Home / Lajme / Rajon / Athinë, kapet kryeterroristi

Athinë, kapet kryeterroristi

Athinë, 17 Korrik – Një ndër terroristët më të kërkuar të drejtësisë greke, Nikos Maziotis, është arrestuar prej policisë mesditën e së mërkurës, në qendër të kryeqytetit helen, Athinë.

Sipas policisë greke, Maziotis së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij tentuan të grabisnin një bankë në qendër të Athinës, por prezenca e policisë në zonë bëri të mundur arrestimin e tij.

Autoritetet helene thanë se kreu i organizatës terroriste Lufta Revolucionare kërcënoi me armë dhe qëlloi mbi policinë. Ai hapi zjarr me një pistoletë, duke plagosur një polic, si dhe një kalimtar të rastit, përpara se të binte i plagosur prej plumbave të policisë greke.

Në vendngjarje u gjetën gëzhoja pistolete dhe një granatë që terroristi hodhi mbi policinë, por që për fat të mirë nuk shpërtheu. Nga shkëmbimi i zjarrit, qindra turistë që ndodheshin në atë moment në qendrën e Athinës u terrorizuan. Për fat të mirë askush nuk u lëndua.

Për momentin Maziotis është transportuar në spitalin Evangjelizmos të kryeqytetit, ku po kurohet nën masa tepër të rrepta sigurie, ndërsa policia po kërkon edhe dy bashkëpunëtorët e tij.

Nikos Maziotis konsiderohet prej policisë greke si një ndër terroristët më të egër në vend. Ai bën pjesë tek figurat më të njohura të anarkistëve helenë.

Bashkë me organizatën e tij, Lufta Revolucionare, ai akuzohet për një sërë veprash terroriste si: vendosje bombash, sulme ndaj Ambasadës Amerikane, si dhe atentate të karakterit politik.

Maziotis i ka shpëtuar drejtësisë pasi gjyqi ndaj tij në 2010 u shty, çka i mundësoi lirim për mbarim të afatit të paraburgimit dhe së bashku me të arratisurin tjetër, terroristin Krisotodhulos Ksiros, dyshohet se kanë kryer disa grabitje bankash dhe vendosje bombash në qendër të Athinës.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *