Home / Sport / Mustafi:

Mustafi:

“Besoj se do të më duhet edhe pak kohë për të shijuar gjithë atë që ka ndodhur në Brazil”, deklaroi Shkodran Mustafi, i cili titullin e kupës së botës i’a ka dedikuar familjes së tij dhe gjithë shqiptarëve.

Pas dy javësh që përfundoi kampionati botëror në Brazil dhe pas festimit në Gjermani, Shkodran Mustafi është kthyer në vendlindjen e prindërve të tij-Gostivar për t’i kaluar disa ditë pushimi. Kampioni i botës në futboll gjatë një takimi me gazetarët sportiv ka thënë se ende nuk e ka shijuar siç duhet kupën e botës, madje-madje nuk i besohet se çfarë ka ndodhur në Brazil 2014. I bëhet qejfi që është shqiptari i parë që ngriti lartë kupën e botës, duke shpresuar që të mos jetë edhe i fundit.
“Më bëhet qejfi që jam shqiptari i parë që ngrita trofeun e kupës së botës, por shpresoj që pas meje të ketë edhe shqiptarë të tjerë që do të ngrejnë atë trofe. Mirëpo, unë ende nuk e kam të qartë se çka ka ndodhur në të vërtetë në Brazil. Pas kthimit në shtëpi te familja dhe pas takimeve me gazetarë nuk kam pasur kohë ta përjetoj ashtu siç duhet atë që ka ndodhur në Brazil. Po tash disa-ditës po kujtoj se atje (në Brazil) kam bërë një punë të madhe, kam hyrë në histori. Besoj se do të më duhet edhe pak kohë për të shijuar gjithë atë që ka ndodhur në Brazil”, deklaroi Shkodran Mustafi, i cili titullin e kupës së botës ia ka dedikuar familjes së tij.

Ai tha se pritja në Berlin ka qenë fantastike.
“Pritja në Gjermani ka qenë si në ëndërr. Më shumë se një milion njerëz kishin dalur për të na pritur dhe për të na uruar për titullin e botës të cilin e fituam pas 24 viteve. Ishte një festë e rrallë dhe një ndjenjë e vecantë të shohësh turmën e madhe të njerëve që kishin dal për të na nderuar”, thekson Mustafi, duke treguar se foton me kancelarën gjermane, Angela Merkel e ka bërë për ta njoftuar familjen e tij se edhe ajo ka qenë e pranishme atje.

Duke folur për fitoren historike ndaj Brazilit prej 7-1 ai tha:
“Ishte një ndeshje ku njërit ekip i shkonte gjithçka për dore, kurse tjetrit jo. As ne nuk besuam se do të fitojmë me një rezultat të tillë, pra kaq të thellë, por ja që ndodhi. Ne në çdo ndeshje kemi hyrë me seriozitetin më të madh dhe ia kemi arritur qëllimit”.
Ai tha se është shumë keq kur nuk luan në një finale, ku të ndjekin e gjithë bota, por me rëndësi ka qenë titulli.
“Kur nuk luan në çfardo ndeshje qoftë është keq, ndërsa kur mungon në finale në të cilën të ndjekin e gjithë bota është edhe me keq, por për mua ishte më kryesore ta fitojmë botërorin. Edhe pse nuk merrja pjesë në finale, për shkak të lëndimit, unë kisha emocione të pafundme, sepse nuk kisha mundësi të ndihmojë ekipinë në lojë. Megjithatë, isha optimist se do të fitojmë botërorin, për atë edhe patëm shkuar në Brazil”, thekson ai.

Mustafi tregon se në Brazil më shumë është shoqëruar me Mario Gotzen, me të cilin njihet shumë më herët.
“Po, më shumë kam qenë bashk me Mario Gotzen, sepse jemi një kohë të gjatë së bashku. Me të kam fituar kupën e Europës në vitin 2009 për moshat deri më 17-vjec. Ka 5-6 vite që jemi shokë”, thotë Mustafi.
Duke folur për ofertat e reja, ai tha se tash për tash është lojtar i Sampdorias.
“Ende nuk jam duke menduar lidhur me ndonjë transferim timin në ndonjë klub tjetër, sepse unë ende po dua ta shijoj atë që kemi arritur në botëror, ndërsa punën e transferit ia lë babait tim, ai duhet të merret më këtë çështje. Oferta kam, por tash për tash jam lojtar i Sampdorias edhe me 2 gusht duhet të kthehem në klub dhe pastaj do të bisedojmë me babain, menaxherin tim dhe me Sampdorian për të gjetur një zgjidhje më të mirë për të gjitha palët”, tha Mustafi.
Në fund, ai tregoi se ka qenë i vendosur të luaj për Gjermaninë dhe jo Shqipërinë.
“Unë e kisha vendosur të arrij sa më larg me Gjermaninë, nuk kam pasur mendjen të luaj për Shqipërinë. Futbolli nuk ka lidhje me politikën. Futbolli është sport dhe asgjë tjetër. Gjermania më ka rritur dhe shkolluar dhe kur të vij te ekipi i parë të iki dhe të luaj për Shqipërinë nuk kishte kuptim. Jo që nuk ka kuptim, sepse unë doja të arrijë sa më shumë me Gjermaninë, ndërsa me Shqipërinë s’e di a do ta kisha mundur ta ngrejë kupën e botës”, përfundoi Mustafi, i cili ka nisur me stërvitje, pas lëndimit në botëror.
Takimi i Mustafit me gazetarët sportiv u zhvillua në restorantin Relax në Gostivar, të shtunën pasdite.

/lajm/

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *