Home / Sport / Botërori shkelmon topin e parë, ja si do jetë “show” i hapjes!

Botërori shkelmon topin e parë, ja si do jetë “show” i hapjes!

Para ndeshjes së parë Brazil-Kroaci do jetë radha e ceremonisë hapëse në stadiumin e Sao Paulos (duke nisur nga ora 20:15). Ja “prapaskenat” pikante….

Dita e shumëpritur nga të gjithë të “sëmurët” pas futbollit, erdhi! Pasi ka mundur të hedhë, jo pa vështirësi, prapa krahëve javë e javë protestash apo grevash, Brazili është gati për t’i dhënë “shkelmimin” e parë këtij kampionati botëror jubilar. I konsideruar si atdheu i ‘topkëmbës’ dhe tashmë mikëpritës i këtij kompeticioni për herë të dytë në histori (më parë në ’50), siç është traditë do ta hapë vetë këtë Botëror në përballjen me Kroacinë. Por përpara, natyrisht do të jetë radha e ceremonisë hapëse në stadiumin e Sao Paulos (duke nisur nga ora 20:15), për të cilën janë zbuluar edhe disa “prapaskena” pikante.
Kështu, pikë së pari, protagonistët e mëdhenj të festës do të jenë “imazhet” legjendare të disa përfaqësueseve. Ndërkohë që një nga objektet më tërheqëse të mbrëmjes, që pritet të ndiqet nga gati 3 miliardë telespektatorë në mbarë rruzullin, do të jetë sfera gjigante e formuar nga më shumë se 90 mijë drita “LED”. Kurioz është fakti se ceremonia do të zgjasë rreth gjysmë ore, por për ta përgatitur, organizatorëve u janë dashur plot 80 orë. Nuk do të mungojë as maskoti i këtij Botërori: bëhet fjalë për të ashtuquajturin “armadillo tabu-bola”, kafsha që në rast rreziku është e aftë të mblidhet në vete, duke marrë formën e një topi.
Një hapësirë më vete do të zënë të ftuarit ndërkombëtarë, veçanërisht me trion Pitbull-Jennifer Lopez-Klaudia Leitte, që do të këndojnë himnin zyrtar të këtij kampionati. Ndër të tjera do të marrin pjesë edhe rreth 600 performues, përfshi gjimnastë, kërcimtarë dhe ekuilibristë. Praktikisht, ceremonia hapëse do të jetë një tribut për Brazilin dhe thesarët e tij, duke nisur nga natyra e duke përfunduar, natyrisht, te loja që entuziazmon çdo brazilianin të madh e të vogël, futbolli.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *