Home / Sport / Spanja jashtë Botërorit, Holanda, fitore e mundimshme

Spanja jashtë Botërorit, Holanda, fitore e mundimshme

Luftanija e Vincent Del Bosches fut ujë nga të gjitha anët. Skuadra spanjolle ka pësuar 7 gola në dy ndeshje, ndërsa ka shënuar vetëm një. Emocione, surpriza, përmbysje rezultati dhe gjithçka tjetër që ofron një ndeshje futbolli ishin pjesë e sfidës Australi- Holandë, e vlefshme për turin e dytë të grupit “B” të Botërorit të Brazilit.

Eduardo Vargas në minutën e 20 dhe Charles Aranguiz në të 43-ën, i dhanë dorën e fundit kampionëve të botës, të cilët kthehen në shtëpi kokulur. Luftanija e Vincent Del Bosches fut ujë nga të gjitha anët. Skuadra spanjolle ka pësuar 7 gola në dy ndeshje, ndërsa ka shënuar vetëm një. Ndeshja e zhvilluar në “Maracana” të Rio De Janeros, mes Spanjës dhe Kilit, e vlefshme për turin e dytë të grupit “B” ishte një makth pa fund për kampionët e botës. Iberikët shëtitën fanellën përgjatë gjithë lojës, teksa “shijonin” vallëzimin e kilianëve, që shënuan dy gola dhe shpërdoruan mjaft raste. Duhet theksuar se pjesa më e madhe e lojtarëve të Spanjës janë pre e lodhjes së sezonit të sapopërfunduar, pasi gati 80% e lojtarëve ishin pjesë e finales së Ligës së Kampionëve. Zgjedhjet e teknikut spanjoll Del Bosche nuk ishin të goditura. Diego Costa dhe Fernando Torrez rezultuan një dështim përball mbrojtjeve kundërshtare, shtuar këtu dhe formën jo të mirë të portierit Casijias, rrugëtimi i Spanjës në Botërorin e Brazilit u kthye u në një zhgënjim për sportdashësit e shumtë. Nga krahu tjetër duhen përgëzuar kilianët, të cilët tashmë do ndeshen me Holandën për të përcaktuar fituesen e grupit “B”.

Holanda

Emocione, surpriza, përmbysje rezultati dhe gjithçka tjetër që ofron një ndeshje futbolli ishin pjesë e sfidës Australi- Holandë, e vlefshme për turin e dytë të grupit “B” të Botërorit të Brazilit. Van Persie dhe Roben kanë qenë sërish vendimtarë me golat e tyre, ndërsa ka qenë i riu Memphis Depay në minutën e 68, i cili u hapi dritën jeshile tulipanëve drejt fitores finale 3-2 ndaj Australisë. Ndeshja dhuroi mjaft emocione, madje si rrallëherë pamë dy përmbysje rezultati. Fillimisht ishte Roben, që përfitoi nga një pasiguri e mesfushës së ishullorëve dhe furishëm u vërsul drejt zonës kundërshtare, ku u gjend i vetëm përballë portierit Mathew Ryan. Për lojtarin e Bayernit ishte një lojë fëmijësh të përcillte topin në rrjetë nga ai pozicion, duke mos i dhënë asnjë mundësi gardianit të portës australiane të ndalonte topin. Pa përfunduar gëzimi i tulipanëve, në stadiumin “Beira-Rio” të Porto Alegres, ku pjesa më e madhe e 43 000 tifozëve ishin ende të dehur nga gëzimi i golit të Roben, Tim Cahill u ngriu atyre buzëqeshjen në buzë. Bomberi australian u shërbye mjaft mirë nga shokët e tij në zonën holandeze, nga ku lëshoi një predhë drejt portës së mbrojtur nga Jasper Cillesen, i cili nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të nxjerrë topin nga rrjeta. Më tej loja u zhvillua në mesin e fushës, ku treshja Breschano, Oar dhe Lecike treguan një lojë më të mirë se mesfusha e tulipanëve, De Jong, Sneijder dhe De Guzman. Për t’u shënuar në pjesën e parë ishte agresiviteti i Cahill, që ndërhyri dy herë rrezikshëm ndaj mbrojtësit të tulipanëve Martin Indi, duke u ndëshkuar me kartonin e verdhë. Indi për fatin e tij të keq, u detyrua të dalë nga loja, pasi fizikisht nuk mundi të vijonte më tej. Ky zëvendësim do të rezultonte thelbësor për fitimin e lojës nga ana e holandezëve, pasi golin e fitores së tulipanëve do ta shënonte pikërisht Memphis Depay, lojtari që mori vendin e të dëmtuarit. 45-minutëshi i dytë nisi nën hijen e të parit, kangurët u shfaqën të rrezikshëm në portën holandeze, duke fituar edhe një 11-të metërsh, i cili do të kthehej në gol nga kapiteni Mile Jedinak në minutën e 54. Gëzimi i ishullorëve do të zgjaste vetëm pak, pasi holandezët vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 58’, përmes Robie Van Persie do të shënonin golin e barazimit. Pas këtij goli ngjyrat “Le Oranje” do të pushtonin fushën dhe Deapy do të gjente forcën për të udhëhequr skuadrën e tij drejt fitores në minutën e 68, kur goditi një silur me të djathtën e tij drejt portës australiane, duke gjunjëzuar për të tretën herë portierin Ryan. Skuadra e Ange Postecoglu pas pësimit të golit të tretë u bë pre e nervozizmit. Kangurët do të përpëliteshin drejt zonës holandeze edhe një herë në minutën e 90’, por pa sukses, duke i dhënë lamtumirën kampionatit botëror. Kjo humbje i nxjerrë jashtë australianët nga Botërori, ndërsa kanë edhe një takim për të zhvilluar, atë ndaj Spanjës. Nga krahu tjetër skuadra e Louis Van Gaal tregoi karakter dhe vendosmëri në fushë. Me fitoren ndaj Australisë “Le Oranje” mund të konsiderohen skuadra e parë e kualifikuar në këtë kampionat botëror. Tulipanët me 8 gola në 2 takime kanë treguar se kanë një artileri të rëndë në sulmin e tyre, vetëm dyshja Roben- Van Persie kanë shënuar nga tre gola secili. Me këta bombera, Van Gaal mund të rrijë i qetë për ndeshjet e ardhshme.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *