Home / Lajme / Rajon / Shqipëri, dëshmi të reja për aeroplanin me drogë (FOTO)

Shqipëri, dëshmi të reja për aeroplanin me drogë (FOTO)

Shqipëri, 13 Maj – Një dëshmi e re, që bie ndesh me versionin e policisë është bërë për BalkanWeb nga një dëshmitar okular. Ai quhet Lenci, një djalë i ri që thotë se ka qenë aty që në momentin kur avioni u shfaq dhe u rrëzua në rërën e plazhit.

Sipas tij, avioni që u rrëzua në Divjakë ka pasur ngarkesë me vete të cilën e morën disa persona me makina, ndërkohë që Ministria e Brendshme theksoi se ngarkesa në makina do të ngarkohej në avion.

Lenci ka realizuar foto në çastin kur avioni është rrëzuar në rërën e Divjakës. Djaloshi ka frikë, nuk dëshiron të identifikohet si dëshmitar okular. Por ai vë në dispozicion të BalkanWeb këto foto që dëshmojnë çfarë ndodhi pak çaste pas rrëzimit së avionit tip ‘Piper’. Në foto vihen re qartë disa persona që mbajnë në duar çanta të zeza. Dhe personat janë të veshur me të zeza gjithashtu. Ndërsa një automjet tip ‘Golf’ qëndron pak metra larg avionit.

Lenci, i cili ndodhej së bashku me shokë në plazhin e Divjakës në datën 10 Maj, rrëfen se në çastet e rrëzimit të avionit rreth mjetit fluturues u afruan disa makina, një automjet tip Golf dhe 6 Mitsubishi.

“Ishim ne atje në atë kohë dhe qëlloi që sa erdhëm nga Lushnja për të pirë ndonjë birre dhe kur shohim ne po binte ky (avioni) po bënte kshu domethënë si njeri i dehur ..më pas e shohim ne, se bie ky avion afër plazhit dhe dalin dy veta nga aeroplani. Njëri prej tyre nxjerr celularin me vrap, vjen një Golf dysh i pari. Më pas vijnë 6 Mitsubishi 2 të zinj dhe 4 gri ngarkohen këta të gjithë po nuk mundëm ti kapnim dot ne dhe këto mezi i kemi kap se na përzunë sa erdhën makinat. Ndenjëm aty afër deri kur erdhi policia. Policia erdhi 2 orë e 30 minuta me vonesë”.

Lenci rrëfen se personat pranë avionit i përzunë të rinjtë me fjalë fyese.
“Ata na thanë ikni ju plehra, ca nuk na than atje kupton… Ne nuk bëmë foto të tjera vetëm nga frika se na shan. Na than, ikni bira k….sh…”.

Avioni tip “Piper Lance II” ndodhet aktualisht nën ruajten e policisë në rërën e plazhit të Divjakës ku mbeti i bllokuar prej datës 10 Maj. Avioni qëndron aty dhe pse ka përfunduar ekspertiza.

Avioni “Piper Lance II” u bllokua të shtunën nga policia në plazhin e Divjakës, vetëm 400 metra larg një automjeti të ngarkuar me 460 kilogramë drogë.
Ngjarja ndodhi më 10 Maj në orën 14:40 dhe u pikas nga banorë të zonës të cilët sinjalizuan se një avion pësoi defekt dhe u ul në rërën e plazhit të Divjakës. Piloti i avionit, shtetasi italian Giorgio Riformato, u ndalua ndërsa transportuesi i ngarkesës së drogës me makinë, Saimir Bajrami, u arrestua pak orë pas ngjarjes.

Në momentin e arrestimit, të dyshuarit Saimir Bajrami i janë sekuestruar dhe 27 000 euro. Ai akuzohet se ka afruar në zonën ku u ul avioni makinën tip “Mitsubishi” me targë “AA 794 EU” me një ngarkesë droge të llojit hashash.

Selfollari: Çantat e shfaqura janë të pilotit italian

“Çantat që duken në fotografitë e publikuara në media janë të pilotit italian, janë sekuestruar dhe ndodhen në Prokurori”.

Deklarata u bë nga Shefi i Sektorit të Antitrafikut te droges, Sokol Selfollari duke reaguar keshtu ndaj fotove te publikuara ne BalkanWeb të cilat u siguruan nga një deshmitar në vendgjarje i cili rrëfeu dhe skenën me avionin në Divjakë. Sipas Selfollarit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur makina të tjera dhe makina me targa Elbasani që duket në foto, është e një efektivi policie. Por, shefi i sektorit antidrogë në deklaratën e tij nuk sqaroi se përse cantat u tërhoqën nga 2 policët e Divjakës dhe pa praninë e grupit hetimor.

Trafikanti: 400 euro për çdo kg transport, drogën e fsheha në magazinat e Divjakës

I detyruar nga kriza financiare, 39-vjeçari Saimir Bajrami është përfshirë në historinë e trafikut të drogës. Të paktën kjo është arsyeja që ka dhënë para grupit hetimor i riu nga Kruja, ku ka shpjeguar me detaje të gjitha njohjet me italianin, takimet e tyre në një hotel në kryeqytet, si dhe planet për trafikun e drogës përmes Divjakës.

Çfarë pune keni bërë në Itali?

Unë në Itali kam punuar në fushën e ndërtimit, ku kam pasur një firmë ndërtimi. Aktualisht e kam mbyllur aktivitetin për shkak të krizës financiare që na ka zënë.

Kur vendose të përfshiheshe në trafikun e drogës?

Gjatë qëndrimit në Itali, për shkak të krizës, në komunikimet që kam bërë me shtetasin Giusepe, mbiemrin e të cilit nuk e kujtoj, kemi biseduar të dy që të merreshim me trafikim të lëndës narkotike nga Shqipëria për në Itali, ku aty Giuzepe mori përsipër që të siguronte shitjen e saj. Ndërsa unë mora përsipër që të bëja sigurimin e lëndës narkotike, cannabis sativa, transportin e së cilës do ta bëja nëpërmjet një piloti, me të cilin do të më ndërmjetësonte Giuzepe.

Kush është Giusepe dhe kur e keni takuar atë?

Giusepen e kam takuar më datë 21 prill, pra rreth tri javë më parë. Ishte ai që mori përsipër gjetjen e një piloti, për të cilin më tha se quhej Eli dhe ishte nga Milano. Folëm edhe për çmimin e trafikut, ku për çdo kilogram pilotit do t’i paguhej 400 euro.

Kur jeni takuar me pilotin italian?

Pasi kishin kaluar afro dy javë me italianin Giusepe, jam takuar në Tiranë me personin e quajtur Eli, i cili më pas doli se quhej Giorgio Riformato.

Kur e bëtë planin për trafikimin e lëndës narkotike?

Gjatë takimit të parë, më 8 maj, ne folëm për vendin se ku do takoheshim. Në datën 09.05.2014, rreth orës 11:00 kam shkuar përsëri tek hoteli ku ndodhej piloti, kemi ngrënë drekë bashkë dhe aty së bashku me të kemi biseduar se ku do të gjenim vendin e përshtatshëm për ngarkesë. Në televizor kisha dëgjuar se vend i përshtatshëm për këto punë ishte Divjaka. Piloti më tha se nga GPS-ja kishte mësuar se në fushën e Gjadrit ai nuk mund të ulej, sepse në pistë ishin vendosur betona dhe më tregoi se e vetmja mundësi ishte që të ulej në zonën e Divjakës. Gjithashtu, unë kisha parë që për këtë zonë po ziheshin politikanët ndërmjet tyre në parlament dhe nuk mund të bëhej. Më kërkoi që të dy të shkonim dhe të shikonim vendin konkretisht. Në 9 maj jemi nisur të dy nga Tirana, me makinën fuoristradë që më është kapur, makinë të cilën unë ia mora kushëririt.

Ku e morët drogën?

Pas takimit që pata në Italia, erdha në Shqipëri dhe bleva drogën nga një person tjetër në Krujë dhe kam paguar 300 euro për kilogram. Kam marrë në total 207 kilogramë, duke paguar në dorë rreth 56 mijë euro. E kam fshehur drogën në një magazinë, pranë zonës së Divjakës dhe në 10 maj, rreth orës 13:00 jam nisur drejt Divjakës. Rreth orës 14:30 minuta kam mbërritur në Divjakë dhe isha në pritje të avionit. I çova mesazh nga karta italiane pilotit dhe i thashë se jam tek vendi. Ai më ktheu përgjigje dhe më tha se për pak nisem.

Çfarë ndodhi më pas?

Kur kam mbërritur në Divjakë, pashë se aty ndodhej edhe një makinë tjetër e tipit “Volkswagen Passat” me ngjyrë gri, në të cilën ndodheshin dy persona. Menjëherë kuptova se edhe ata kishin bërë marrëveshje me pilotin dhe ishin në pritje të ardhjes së avionit. Kur po afrohej avioni dhe pasi ai preku tokën për rreth 40 metra, një nga rrotat takoi në një vend të ngritur dhe u thye. Kur pashë avionin që përfundoi me hundë në rërë, unë u largova sepse avioni nuk mund të ngarkohej dhe të ngrihej sërish në fluturim. Edhe makina tjetër u largua.

Si ju kapi policia?

Kur po ikja, makina pësoi një defekt në fraksion. Kam ecur për afro 3-4 kilometra në pyll, ku kam hedhur edhe dy telefonat, një me kartë shqiptare dhe një me kartë italiane. Në pyll më doli para një patrullë policie dhe më kapën. (BW/INA)

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *