Home / Lajme / Maqedoni / Qeveria inicion ndryshime kushtetuese, mungojnë idetë e shqiptarëve

Qeveria inicion ndryshime kushtetuese, mungojnë idetë e shqiptarëve

Shkup, 28 Qershor – Qeveria ka iniciuar ndryshime kushtetuese në 8 fusha të ndryshme kryesisht në sferën e financave dhe gjyqësorit. Qëllimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese sipas kryeministrit Nikolla Gruevski është në drejtim të përmirësimit të institucioneve.

Me vendimin e qeverisë kërkohet rregullimi i përbërjes së Këshilli Gjyqësor duke përjashtuar ministrin e Drejtësisë dhe Gjykatësin e Gjykatës Supreme, të vendoset si institut “ankesa kushtetuese”, të precizohen rregullave fiskale në kuadër të buxhetit, formimi i zonës fiskale dhe përkufizimi i Entit Shtetëror për Revizon si kategori kushtetuese, riemërtimi i Bankës Popullore në Banka e Maqedonisë si dhe përkufizimi i martesës.

“Kjo iniciativë ka për qëllim që në kushtetutë në mënyrë parandaluese, të ndërtohen mekanizma që garantojnë disiplinë fiskale dhe stabilitet. Propozimi ynë është normimi i deficitit të buxhetit në lartësi maksimale deri 3 % nga Prodhimi i Përgjithshëm Bruto ndërsa borxhi publik të kufizohet më së shumti në nivel 60 % nga Prodhimi i Përgjithshëm Bruto. Kjo do të paraqet cilësi të re dhe garanci të fuqishme, e caktuar në kushtetutë, për këtë apo cilëndo qeveri të ardhshme, që të menaxhojë sa më mirë buxhetin dhe deficitin, si dhe borxhin, që të jetë në nivel stabil dhe të qëndrueshëm”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Por këto ndryshime kushtetuese janë kritikuar nga profesori Abdylmenaf Bexheti sipas të cilit, mjafton rregullimi me ligj të veçantë, siç praktikohet në vende të tjera të botës. Dublikata të tilla sipas tij janë në drejtim të blerjes së kohës dhe asgjë tjetër. Ndryshimet e propozuara kushtetuese Bexheti i quan paradoksale dhe dyfytyrësi politike, për shkak të diskriminimit ekonomik që i bëhet sektorit privat nga ana e qeverisë. Sa i përket pozitës së shqiptarëve përballë kërkesave për ndryshime kushtetuese, Bexheti thotë se kjo është ide e vonuar.

“Momenti ka qenë dje, jo tash, mendoj se jemi shumë të vonuar. Momentin për ndryshime kushtetuese e kemi tejkaluar disa herë, ne kemi telashe, në vend që të përcaktohen disa standarde dhe norma politike për çështje që na mbajnë ngërç gjithë kohën, ne tani po bëjmë kozmetikë politike kushtetuese, atje ku thjesht shqiptarët janë jashtë krejt rrethanave. E shohim se çfarë bëhet me ligjet që rregullojnë të drejtat bazike gjuhësore të shqiptarëve, e shohim se çfarë bëhet me ligjet që rregullojnë statusin në kulturën shqiptare dhe këto gjëra nuk trajtohen fare as në ligj as në kushtetutë, kurse ndërkohë bëjmë kësi ndryshime që janë një paralojë më shumë e karakterit për të blerë kohë… Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen njëherë se e kanë rrëzuar pazarin politik deri në nivelin më të ulët, e lëre më të debatojnë për këto çështje”, tha Abdylmenaf Bexheti, profesor universitar.

Ka reaguar edhe LSDM-ja opozitare duke thënë se Maqedonia ka prioritete të tjera më të rëndësishme se sa ndryshime të tilla që propozon Gruevski.

“Republika e Maqedonisë ka shumë prioritete më serioze sesa të merret me kapriçot e Nikolla Gruevskit, siç janë lufta ndaj varfërisë, lufta ndaj papunësisë, shpërngulja e të rinjve nga ky shtet, janë problemet shumë më serioze që ka ky shtet”, u shpreh Petre Shilegov,zëdhënës i LSDM-së.

Qeveria pret përfshirjen e ekspertëve në këtë drejtim dhe me anë të argumenteve, të nxirret më e mira. Këto ndryshime kushtetuese sipas parashikimeve pritet të zbatohen para përgatitjes së buxhetit për vitin 2017.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *