Home / Lajme / Rajon / Berisha dështoi për destabilizimin e vendit pas vrasjes së Azem Hajdarit

Berisha dështoi për destabilizimin e vendit pas vrasjes së Azem Hajdarit

17 korrik-Përzierja e Berishës, SHIK-ut, UÇK-së, FARK-ut si dhe disa ‘shërbimeve të fshehta të huaja’ në ngjarjet e turbullta të shtatorit 1998, kanë shërbyer për t’i mbajtur në hije autorët e vërtetë të akteve të ndryshme destabilizuese që ndodhën atëherë në Tiranë dhe në Shqipërinë veriore. Kriza në Kosovë ishte duke u shndërruar në një betejë të vërtetë, dhe ishte fjala për një çështje shumë më të madhe, sesa për t’u marrë me gjetjen e ‘së vërtetës’.

James Pettifer dhe Miranda Vickers

Ish-presidenti Sali Berisha kishte një plan për destabilizimin e vendit pas vrasjes së Azem Hajdarit. Pse dështoi kjo përpjekje sipas historianëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers? Si rrodhën ngjarjet pas 12 shtatorit 1998 dhe ndikimi i konfliktit kosovar në ngjarjet e Tiranës. Si dhe pse u vra Azem Hajdari? Dyshimet për vrasësit e vërtetë të tij dhe pse nuk u arrestua Berisha si i dyshuari kryesor për ngjarjen. Vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes së qeverisë Bukoshi, Ahmet krasniqit, dhe që, sipas Spartak Brahos, në atë kohë kryetar i Komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit, ‘disa udhëheqës kosovarë, si për shembull Bujar Bukoshi, ishin përfshirë në përpjekjen për grusht shteti’. Si u zgjodh Pandeli Majko Kryeministër i vendit dhe pse Presidenti Meidani refuzoi kërkesën e shërbimit informativ grk për shkarkimin e Fatos Klosit si shef i SHISH

Dosja

Home
Rreth Nesh
Kontaktoni

Log in

Home
Kryesore
Aktualitet
Te zgjedhura
Denoncime
OP-ED
Bota
Sport
Kulture
Lifestyle
Video

Berisha dështoi për destabilizimin e vendit pas vrasjes së Azem Hajdarit
Added by Mcdosja on July 17, 2014
Saved under Kryesore
Tags: azem hajdari

James Pettifer dhe Miranda Vickers

Azem-hajdariIsh-presidenti Sali Berisha kishte një plan për destabilizimin e vendit pas vrasjes së Azem Hajdarit. Pse dështoi kjo përpjekje sipas historianëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers? Si rrodhën ngjarjet pas 12 shtatorit 1998 dhe ndikimi i konfliktit kosovar në ngjarjet e Tiranës. Si dhe pse u vra Azem Hajdari? Dyshimet për vrasësit e vërtetë të tij dhe pse nuk u arrestua Berisha si i dyshuari kryesor për ngjarjen. Vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes së qeverisë Bukoshi, Ahmet krasniqit, dhe që, sipas Spartak Brahos, në atë kohë kryetar i Komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit, ‘disa udhëheqës kosovarë, si për shembull Bujar Bukoshi, ishin përfshirë në përpjekjen për grusht shteti’. Si u zgjodh Pandeli Majko Kryeministër i vendit dhe pse Presidenti Meidani refuzoi kërkesën e shërbimit informativ grk për shkarkimin e Fatos Klosit si shef i SHISH…

(Vijon nga dje)

Plani i Berishës për destabitet

Vrasja e Hajdarit ishte një ngjarje kulmore në polarizimin e politikës shqiptare të atij viti dhe e një fushate të mundimshme të Partisë Demokratike për të minuar qeverinë dhe për të bllokuar çdo lëvizje drejt ndonjë marrëveshjeje për kushtetutën e re. Madje mund të thuhet se që nga ardhja në pushtet e qeverisë së kryesuar nga socialistët një vit më parë, Partia Demokratike me veprimet e saj e kishte mbajtur peng qeverinë. Pavarësisht thirrjeve të Nanos dhe të ndërkombëtarëve që Partia Demokratike të ndihmonte në rimëkëmbjen e përgjithshme të vendit, në të vërtetë opozita parlamentare nuk funksiononte. Përveç organizimit të protestave në rrugë, PD-ja kishte bojkotuar thuajse të gjitha institucionet parlamentare, duke thënë se qeveria nuk ishte e ligjshme ngaqë kishte ardhur në pushtet nga ‘zgjedhje jo legjititime’ e mbështetur nga ‘banditë mafiozë të udhëhequr nga komunistët’. Berishës i pëlqente t’i quante në shumë fjalime Nanon dhe qeverinë e tij si ‘Pashallarë të kuq dhe bllokmenë’ duke aluduar me ngjitjen e Nanos në krye të Partisë së vjetër të Punës nën komandën e vijës së ashpër të komunistëve para vitit 1990.

Si rezultat i këtyre trazirave dhe në kundërshtim me shtypjen e tyre, koalicioni i dobët i udhëhequr nga socialistët bënte në vendnumëro gjithë nervozizëm. Me sulmet e përditshme mbi nëpunësit e qeverisë, me vrasjet dhe arrestimet e militantëve të opozitës, vendi ishte mbërthyer nga një klimë frike dhe pasigurie. Shqipëria edhe një herë u bllokua nga një gjendje braktisjeje, me një paralizë të përgjithshme të institucioneve parlamentare dhe me një rënie të ndjeshme të projekteve të ndihmave ndërkombëtare, ndërsa të huajt e punësuar në Shqipëri nuk pranonin të ktheheshin aty përderisa situata të normalizohej. Mitingjet e PD-së vazhdonin ritualin e tyre të përditshëm në sheshin Skënderbej të Tiranës, me Berishën që ulërinte në një mikrofon duke përmendur pambarimisht emrin e të ndjerit Hajdari, në një përpjekje të dëshpëruar për të ngritur sadopak entuziazmin midis turmave që ai i paguante për këtë punë dhe që përbënin pjesën kryesore të mbështetësve të tij. Shfrytëzimi i vrasjes së Hajdarit nga ana e tij ishte tej mase e pasinqertë.

Vrasja e Hajdarit i kishte krijuar Berishës shansin të vihej në lëvizje, ajo që ai kishte shpresuar të bëhej një kryengritje e armatosur popullore që do ta katapultonte për t’u kthyer në presidencë dhe në qeveri. Berisha u llahtaris nga shpejtësia me të cilën kundërshtarët e tij u mobilizuan në marsin e 1997-s në jug të Shqipërisë. Në të njëjtën formë ai u përpoq të nxiste një rebelim popullor të ngjashëm duke u mbështetur në veri. Deri më tash revoltat e parashikuara prej tij kundër qeverisë nuk kishin ndodhur. Shqiptarët ishin lodhur e rraskapitur nga kaosi i pafundmë dhe dhuna e politikës së rrugës. Thirrja e Berishës për një revoltë të gjerë në shkallë kombëtare nuk arriti të prekte telat e popullsisë së stërmunduar dhe të tromaksur. Ish-Presidenti, baza e mbështetjes së të cilit ishte relativisht e vogël dhe ideologjikisht e paqëndrueshme, i kishte bërë hesapet shumë gabim kur kishte kujtuar se do të kishte me vete aq njerëz gjithandej vendit që ta mbështesnin atë për t’u rikthyer sërish në pushtet. Madje në vendlindjen e tij në Tropojë, në zgjedhjet e 1997-s, shumica e zgjedhësve kishin votuar për Partinë Socialiste, ndoshta më shumë nga shpresa për të marrë sërish paratë e humbura në skemat e falimentuara të fajdeve se nga ndonjë admirim për Nanon dhe Partinë e tij Socialiste. Fakti që shëmtia e Tiranës nuk u përsërit në qytete të tjera të vendit, madje as në trevat e shpallura si antisocialiste si Kavaja dhe Lazarati, provuan mungesën e plotë të mbështetjes ndaj Berishës në shkallë vendi, sikurse në të vërtetë kishin treguar zgjedhjet e qershorit.

Menjëherë pas vdekjes së Hajdarit, mbështetja e Berishës u duk se pësoi një rritje të përkohshme, në një kohë që njerëzit demonstruan zemërimin e tyre ndaj krimit që iu bë një figure aq popullore. Prapëseprapë, përveç disa qindra njerëzve në Tiranë, përfshi këtu edhe ata që ishin të armatosur si truproja jozyrtare të tij dhe që ishin gati të shndërroheshin në kamikaze për të, nuk kishte pothuajse asnjë shenjë për mbështetje ndaj tij. Në demonstratat e tij të shpeshta antiqeveritare para krizës së shtatorit 1998, Berisha nuk qe kurrë në gjendje të mblidhte më shumë se tre mijë njerëz. Kjo punë e marrjes me qira të turmave përfaqësonte një aleancë të shthurur midis rrugaçëve dhe ish-punonjësve të SHIK-ut, të cilët ishin përzier në veprimtari të ndryshme kriminale, por tani në përballje me një të ardhme të pasigurt, nëse do të shkëputeshin nga ‘mbrojtja’ e ish-presidentit të tyre. Shqiptarët në përgjithësi nuk kishin asnjë dëshirë të përsëritej dhuna e vitit të mëparshëm, vëmendja e tyre ishte përqendruar në gjetjen e mënyrave për të mbijetuar në një kohë që rrënimi ekonomik i vendit vazhdonte tatëpjetën. Përpjekja për grusht shteti kishte qenë një farsë e parashikueshme, e cila i la shumicën e njerëzve të traumatizuar dhe i tëhuajti edhe më shumë nga politika dhe proceset demokratike. Por, ndonëse kjo u shndërrua në apati kronike ndaj proceseve politike (një zhvillim i dëmshëm për një demokraci aq të papjekur si të Shqipërisë), donte të thoshte gjithashtu se thuajse askush nuk kishte oreks për një rebelim tjetër popullor. Sipas të gjitha gjasave, e vetmja ngjarje që mund të provokonte një destabilitet të mëtejshëm do të kishte qenë arrestimi i Berishës. Por Nanoja ishte aq i zgjuar sa të mos binte në këtë kurth.

Berisha në prag të arrestimit, por të huajtë…

Gjithsesi, qeveria tashmë po përpiqej ta fuste në grackë Berishën duke e kërcënuar me forcën e ligjit për përpjekjet e tij për përmbysjen e qeverisë. Një komision parlamentar kishte votuar për t’i hequr ish-presidentit imunitetin politik, kështu që qeverisë t’i hapej rruga ta padiste atë për organizim të kryengritjes së armatosur. Por në situatën aq të paqëndrueshme, vështirë ishte të përfytyroje se si arrestimi i Berishës, do të shërbente për të arritur diçka, me përjashtim që do t’i hidhte më shumë benzinë zjarrit të përkeqësimit të krizës në vend. Nga ana tjetër kishte një trysni të fortë nga ndërkombëtarët për mos arrestimin e Berishës nga meraku se ndjekësit e tij mund të shkaktonin trazira të mëtejshme, të cilat mund edhe të çonin në një destabilizim të krejt rajonit të paqetë të Ballkanit.

Përfundimisht, trysnia e të huajve, sidomos ajo e ushtruar nga trojka e BE-së (Austria, Italia dhe Greqia), e cila e vizitoi Tiranën menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, bëri që Berisha të mos arrestohej. Sidoqoftë, edhe po qe se ai do të ishte arrestuar shanset për kthimin e tij në një figurë martire nuk ishin aq të larta, duke gjykuar nga mbështetja e paktë që ai kishte në shkallë kombëtare. Ashtu si u bë, Berishës iu mundësua ta hidhte prapa krahësh përpjekjen për grushtin e shtetit, por gjatë këtij procesi u arrit që vetë ai ta diskreditonte veten dhe partinë e tij, e cila në të vërtetë kishte degjeneruar në një turmë të çoroditur. Në një përpjekje për të shpëtuar besueshmërinë e opozitës, dymbëdhjetë parti të krahut të djathtë dhe disa shoqata nacionaliste dhe antikomuniste formuan një ‘Front të Mospajtimit me Diktaturën’, që në të vërtetë ishte një lëvizje kundër qeverisë. Por nga ana tjetër, edhe qeveria në të njëjtën kohë ishte duke u vënë nën trysninë e së majtës. Partia Komuniste e reformuar rishtazi ishte gjithashtu gati t’u bashkohej sherreve antiqeveritare.

Për fat të keq, kriza e Tiranës largoi vëmendjen nga kriza e Kosovës në përgjithësi dhe veçanërisht nga vala e fundit e refugjatëve kosovarë që kishin mbërritur në qytetin verior të Shkodrës pas dëbimit të tyre prej Malit të Zi. Më 12 shtator Mali i Zi mbylli kufijtë për shqiptarët etnikë që largoheshin prej luftimeve në Kosovë, ndërsa përcolli rreth 3 mijë refugjatë për në Shqipëri. Në atë kohë Mali i Zi numëronte rreth 45 mijë refugjatë nga Kosova, ndërsa zyrtarët thanë se nuk mund të prisnin më prej tyre për shkak të vështirësive të shumta që u ishin shtuar. Mjedise strehimi (duke përjashtuar strehimin familjar) për refugjatët në Shqipëri pothuajse nuk ekzistonin, ndërsa dimri po afrohej me shpejtësi dhe situata humanitare po bëhej kritike.

Ndikimi i luftës në Kosovë

Faza e fundit e trazirave në Tiranë përkoi me mungesën e kontrollit të qeverisë në veriun e vendit, i cili tashmë ishte bërë skena kryesore për konfliktin e Kosovës. Mungesa e mëtejshme e kontrollit kufitar të qeverisë shqiptare solli përfitime të ndjeshme dhe në rritje për një numër shqiptarësh nga tregtia e paligjshme kufitare me shitjen e armëve, municioneve si dhe të furnizimeve me mjete dhe barna mjekësore për UÇK-në. Shumë nga këta ishin zyrtarë të lartë nga veriu i vendit që përdornin të gjitha strukturat e fuqishme klanore në të dy anët e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Trazirat që ndodhën në Tiranë bënë që vëmendja e policisë dhe ushtrisë të përqendrohej në mbrojtjen e kryeqytetit dhe rrethinave të tij, duke u lënë dorë të lirë tregtarëve të armëve dhe UÇK-së të vepronin lirshëm në veri.

Por ndërkaq ishin duke vazhduar hetimet për gjetjen e njerëzve përgjegjës për përpjekjen e grushtit të shtetit. Pandehmat ishin të mëdha për përzierjen e shqiptarëve të Kosovës në krizën e brendshme politike të Shqipërisë. Nga fillimi i qershorit, një tjetër forcë luftëtare e shqiptarëve etnikë doli në Shqipërinë veriore, e cila si edhe UÇK-ja, të paktën teorikisht, thoshte se luftonte për pavarësinë e Kosvës. Ky grupim i ri paraushtarak, i njohur si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, ose FARK, kontrollohej nga Bujar Bukoshi, ‘kryeministri’ në mërgim i Lidhjes Demokratike të Kosovës që pretendonte njëfarë qeverisjeje paralele të shqiptarëve të Kosovës. FARK-u kishte kundërshti të thella me UÇK-në dhe fërkimet midis dy grupimeve ishin thelbësore. Pavarësisht se nuk arriti të numëronte kurrë më shumë se disa qindra njerëz në radhët e saj, dhe asnjëherë nuk mund të matej për nga angazhimi dhe aftësitë organizuese me UÇK-në, FARK-u përfaqësonte një forcë të re paraushtrake destabilizuese të së djathtës që operonte në zonat veriore kufitare të vendit. Ajo u dha material të freskët mediave botërore, të cilat me këtë rast theksuan konfuzionin në rritje dhe rrezikun që i kanosej rajonit në përgjithësi.

Bujar Bukoshi, i cili rrinte në Gjermani dhe ishte një përkrahës i fortë i Sali Berishës, ishte përgjegjës për mbledhjen e fondeve të qeverisë paralele për të financuar ‘Forcat e tij të Armatosura’. FARK-u komandohej nga ish-oficerë shqiptarë etnikë të Jugosllavisë që kishin luftuar kundër serbëve si vullnetarë në Bosnjë. Këta ishin shumë më të mirinformuar mbi taktikat bashkëkohore të ushtrisë jugosllave se sa oficerët e vjetër të ushtrisë jugosllave nga disapora kosovare që ishin të shquar në UÇK, por nga FARK-u konsideroheshin më shumë idealistë se realistë. Ndryshe nga interesat e UÇK-së, FARK-u kishte një angazhim të dyshimtë në luftën kundër serbëve dhe dukej se ishte i kënaqur me një autonomi të zgjeruar se sa me pavarësinë e plotë të Kosovës.

Ekzistenca e dy ushtrive etnike shqiptare paraqiste një sërë vështirësish në terren. Nëse FARK-u do të rritej, do të bëhej e pamundur për të përcaktuar se kush do të ishte përgjegjës për aksionet ushtarake. Shfaqja e një ushtrie të dytë etnike shqiptare të përqendruar në Shqipërinë veriore rrezikonte seriozisht gjithashtu integritetin territorial të Shqipërisë. Qëkurse të dy grupimet ishin të detyruara të ndërmerrnin shumicën e ofensivave të tyre nga kufijtë veriorë të vendit, kishte një rrezikshmëri në rritje për ndërhyrje nga forcat e Beogradit kundër Shqipërisë. Gjithashtu, pandehmat se anëtarë të FARK-ut kishin luajtur një rol (mbase të vogël) në rebelimin e armatosur, ishin një shenjë e keqe për një konflikt të mundshëm brenda etnik që mund të ndodhte në tokën shqiptare. Berisha duket se ka bërë një gabim trashanik në besimin ndaj mbështetjes së FARK-ut për të gjetur forca në përpjekjen e tij për të përmbysur qeverinë. Disa komandantë të FARK-ut i kishin premtuar Berishës 400 burra të armatosur që do ta ndihmonin atë për të marrë pushtetin në Tiranë. Në ngjarjet e shtatorit vetëm nja 180 prej tyre morën pjesë, por edhe ata u zhdukën me t’u marrë vesh dështimi i përpjekjes së grushtit të shtetit. Dy nga njerëzit e Bukoshit, të dy shqiptarë të Kosovës, ishin midis atyre që u arrestuan kur forcat e sigurisë rimorën ndërtesën e Radio-Televizionit shtetëror të Tiranës për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare. Përkrahësit e tjerë të Bukoshit nxituan të fshihen në Tiranë, në Durrës e Shijak.

Javën që vijoi, një deputet i njohur socialist deklaroi publikisht se udhëheqësit kosovarë ishin përzier në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit duke furnizuar me armë militantët e Partisë Demokratike. Sipas Spartak Brahos, në atë kohë kryetar i Komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit, ‘disa udhëheqës kosovarë, si për shembull Bujar Bukoshi, ishin përfshirë në përpjekjen për grusht shteti’. Braho e akuzoi qeverinë në mërgim të Bukoshit për furnizim të PD-së së Berishës me ‘njerëz të armatosur, të cilëve u ishin ngarkuar të kryenin detyra të veçanta gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit.’12 Më 21 shtator, policia arrestoi 11 kosovarë për armëmbajtje pa leje. Ata thanë se ishin të UÇK-së, por në të vërtetë ishin anëtarë të FARK-ut. Të njëmbëdhjetë u arrestuan ndërsa po udhëtonin nga Tropoja për në Tiranë. Në një zhvillim dramatik të mëtejshëm, në të njëjtën ditë, kryekomandanti i FARK-ut, Ahmet Krasniqi, u qëllua dhe u vra nga dy njerëz të armatosur dhe të maskuar në Tiranë. Dy vrasjet e bujshme në Tiranë brenda nëntë ditëve donin të thoshnin për shumëkënd se vëndi tashmë ishte në rrezikun e një ‘vale vrasjesh politike’.

Pavarësisht se askush nuk u arrestua për vrasjen e Krasniqit, incidenti shërbeu për përqendrimin e vëmendjes në veprimtaritë e kosovarëve të përfshirë në luftën e Kosovës, pasi ata ishin duke i bashkërenduar gjithnjë e më tepër lëvizjet e tyre nga Tirana. Ashtu si për Hajdarin, edhe për Krasniqin kishte hamendësime të shumta se kush dhe pse e vrau. Demokratët këmbëngulnin se komandanti i FARK-ut, i cili ishte me banim të përkohshëm në Tiranë, u vra nga Shërbimi Informativ shqiptar, SHIK-u, ndoshta në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë jugosllav, UDB-në. Dyshimet u ngjallën vetëm pak orë pas vdekjes së Krasniqit, kur u mësua se punonjës të SHIK-ut kishin grabitur banesën e tij natën para vrasjes. Dyshimet u shtuan edhe nga mbërritja e katër makinave të policisë në vendin e ngjarjes menjëherë pas vrasjes. Socialistët nga ana tjetër prireshin të largonin dyshimet mbi përzierjen e SHIK-ut në këtë ngjarje, por pohonin se ndonjë shërbim i huaj mund të kishte gisht në të. Por shqiptarët e zakonshëm në atë kohë nuk kishin dijeni për rivalitetin e egër që ekzistonte midis klaneve të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa qenë të bindur se ‘Fuqitë e Mëdha’ ishin pas ngjarjeve kryesore që kishin lidhje me Kosovën.

Vrasja e Ahmet Krasniqit ishte një inkurajim për gjuetinë ndaj organizatorëve kryesorë të rebelimit të armatosur. Më 24 shtator, policia arrestoi kryetarin e partisë së vogël monarkiste të Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, si dhe dy ish-funksionarë ushtarakë, Sali Shehun, një ish-zyrtar të lartë të policisë dhe Fatos Hoxhën, ish-komandant i trupave komando të ushtrisë. Të tre akuzoheshin për organizim dhe pjesëmarrje në kryengritjen e armatosur. Spahia ishte një nga tre njerëzit që doli drejtpërdrejtë në TV shqiptar më 14 shtator për të njoftuar rënien e qeverisë, pasi ishin zaptuar zyra e kryeministrit, parlamenti si dhe radio-televizioni. Oficerët e lartë në pension ishin mbështetur në veprimet e tyre nga disa elementë në Gardën Kombëtare Shqiptare si dhe në ministritë e Rendit Publik dhe të Mbrojtjes.

Gjatë kësaj kohe pati një trysni të fortë mbi Fatos Nanon të bënte ndryshime në kabinetin e tij si një mënyrë për të forcuar përpjekjet e qeverisë për të fituar kontrollin që i takonte pas trazirave, ose të jepte dorëheqjen. Diplomatët perëndimorë i kërkonin gjithashtu Nanos të vepronte me shpejtësi për të vendosur sigurinë në veriun e vendit. Më 24 shtator Nanoja tha në një mbledhje të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen para vitit 2001. Por përpjekjet e mbinatyrshme të Nanos për të ruajtur pushtetin politik dhe institucional do të testoheshin një ditë më pas kur parlamenti mori në shqyrtim një paketë anti-krizë, e cila përfshinte edhe problemin e ndryshimeve rrënjësore në qeveri, strukturat qeveritare dhe stilin e qeverisjes. Papritmas, Nanoja mori lehtësisht një mbështetje të plotë nga Komiteti Drejtues për të formuar një qeveri të re. Paradoksalisht, ai u duk se kishte forcuar pozitën, në një kohë që ai kishte humbur aq shumë besueshmërinë e ndërkombëtarëve për shkak të ngadalësisë së tij në luftimin e korrupsionit të shfrenuar në vend. Ekonomia kishte filluar të gjallërohej ndjeshëm, por më të shumtat e parave shkonin në xhepat e Nanos dhe të miqve të tij në strukturat partiake. Por duhet thënë se autoriteti politik i Nanos, pas zhdukjes së tij për disa ditë gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit, ishte bjerrur së tepërmi si në radhët e Partisë Socialiste, ashtu dhe te partnerët në koalicionin qeverisës.

Dorëheqja e papritur e kryeministrit Fatos Nano, e cila u njoftua në TV më 28 shtator në mbrëmje vonë, erdhi si një befasi e plotë për të gjithë vëzhguesit. Ikja e Nanos zgjidhi nyjen që kishte paralizuar Shqipërinë gjatë dy javëve të fundit. Pavarësisht se opozita kishte kërkuar dorëheqjen e tij që kur qeveria e koalicionit e drejtuar nga socialistët filloi punën në gusht 1997, Nanoja kishte përjashtuar çdo mundësi për dorëheqje deri në mbrëmjen e vonë të 27 shtatorit. Në ditën e fundit si kryeministër, Nanoja u rrek të rikthente njëfarë besueshmërie te kabineti i tij jetëshkurtër, por nuk mund të fshihte mosmarrëveshjet ndërpartiake, që në të vërtetë ishin dobësia themelore e pushtetit të tij. I sulmuar nga të gjitha anët, Nanoja mençurisht pa se gëzonte mbështetje të paktë brenda partisë së tij.

Por largimi i Nanos kishte qenë diçka e pritshme qëkurse ai u zhduk në ditët e përpjekjes për grusht shteti të Berishës. Shpejtësia me të cilën ai dha dorëheqjen dhe dorëzoi postin, duket se ishin organizuar nga Presidenti Meidani, i cili në atë kohë ishte politikani më i respektuar në spektrin shumëngjyrësh të diskredituar të politikës. Prej kohësh Meidani ishte i pakënaqur me punën e Nanos si kryeministër, sidomos me vesin e tij të të pirit, ndaj dhe kishte menduar se si ta zëvendësonte atë. Në kulmin e trazirave të mesit të shtatorit, gjatë mungesës së Nanos, Presidenti thirri në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Pandeli Majkon, për të biseduar rreth krizës dhe ku u pa se emërimi i Majkos si pasues i Nanos do të ishte i sigurt.

Qëkurse Nanoja u duk se do të ishte në epiqendrën e zemërimit të Berishës, ikja e tij ishte menduar si e nevojshme për të ulur tensionet e atmosferës politike. Pati një lehtësim të madh pas këtij hapi, i cili shpresohej se do t’i jepte fund rrugës pa krye në të cilën ishte futur vendi qysh me arrestimin e gjashtë ish-zyrtarëve të PD-së në gushtin që sapo kishte kaluar. Pasardhësi i tij riosh, Pandeli Majko (31 vjeç), përgjithësisht vështrohej si i panjollosur nga e kaluara komuniste, kështu që ishte më i pranueshëm për një popullsi të mërzitur nga klasa e vjetër e politikanëve me një mendësi të fortë komuniste. Majko, i cili si edhe Hajdari, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në demonstratat studentore të cilat çuan në rënien e qeverisë komuniste, përfaqësonte një brez të ri të politikanëve shqiptarë te të cilët shpresohej se do të sillnin një fllad të freskët në atmosferën e amullt të politikës. Gjithsesi, Perëndimi u shqetësua nga ky ndryshim në udhëheqje në një kohë që kriza e Kosovës kishte hyrë në një fazë të rrezikshme. Qëndrimi i Majkos ndaj Kosovës nuk dihej, kurse Nanoja, të paktën teorikisht, lidhur me Kosovën kishte qenë një partner i besueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, pasi kishte injoruar thirrjet për pavarësi të krahinës dhe kërkonte një zgjidhje paqësore të krizës.

Një nga detyrat e para të Majkos në vjeshtën e 1998-ës ishte të kërkonte shkarkimin e shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosit, për shkak të dyshimeve për përzierje në vrasjen e Azem Hajdarit. Por Presidenti Meidani nuk pranoi ta firmoste kërkesën e Majkos për shkarkimin e Klosit, me sa duket nga ndërhyrjet e disa shërbimeve të huaja të zbulimit që nuk ishin të interesuara për ndryshimin e kreut të Shërbimit Informativ në një kohë që tensioni në Kosovë ishte në rritje. Sipas Meidanit, vendimi për mosshkarkimin e Klosit ishte kërkuar nga një punonjës i ‘një shërbimi të fuqishëm zbulimi që ishte i shqetësuar nga zhvillimi që po merrnin ngjarjet në Kosovë’. Meidani shpjegon se ai kishte marrë dorazi një copë letër të mbyllur, ‘e cila thoshte se akuza ndaj Klosit ishte një çështje që i përfshinte edhe ata (shërbimin e huaj të zbulimit), që u mundësonte të kontrollonin zhvillimin e situatës në Kosovë. Ky shënim kërkonte prerazi të mos bëheshin ndryshime të strukturave drejtuese të Shërbimit Informativ në atë kohë.’ Pavarësisht se nuk ka prova të mjaftueshme, ka pak dyshime se kërkesa për Klosin është bërë nga Shërbimi i fshehtë grek.

Përzierja e Berishës, SHIK-ut, UÇK-së, FARK-ut si dhe disa ‘shërbimeve të fshehta të huaja’ në ngjarjet e turbullta të shtatorit 1998, kanë shërbyer për t’i mbajtur në hije autorët e vërtetë të akteve të ndryshme destabilizuese që ndodhën atëherë në Tiranë dhe në Shqipërinë veriore. Kriza në Kosovë ishte duke u shndërruar në një betejë të vërtetë, dhe ishte fjala për një çështje shumë më të madhe, sesa për t’u marrë me gjetjen e ‘së vërtetës’./ Dita/

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *