Home / Lajme / Rajon / RENEA ‘merr’ fshatin e drogës

RENEA ‘merr’ fshatin e drogës

20 qershor-Lilo Brahimi, është personazhi i dytë më i lakuar në mësymjen disa ditore të Policisë së Shtetit në fshatin rebel të Lazaratit. Pasditen e djeshme, fshati, pas më shumë se 22 vitesh, ka rënë në duart e efektivëve specialë, ndërsa disa prej të shumëkërkuarve të policisë kanë mundur të ikin në drejtim të paditur, bashkë me Brahimin.

Policia hyn në fshat, pas 5 ditësh betejë. Shpallet në kërkim Lilo Brahimi, që dyshohet se është në krye të një grupi të armatosur. Laborator droge dhe arsenal armësh në vilat e fshati

Lilo Brahimi, është personazhi i dytë më i lakuar në mësymjen disa ditore të Policisë së Shtetit në fshatin rebel të Lazaratit. Pasditen e djeshme, fshati, pas më shumë se 22 vitesh, ka rënë në duart e efektivëve specialë, ndërsa disa prej të shumëkërkuarve të policisë kanë mundur të ikin në drejtim të paditur, bashkë me Brahimin.

Në operacionin e orëve të mbrëmjes policia ka mundur të zbulojë arsenal armësh, laborator droge si dhe sasi të mëdha të lëndës narkotike, ndërkohë që më herët ishte vënë në pranga edhe djali i Razip Majmutajt, 19 vjeç, i cili bashkë me dy kushërinjtë e tij, vëllezër me njëri-tjetrin, konsiderohen nga ana e policisë si persona që kanë mundur të qëllojnë mbi 200 plumba mbi policinë.

Ditën e djeshme, hartuesit e operacionit mësohet se kanë kërkuar hyrjen e efektiveve femra në Lazarat, për të bërë të mundur edhe zbutjen e ‘terrorit’ të ndërsjellë, ndërkohë që në fotot e publikuara dukej edhe një prej vilave, që ka shërbyer si laborator droge. Në fshatin e hashashit, forcat speciale nga RENEA, FNSH-ja, FLO dhe helikopterët e Forcave të Armatosura, janë ulur këmbëkryq, duke thyer përfundimisht mitin e paprekshmërisë së zonës që gjendej në duart e kartelëve të drogës. Tre të arrestuarit e dy ditëve më parë do të përballen sot me gjykatën te Krimet e Rënda në Tiranë, ndërkohë që sipas informacioneve më të fundit që vinin nga policia e Gjirokastrës bëhet me dije se në fakt, në shtëpinë në të cilën pretendohet se ka qenë i strehuar Lilo Brahimi, ka patur edhe persona të tjerë të cilët kanë qenë të armatosur dhe kanë arritur të largohen duke mbuluar me zjarr ndërhyrjen e policisë për prangosjen tyre.

Operacioni

Rreth orës 15:00, nga ana e Policisë së Shtetit, nisi aksioni për të marrë në kontroll qendrën e Lazaratit. Në ndihmesë të bluve u vunë dy helikopterë, të cilët transportuan efektivë të FNSH-së dhe armatimet që do të ishin të nevojshme. Me ndërhyrjen nga ajri është bllokuar çdo lloj dalje lazaratasve. Kështu është bllokuar dalja nga Mali i Sopotit dhe nga pjesa veri-perëndimore dhe jugore. Vetëm pas dy orësh është bërë e mundur zbarkimi në qendrën e fshatit, ku blutë kanë nisur nga kontrollet. Rreth orës 17:40 forcat e FNSH-së kanë hyrë në qendër të Lazaratit, nga pjesa e poshtme, ndërsa forcat RENEA kanë hyrë nga zona e sipërme e malit, duke vendosur kështu kontrollin në “fshatin e pakapshëm”. Mësohet se janë ngjitur në qendër të fshatit 8 autoblinda të policisë, të cilat kanë nisur kontrollin shtëpi më shtëpi. Janë gjetur shumë banesa të braktisura, të tjera me njerëz, por që janë treguar bashkëpunues me policinë, kanë hapur derën për kontroll. Kishte edhe nga ata që kanë pranuar se kishin kultivuar hashash, por që tashmë nuk do ta bëjnë më, bëri të ditur policia. Ndërkohë që forcat speciale të transportuara me helikopter kanë arritur në vendin ku qëllohej me mitraloz të rëndë, duke marrë kështu një nga bazat e forta të “rebelëve” që prej 5 ditësh sulmojnë policinë, gjithnjë sipas policisë. Mësohet se banesa ndodhet në pjesën veriore të fshatit. Policia ka zbritur në këmbë nga mali i Sopotit. Ndërkohë operacioni po drejtohet nga afër nga Drejtori i Policisë Artan Didi, i cili është parë i veshur civil dhe krejtësisht i pambrojtur. Policia bëri të ditur se në shtëpinë e R. Gevenit u gjetën 150 kg dhe 200 rrënjë kanabis, ndërsa në shtëpinë e E. Mahmutaj u gjetën 18 thasë dhe të mbjella me kanabis.

Policia: Morëm Lazaratin

“Jemi të pranishëm në të gjithë komunën e Lazaratit”. Kjo është deklarata që ka lëshuar mbrëmë Policia e Shtetit, ndërsa prej më shumë se dy orësh rreth 800 efektivë të forcave speciale kanë mundur të hyjnë në qendër të fshatit Lazarat. Kështu, në vijim të operacionit që po zhvillohet, Policia e Shtetit njofton se është e pranishme në të gjithë komunën, duke mbajtur nën mbikëqyrje situatën dhe duke evituar të gjitha sulmet me armë që janë kryer nga banorët e zonës. Sipas policisë, banorëve të Lazaratit po u ofrohet rend dhe siguri, ndërsa shprehet një falënderim ndaj tyre për mbështetjen e që i kanë dhënë forcave të policisë. Ndërkaq, u bëhet thirrje fshatarëve që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet procedurale të policisë.

Krimet e Rënda marrin në ‘duar’ Gate Mahmutaj

Prokuroria për Krime të Rënda ka formuluar akuzat për shtetasin Razip (Gate) Mahmutaj, të cilat do të prezantohen gjatë seancës së parashikuar për ditën e sotme. Akuzat ndaj tij, sipas të dhënave paraprake, mësohet se janë: Vrasje e Punonjësve të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim, mbetur në tentativë (nenet 79/b, 25 dhe 22 të Kodit Penal), prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit (neni 278/4 i Kodit Penal), prodhimi dhe shitja e narkotike dhe kultivimi i bimëve narkotike. Po ashtu, për personat nga Lazarati që kanë ardhur thuajse njëkohësisht me shtetasin Gate Mahmutaj në Tiranë, për llogari të Prokurorisë për Krime të Rënda, momentalisht është ngritur akuza vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Gjithashtu mësohet se po vijojnë hetimet edhe për përfshirjen e personave të tjerë në këtë përplasje me armë, ndërsa në listë janë edhe shumë persona të tjerë, përfshirë edhe të birin e Gates, Vandam Mahmutaj.

Lazarati, prokurori italian, mbështet operacionin

Prokurori i Antimafias i Leçes, Cataldo Motta ditën e djeshme ka përgëzuar autoritetet shqiptare për ndërhyrjen e saj në Lazarat. “Për ne është një nismë shumë e rëndësishme, sepse identifikimi i këtyre plantacioneve të kanabisit është bërë edhe falë ndihmës së Guardia di Finanza-s. Është shumë e rëndësishme që të shkatërrohen, sepse do të ulet ndjeshëm trafikimi i lëndëve narkotike nga Shqipëria. Është një nismë shumë e rëndësishme dhe meriton suksesin, që do të ketë padyshim”, kanë thënë ndër të tjera Motta. Nëpërmjet policisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të gjithë institucioneve të saj, qeveria shqiptare ka këtë vendosmëri të fortë dhe sipas kryeprokurorit, ata janë shumë të interesuar në këtë ndërhyrje të policisë. Sipas tij ndërhyrja shënon një ngjarje shumë e rëndësishme, për të cilën Motta, duket se nuk ka rezervuar asnjë lloj lëvdate edhe pse disa dite më parë lëshoi alarmin se ishin sofistikuar rrugët drogës.

Qëlloi 225 herë mbi policinë, pranga Vandam Mahmutajt

Pas arrestimit të Gate Mahmutajt, në pranga ka rënë edhe djali i tij, Vandam Mahmutaj. Përfaqësues të hetimit kanë provuar, se ai ka qëlluar në drejtim të policisë gjatë aksionit anti-kanabis. Të premten në mesditë, jepet masa e arrestit për 4 personat e arrestuar në Lazarat. Me urdhër të prokurorisë për Krime të Rënda, është arrestuar nga policia Vandam Mahmutaj, djali i Gate Mahmutajt, ku mësohet se është provuar se 19-vjeçari ka qëlluar me armë automatike në drejtim të policisë, nga kapanoni i babait të tij, në krah të fshatit Derviçan. Mësohet, se gjatë kontrollit të kapanonit dhe vendit, ku është kultivuar lënda narkotike, ekspertët kanë gjetur 225 gëzhoja të armëve automatike. Prokurorët thanë, se gjatë këqyrjes fizike, në duart e të riut Vandam Mahmutaj, janë gjetur shumë mbetje baruti, që sipas akuzës, janë pasojë e të shtënave me armë në drejtim të policisë. Lëndë plotësuese të barutit, sipas ekspertëve të policisë shkencore, janë gjetur edhe në trupin e Gate Mahmutajt, ndaj të cilit tashmë, është ngritur akuza e “vrasjes në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë ndaj efektivëve të policisë. Përveç kësaj prove shkencore, hetuesit thonë se kanë siguruar edhe prova të tjera ndaj Gate Mahmutajt dhe djalit të tij, pasi bëhet fjalë për përgjime apo gjurmë gishtash në kapanonin dhe pakot e lëndëve narkotike të sekuestruara në tokën e Mahmutajve në Lazarat. Sipas prokurorisë, edhe ndaj të dyshuarve Emiljano Aliko dhe Mateus Boçi, grupi hetimor ka siguruar prova që faktojnë, se ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë, gjatë mësymjes për të shkatërruar plantacionet e hashashit. Të 4 të arrestuarit e parë nga prokuroria për Krime të Rënda, kanë mohuar akuzat. Prokuroria për Krime të Rënda, ka nisur hetimet që në shtator të vitit të kaluar për disa nga krerët e rrjetit të kultivimit dhe trafikimit të drogës nga Lazarati. Por për shkak mos hyrjes së policisë kjo çështje ka mbetur vetëm në fazën e hetimit. Pritet në ditët në vazhdim, edhe arrestimi i disa personave të tjerë, të shpallur në kërkim nga prokuroria, për llogari të dosjes voluminoze të dorëzuar nga pilotët italiane që fotografuan dhe filmuan Lazaratin nga ajri vite me parë, ndërsa fotografimi i fundit nuk u arrit të realizohej. Në pranga përveç babë e bir kanë rënë edhe dy djemtë e Xhemal Muhamutajt, 22 dhe 19 vjeç, të cilët nuk dihet ende se çfarë roli kanë luajtur në përballjen me policinë, por në bazë të hetimeve saktësohet se fisi i tyre është edhe ndër më kultivuesit në zonë, por jo krerët real të atij që konsiderohet si fshati i kartelit të drogës. Megjithatë, do të jenë Krimet e Rënda, që do të hapin të gjitha dosjet ndër vite për të mësuar se çfarë ka ndodhur në zonën e zotëruar nga hashashi.

Armëpushimi

Në kërkim kreu i bandës së armatosur

Pas pesë ditësh aksion, Policia e Shtetit ka arritur të vendosë nën kontroll Lazaratin. Uniformat blu, në bashkëpunim me forcat RENEA dhe FNSH kanë mundur të hyjnë në qendër të fshatit, duke zbuluar bazën më të madhe të municioneve, prej nga edhe qëllohej në drejtim të policisë. Grupi i armatosur ka arritur të largohet së bashku me pronarin e bazës së drogës, Lilo Brahimi, por sipas policisë nuk kanë mundur të largohen nga fshati. Ndërkaq, dy laboratorë të tjerë që shërbenin për përpunimin e drogës janë gjetur gjatë kontrollit të ushtruar në një tjetër shtëpi në Lazarat. Sipas policisë, në brendësi të banesës u gjet edhe një sasi e madhe kanabisi dhe armë. Dje pasdite forcat e policisë kanë mësyrë në qendër të fshatit, gjetur edhe bazën ku janë gjetur një sërë armatimesh; mitralozë, murtaja dhe dylbi me infra. E megjithatë, pas 5 ditësh aksion, duket se të shtënat me armë drejt policisë kanë pushuar. Të paktën këto janë të dhënat e fundit që kanë mbërritur deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme. ‘Armëpushimi’ duket se është arritur pasi grupi i rebelëve ka braktisur armët në banesën e marrë në dorëzim nga policia duke u larguar në drejtim të paditur, edhe pse besohet se ata vijojnë të jenë ende në fshat, pa mundur të thyejnë rrethimin e forcave speciale të sjellë dje nga helikopterët, ndërsa në Lazarat përgjatë gjithë ditës së djeshme në terren janë parë plot 200 efektive femra. Oficeret e policisë mësohet se shërbejnë në detyra të ndryshme, ndërsa sipas të dhënave numri i personave që gjenden të armatosur janë rreth 12, të cilët janë të gjithë kontingjent kriminal, i skeduar prej vitesh por që nuk është bërë e mundur asnjëherë të vihen në pranga. Përgjatë operacionit janë sekuestruar mbi 13 ton kanabis e 80 mijë rrënjë bimë lëndë narkotike janë asgjësuar, ndërkohë që vijojnë kërkimet për të arrestuar edhe kreun e bandës së armatosur, që sipas policisë është pikërisht 58-vjeçari Lilo Brahimi./Shekulli/

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *