Home / Lajme / Maqedoni / Dënohen me burg të përjetshëm të akuzuarit në rastin ‘Monstra’ (VIDEO)

Dënohen me burg të përjetshëm të akuzuarit në rastin ‘Monstra’ (VIDEO)

Shkup, 30 Qershor – Gjashtë persona të dënuar me burg të përjetshëm, është epilogu i procesit gjyqësor Monstra. Alil Demiri, Agim dhe Afrim Ismailoviq, Fejzi Aziri dhe Haki Aziri u shpallën fajtorë për vrasjen e 5 personave në Smillkovë që u cilësua si akt terrorist. Sejdi Rami u shpall i pafajshëm dhe u lirua.

“Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta, trupi gjykues i shpall fajtorë për vepër penale terrorizëm, dhe i gjykon me burg të përjetshëm. I akuzuari Sejdi Rami sipas nenit 368, paragrafi 1, pika 3, gjykata e liron nga akuza, sepse nuk u dëshmua se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, u shpreh Gjykatësi.

Gjatë arsyetimit të vendimit, Gjykata tha se si bazë ka marrë dëshminë e dëshmitarit të fshehur nën kodin E1. Gjithashtu pjesa më e madhe e aktvendimit u arsyetua me dëshminë e Haki Hazirit para hetuesisë, dëshmi të cilën vetë Haziri e demantoi më vonë, duke thënë se i është marrë me dhunë dhe kërcënime.

“Gjykata e pranoi dëshminë e të akuzuarit Haki Haziri, dhënë para gjykatësit hetues, sepse u konfirmua me provat e paraqitura në seancë. Më saktësisht, dëshmia e të akuzuarit Haki Haziri dhënë hetuesisë, në segmentet kyçe u konfirmua nga provat materiale dhe dëshmia e dëshmitarit të fshehur”, tha Gjykatësi.

“Një dëshmitar i mbrojtur mjaftonte që 6 persona të dënohen me burg të përjetshëm. Familjarët dhe mbrojtja shprehen të zhgënjyer me gjyqësinë në Maqedoni, edhe pse thonë se një vendim të tillë e prisnin, duke marrë parasysh qasjen e organeve që nga arrestimi i të dyshuarve, e deri në përfundim të procesit”.

“Është një vendim që nuk mund të komentohet. Tregon dhe argumenton se pavarësia e gjykatave është shumë larg. Mendoj se duhet të kalojë shumë koha, që gjykata të jetë e pavarur. Do të ankohemi, patjetër, dhe mendoj se do të marrim sukses”, deklaroi Naser Raufi, Avokat.

“Unë nuk mund të jem i kënaqur, kur për asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk kishte një dëshmi të fortë që dëshmonte fajësinë e të akuzuarve, të shpallur sot fajtorë”, u shpreh Mitko Sollakov, Avokat i Sejdi Rami.

“Ky proces i montuar politik, policor dhe gjyqësor, jo që sot ka përfunduar por sot ka filluar. Vendimi i sotëm shtetin maqedonas e kthen pas në kohën e Jugosllavisë komuniste. Duhet vazhduar brenda instancave gjyqëro të Maqedonisë, më pas kuptohet, pasi Maqedonia është nënshkruese e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, kuptohet që ky shtet do të paditet në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strazbur”, tha Jeton Shasivari, ekspert juridik.

Tashmë të dënuarit për rastin Monstra u arrestuan më 1 maj të vitit 2012, ndërsa gjykimi kundër tyre filloi më 20 dhjetor. Gjatë 42 seancave gjyqësore u prezantuan pak prova materiale, ndërsa sot e kësaj dite nuk janë gjetur asnjë nga armët me të cilat është kryer vepra. Katër të dënuarit me burg të përjetshëm do të qëndrojnë në paraburgim deri në hyrjen në fuqi të aktvendimit, pas shterjes së ankesave. Dy të tjerët, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq nuk janë të kapshëm për gjykatën, për shkak të vuajtjes së dënimit për vepër tjetër penale në Prishtinë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *