Home / Lajme / Maqedoni / Besimi në tryeze të rrumbullakët me temë “Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian” (VIDEO)

Besimi në tryeze të rrumbullakët me temë “Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian” (VIDEO)

Tetovë, 03 Qershor – “Ky mandat do të jetë mandati i një “Evrope më të kujdesshme” lidhur me zgjerimin e BE-së, sepse kritikat do të jenë shumë më të zëshme rreth plotësimit të kritereve nga ana e vendeve kandidate për anëtarësim në Union”, theksoi Besimi duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar se nëse do ketë “më shumë” apo “më pak” Evropë sa i përket disponimit për zgjerim të mëtutjeshëm të saj

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian” që u organizua nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.
Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë akademik të shquar, profesorë, intelektual nga Maqedonia të sferës së Eurointegrimeve, ku patën mundësinë që bashkërisht të diskutojnë dhe të analizojnë rezultatet nga zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ndikimin e tyre në disponimin e Qeverive dhe qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së.
Zëvendëskryeministri Besimi hapi debatin duke cituar njërin nga themeluesit e Bashkimit Evropian, Zhan Mone, i cili thotë: “Kur ballafaqoheni me furtunë, e vetmja mënyrë për të dal nga to është të mbani drejtimin që keni marr. E vetmja gjë që nuk duhet ndryshuar është drejtimi” që do të thotë se edhe krahas sfidave, agjenda e BE-së mbetet qëllimi kryesor i përbashkët i rajonit dhe i BE-së.
Në debat u diskutua se edhe pse euro-skeptikët për herë të parë morën më shumë mandate në Parlamentin Evropian se sa në zgjedhjet e mëparshme, megjithatë shumica e mandateve parlamentare u takojnë partive pro-evropiane apo atyre neutrale, që do të thotë përkrahje për zgjerimin e BE-së.
“Ky mandat do të jetë mandati i një “Evrope më të kujdesshme” lidhur me zgjerimin e BE-së, sepse kritikat do të jenë shumë më të zëshme rreth plotësimit të kritereve nga ana e vendeve kandidate për anëtarësim në Union”, theksoi Besimi duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar se nëse do ketë “më shumë” apo “më pak” Evropë sa i përket disponimit për zgjerim të mëtutjeshëm të saj.
Në debat kryesisht u theksua se rezultatet e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian pasqyrojnë disponimin dhe qëndrimet e evropianëve për mënyrën e funksionimit të BE-së, politikat që sillen dhe zbatohen në nivel evropian si dhe mënyrën në të cilën liderët evropian ballafaqohen me sfidat, posaçërisht pas pasojave të krizës ekonomike që përfshiu Evropën në periudhën e fundit.
“Presim që zgjerimi i BE-së të jetë në agjendën e Parlamentit Evropian të ardhshëm sepse integrimi Evropian mbetet alternativa me e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe mendojmë se kjo është me interes edhe për BE-në. Vazhdojmë me përkushtimin tonë për një të ardhme Evropiane” – theksoi Zëvendëskryeministri në tryezën e rrumbullakët.
Ai edhe një herë potencoi qëllimin strategjik të Republikës së Maqedonisë i cili është zbatimi i reformave dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe mes tjerash theksoi se për rajonin tonë edhe më tej, perspektiva evropiane mbetet gjenerator i lëvizjeve pozitive demokratike dhe e zhvillimit ekonomik.
“Ideja e BE-së, si për Republikën e Maqedonisë ashtu edhe për tërë rajonin, është ide që bashkon dhe që kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor” – me këtë zëvendëskryeministri Besimi përfundoi debatin duke iu falënderua të pranishmëve për kontributin e tyre në këtë tryezë të rrumbullakët.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *