Home / Lajme / Rajon / Vetëvendosje nuk do të hyjë në “Qeverinë e Shpresës”, por ka kushte

Vetëvendosje nuk do të hyjë në “Qeverinë e Shpresës”, por ka kushte

Prishtinë, 10 Qershor – Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të hyjë në Qeverinë e opozitës, por ka disa kushte për këtë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se, siç e quan ai, “Qeveria e ardhshme e emergjencave”, e krijuar nga partitë opozitare, do të pezullojë bisedimet me Serbinë, implementimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe privatizimi i ndërmarrjeve.

Në një konferencë për media, tha se VV nuk brengoset për postet në këtë qeveri.

“Qeveria e ardhshme e emergjencave duhet t’i pezullojë bisedimet dhe të mosimpelementohet Asociacionin e Komunave si dhe ndërprerjen e privatizimit në KEK, PTK dhe Trepçë”.

“Vetëvendosje nuk hynë në bisedime në ndarje të posteve për ne është koncepti dhe programi qeverisës. Nuk jemi marrë vesh për poste ne jemi marrë vesh që asnjëri prej nesh nuk do të hyjë në koalicion me Thaçin dhe lajmi i mirë është që Thaçi 3 nuk do të ketë. Kjo ka qenë faza e parë e bisedimeve”.

“Faza e dytë e bisedimeve do të jetë se çka nuk do të bëjë kjo qeveri e emergjencës. Ndërkaq çka duhet të bëjë qeveria e emergjencës është faza e tretë. Unë jam i lumtur që fazën e parë e kemi përfunduar me sukses të plotë”.

Më poshtë ju sjellim fjalimin e plotë të Albin Kurtit në konferencën e jashtëzakonshme për media:

Pas iniciativës tonë të djeshme për ta pamundësuar qeverinë e re të regjimit të vjetër, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Albin Kurti, kryetar, Dardan Molliqaj, Sekretar organizativ, si dhe Visar Ymeri, anëtar i Kryesisë, janë takuar sot me përfaqësuesit dhe udhëheqësit e LDK-së, të AAK-së dhe të Nismës për Kosovën. Tema bosht e këtyre takimeve ka qenë pamundësimi i krijimit të qeverisë Thaçi 3, nga PDK-ja. Përfaqësuesit e të gjitha këtyre subjekteve janë shprehur të vendosur që të mos hyjnë në koalicion me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Ky është lajm shumë pozitiv pas lajmit shumë të keq që PDK-ja doli e para në zgjedhje.

Është hap cilësor që të tri subjekte politike, LDK, AAK dhe NISMA për Kosovën, kanë vendosur që mos të jenë në asnjë mënyrë në koalicion me PDK-në, dhe njëkohësisht janë marrë vesh që të kenë një kandidat të përbashkët për kryeministër.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se prioritet mbi prioritete në Kosovë aktualisht është shkëputja e qartë me regjimin dhe sundimin e Thaçit, si dhe çlirimi i shtetit të Kosovës nga kapja që ia ka bërë korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shitja e pasurive publike e natyrore si dhe varësia prej pazareve me Serbinë. Kjo është mënyra e vetme se si mund ta krijojmë një mjedis demokratik në vend i cili do ta vendoste Kosovën në binarë të progresit.

As negociatat me Serbinë e as privatizimi i egër i ndërmarrjeve publike nuk i kanë ndihmuar as shtetndërtimit e integritetit institucional dhe territorial të vendit, e as zhvillimit ekonomik e rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Është e domosdoshme që në Kosovë ta kemi një ndryshim të theksuar të kursit dhe politikave prej atyre që i kemi parë në zbatim deri më tash. Qeveria e ardhshme, si Qeveri e emergjencës, duhet t’i pezullojë bisedimet me Serbinë dhe implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe privatizimet në KEK, PTK e Trepçë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të punojë e angazhohet edhe më tej që ta pamundësojë krijimin e qeverisë Thaçi. Në këtë drejtim do të vazhdojmë kontaktet me subjektet e tjera politike për t’i diskutuar modalitetet për këtë qëllim. Po ashtu, angazhohemi që ta nxjerrim Kosovën nga duart e korrupsionit e krimit, si parakusht për çfarëdo zhvillimi ekonomik e demokratik në vend.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *