Home / Lajme / Maqedoni / Protesta të qeta në Shkup, shpalosen kërkesat e protestuesve shqiptar (VIDEO)

Protesta të qeta në Shkup, shpalosen kërkesat e protestuesve shqiptar (VIDEO)

Shkup, 11 Korrik – Edhe gjatë ditës së sotme mijëra shqiptarë kanë vërshuar rrugëve të Shkupit në protestën e paralajmëruar kundër procesit “Monstra”.

Marshimi, nga kompleksi Çairçanja deri te qendra tregtare Mavrovasja u zhvillua i qetë dhe pa incidente, nën brohoritjen e parullave për lirimin e të dënuarve. Turma kryesohej nga disa figura publike si Hisni Shaqiri, Ismet Ramadani, Mersel Billali, Kim Mehmeti, kampioni i boksit Nuri Seferi dhe të tjerë, bashkë me familjarët e të dënuarve. “Ndal rasteve të montuara”, “duam liri”, “Jankullovska terroriste” ishin vetëm disa prej parullave që mbanin në duar protestuesit, bashkë me flamurin kombëtar. Ndërkohë, organizatorët e protestës, siç thanë ata në emër të familjarëve të të dënuarve, shpalosën për herë të parë edhe kërkesat e qytetarëve që protestojnë tashmë prej disa ditësh.

“Shpalljen si të pafajshëm, lirimin e menjëhershëm dhe dëmshpërblimin e tyre. Shkarkimin e menjëhershëm të prokurores dhe gjykatësit të rastit, dhe ndjekjen e tyre penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dorëheqjen e ministres së brendshme për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare duke shpallur gjykimin qysh gjatë arrestimit të tyre, dhe lirimin e menjëhershëm të protestuesve në Shkup dhe Tetovë”, tha Daim Luçi, organizator.

“Na kanë diskriminuar, na kanë bërë padrejtësi. Ata na kanë nxitur të protestojmë në këtë mënyrë. Prandaj po protestojmë bashkë me bashkëqytetarët, dhe jemi mirënjohës që po na japin gajret. Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona, sepse nuk na ngel gjë pos rrugës”, u shpreh Bedri Ajdari, familjar.

Edhe pas thirrjes së organizatorëve për shpërndarjen e protestuesve, dhe shpërndarjen e pjesës më të madhe të masës, dhjetëra persona, kryesisht të rinj, refuzuan të shpërndahen, në tentim që të provokonin incidente. Pas disa minutash bindje mes vete, dhe ndonjë gurë drejt policisë u shpërnda edhe grupi i fundit i ngelur nga protesta.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *