Home / Lajme / Maqedoni / Prioritet për Qeverinë e re ekonomia dhe Euro-integrimet

Prioritet për Qeverinë e re ekonomia dhe Euro-integrimet

8 qershor-“Dua të them se nëse dikush e legalizon shtëpinë ose diçka tjetër, do të vijë në situatë që ta humb ndihmën sociale. Dua të mohoj në mënyrë më direkte se kjo nuk është e vërtetë. Ky është edhe premtimi i Qeverisë që shpejt do të realizohet”, deklaroi Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Mandatari Nikolla Gruevski dorëzoi sot propozimin për Qeverinë e re në Kuvendin e Maqedonisë. Kryetari i Kuvendit ka caktuar seancë më 19 qershor për të shqyrtuar dhe votuar qeverinë e re. Kryeministër do të mbetet Nikolla Gruevski, ndërsa nuk ka ndryshime edhe në mesin e 4 zv/kryeministrave. Zv/kryeministër për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit mbetet Musa Xhaferi, për euro-integrime Fatmir Besimi, zv/kryeministër dhe ministër i financave sërish do të jetë Zoran Stavrevski, dhe zv/kryeministër për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski.

Disa ndryshime do të ketë në postet ministrore. Ministrinë e Mbrojtjes do ta udhëheqë ambasadori i deritanishëm në SHBA, Zoran Jolevski, Ministrinë e Drejtësisë Adnan Jashari, Bekim Neziri do të jetë Ministër i Ekonomisë, Nurhan Izairi i ekologjisë, Abdilaqim Ademi ministër i arsimit, Lirim Shabani i pushtetit Lokal dhe Mihail Cvetkov ministër i bujqësisë.

Ministritë e tjera mbetet të pandryshuara. Gordana Jankullovska do të drejtojë Ministrinë e Brendshme edhe për një tjetër mandat, Nikolla Poposki Ministrinë e Jashtme, Nikolla Todorov Shëndetësinë, Mile Janakievski transportin, Elizabeta Kançevska Milevska mbetet në ministrinë e kulturës, Dime Spasov në atë të Punës dhe Politikës Sociale dhe Ivo Ivanovski sërish do të udhëheqë Ministrinë e Shoqërisë Informative.

Ministra pa portofol janë propozuar Visar Fida, Vele Samak, Bill Pavlevski, Xheri Naumov, Goran Mickovski, Nexhdet Mustafa dhe Furhan Çako. Emrat e zv/ministrave, sekretarëve shtetërore dhe drejtorëve të drejtorive publike do të publikohen ditëve në vijim. Ndërkohë kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski përmes një kumtese konfirmoi pranimin e propozimit, dhe njoftoi se ka caktuar seancën e votimit të qeverisë për më 19 qershor. Ai gjithashtu i bëri thirrje LSDM-së opozitare që të merr pjesë në këtë seancë.

“Duke konfirmuar përcaktimin për respektimin e denjë të Kushtetutës dhe ligjeve, edhe në këtë rast, si edhe në rastet e mëparshme, shumë sinqerisht iu bëj thirrje kolegëve deputetë nga opozita ti kenë parasysh interesat e Republikës së Maqedonisë dhe të vinë në Kuvend. Ardhmëria e sigurt euro-atlantike e Maqedonisë është qëllimi ynë i përbashkët, obligim dhe sfidë, ndërsa pikërisht parlamenti është vendi ku më së miri mund ta bëjmë këtë, me forca të përbashkëta”, thuhet në kumtesën e Veljanovskit.

Nga LSDM-ja thonë se thirrjet e tilla të Veljanovskit janë absurde, duke marrë parasysh urdhrin e dhënë më 24 dhjetor, për largimin nga Kuvendi të deputetëve opozitarë dhe gazetarëve.

Integrimet evropiane, tërheqja e investimeve të huaja, hapja e vendeve të reja të punës, ndihma bizneseve vendore, bujqësia, arsimi do të jetë në qendër të prioriteteve të Qeverisë së re. Këtë e konfirmoi sot kryeministri Gruevski duke theksuar se Visar Fida dhe Goran Mickovski gjatë katër viteve të ardhshme do të punojnë në tërheqjen investitorëve, kurse atyre do t’iu ndihmojnë ministrat e tanishëm Bill Pavleski, Xheri Naumov dhe Vele Samak.

“Çdo gjë do të përqendrohet në ekonominë, integrimet evropiane, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Me mënyrën me të cilën kemi nisur të punojmë dhe të bëjmë për investitorët e huaj dhe vendor, në periudhën e ardhshme do të pasojnë hapje të vendeve të reja të punës, që është në fakt një nga objektivat e përbërjes së re të Qeverisë…”, tha Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Përveç vendeve të reja të punës dhe kushteve të volitshme për investitorët vendor dhe të huaj, Gruevski paralajmëroi edhe lehtësira për qytetarët të cilët janë përfitues të ndihmës sociale, kurse duhet të legalizojnë shtëpitë ose banesat. Me masën e re të qeverisë, të gjithë përfituesit e ndihmës sociale do të mund marrin elaborate falas për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

“Dua të them se nëse dikush e legalizon shtëpinë ose diçka tjetër, do të vijë në situatë që ta humb ndihmën sociale. Dua të mohoj në mënyrë më direkte se kjo nuk është e vërtetë. Ky është edhe premtimi i Qeverisë që shpejt do të realizohet”, deklaroi Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Sipas Gruevskit, këtë përfitim do të mund ta shfrytëzojnë gjithsej 35 mijë qytetarë të cilët janë përfitues të ndihmës sociale. Në njërën nga mbledhjet e para të Qeverisë, kjo masa do të miratohet si ligj që më pas do të jepet për miratim në Parlament.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *