduar kampionin e botës. Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit do jetë Konventa e Federatës Botërore të WBO në Las Vegas, ku aty jemi të ftuar unë dhe menaxheri im. Aty besoj se do të vendoset, pastaj gjasat janë shumë të mëdha që unë të kaloj në vendin e parë në listën botërore dhe të jem sfidues i radhës i kampionit të botës Marco Huck. Besoj që kjo gjë do të arrihet në fund të shtatorit në Las Vegas.

Nuri për në fund na thoni ku kishit pasur dëshirë që të zhvillohet lufta për titullin e kampionit të botës?
Seferi: Normal, dëshira ime është që kjo ndeshje, kjo sfidë kaq e madhe të zhvillohet në trojet shqiptare Tiranë, Prishtinë apo në Shkup. Fatkeqësisht gjasat janë shumë të vogla për tu realizuar një ndeshje e tillë këtu, por unë shpresoj gjithmonë dhe kam besim ndoshta kjo gjë mund të realizohet në Tiranë. Jam në bashkëpunim me disa miq të mi, të shoh, t’ia lëmë kohës, ndoshta dhe mund të realizohet kjo gjë në trojet shqiptare.

INTERVISTOI: SHABAN SINANI

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *