Home / Lajme / Maqedoni / Përurohen punimet për ndërtimin e xhamisë në Komunën e Çairit

Përurohen punimet për ndërtimin e xhamisë në Komunën e Çairit

24 korrik-Kryetari i Myftinisë së Shkupit dhe njëherësh kryetar Këshillit për Ndërtimin e Xhamisë, Ibrahim Shabani, tha se me ndërtimin e këtij tempulli të shenjtë po përmbushet një ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj lagje dhe apeloi të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në ndërtimin sa më të shpejt të tij.

Vendosja e gur themelit shënoi zyrtarisht fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen Fushë Topanë të Çairit.

Xhamia e cila do të ketë edhe hapësira të posaçme për studim, në kuadër të qendrës edukativo-shkencore, filloi sot të ndërtohet në prani të qindra qytetarëve, krerëve të Komunës Çair dhe liderëve fetarë.

Kreu i Komunës Izet Mexhiti tha në fjalën e tij të rastit se me ndërtimin e xhamisë po përmirësohet një gabim i së kaluarës ose, më saktë, siç u shpreh ai, i diktaturës komuniste e cila nuk ka lejuar ndërtimin e objekteve fetare.

Ai tha se investimet e Komunës Çair janë gjithëpërfshirëse dhe në funksion të rritjes së cilësisë në të gjitha sferat e jetës.

“Ne nuk ndërtojmë xhamia për inat të dikujt, por ne ndërtojmë xhamia për shkak se është kërkesë dhe nevojë e popullit dhe e qytetarëve. Ne si Komunë nuk kemi harruar as çështjet e tjera, kemi rinovuar në këtë lagje çerdhet në hyrje dhe dalje, kemi rinovuar objekte arsimore në Çair, këtu afër është në ndërtim e sipër Universiteti Ballkanik dhe së shpejt duhet të fillojë kompleksi i USHT-së, si dhe Instituti Albanologjik”, tha Mexhiti.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Reis ul- Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepi vlerësoi si të drejtë konstatimin se xhamitë po ndërtohen jo për të treguar forcë, por sepse janë vërtet të nevojshme.

Ai u shpreh më tej se “pa xhami, ashtu sikurse pa shkollë, pa çerdhe, pa ujë, nuk ka ekzistencë të këtij populli” .

“Kjo duhet të kuptohet nga çdokush”, tha ai.

Kreu i BFI-së përfitoi nga rasti të falënderojë publikisht kreun e Komunës, zotin Mexhiti, për mundësinë që kjo xhami e përmasave madhështore të ndërtohet në këtë zonë të kryeqytetit.

“Xhamia është një prej elementeve të infrastrukturës. Atje ku janë myslimanët duhet të ketë xhami, njashtu duhet të ketë shkollë, çerdhe parashkollore, shkollë të mesme dhe fakultete. Realiteti duhet pranuar, nuk duhet të merremi me punë të kota, kur njerëzit tonë menaxhojnë dhe ushtrojnë pushtetin, prej njerëzve tanë vetëm dobi kemi dhe asnjëherë dëme. Po mos të ishte kryetari i nderuari Izet Mexhiti nuk e di a do ta kishim realizuar këtë ëndërr dhe nevojë shumë të madhe. Kjo xhami do të shfrytëzohet nga të gjithë myslimanët edhe përtej kufijve. Sepse ne sot kemi vërtet kufij gjeografikë dhe politikë, por xhamia nuk i njeh ato “, u shpreh kreu i BFI-së.

Kryetari i Myftinisë së Shkupit dhe njëherësh kryetar Këshillit për Ndërtimin e Xhamisë, Ibrahim Shabani, tha se me ndërtimin e këtij tempulli të shenjtë po përmbushet një ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj lagje dhe apeloi të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në ndërtimin sa më të shpejt të tij.

“Ne si Myftini e Shkupit nuk ngurrojmë asnjëherë ndaj iniciativës për ndërtimin e xhamive për arsye se e dimë se prapa shpine kemi një xhemat besimtar dhe të fortë të cilët nuk kursejnë për xhamitë dhe japin kontributin e tyre për ndërtimin e tyre. Ne jemi një shembull i gjithë rajonit se çdo xhami që ka filluar është ndërtuar në një kohë shumë të shkurtër. Çdo njeri që ka dëshirë do të mund të kontribuojë dhe me atë do të fitojë për shkak se ky vend është i shenjtë, ku përmendet fjala e Zotit të madhërishëm”, deklaroi Shabani.

Xhamia e re do të ngrihet madhërisht me katër minare dhe do të përfshijë, përveç faltores ku besimtarët myslimanë do të kryejnë ritet, edhe një qendër edukativo-shkencore.

Ky është tempulli i parë fetar islam në Maqedoni që do të ketë, krahas karakterit fetar, edhe atë shkencor.

Kjo për faktin se qendra edukativo-shkencore do të ofrojë mundësinë e studimit, me ligjërata nga teologë të njohur vendas dhe të huaj.

Për këtë qëllim, qendra do të ketë amfiteatër dhe hapësirë për lexim, ku besimtarët dhe studentët e teologjisë do të mund të zhvillojnë njohuritë e tyre në Islam. /Aktuale/

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *