Home / Lajme / Maqedoni / Reagojnë Tirana dhe Prishtina për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve

Reagojnë Tirana dhe Prishtina për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve

Ndaj dhunës së ushtruar gjatë protestave kundër dënimeve me burgim të përjetshëm për të akuzuarit e rastit ‘Monstra’, reaguan edhe Tirana zyrtare por edhe dhe Prishtina.

Ministria e jashtme e Shqipërisë shpreh shqetësimin për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve shqiptarë dhe kërkon një proces të drejtë gjyqësor të bazuar mbi prova.

“MPJ u kërkon autoriteteve Maqedonase dhe instancave përkatëse gjyqësore që të garantojnë një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar mbi prova. Dhuna e ushtruar nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes dhe dëmton marrëdhëniet ndër-etnike dhe harmoninë midis komuniteteve”, theksohet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Tirana zyrtare gjithashtu bën të ditur se do të vijojë të ndjek me vëmendje zhvillimet në Shkup dhe fton palët të tregojnë vetë-përmbajtje dhe gjakftohtësi. Një reagim të ashpër ndaj ngjarjeve të një dite më parë ka barë edhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. ‘Shqiptarët në Shkup muajt e fundit janë përballur me dhunë dhe terror, si të ekstremistëve albanofob maqedonas ashtu edhe të autoriteteve policore të këtij vendi’

“Duke dënuar me ashpërsi dhunën ndaj protestuesve paqësore u bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë të ndëshkojnë me forcën e ligjit autorët e kësaj dhune. Ftoj qytetarët shqiptarë të ruajnë gjakftohtësinë dhe shmangin përkeqësimin e gjendjes tejet të nderë në marrëdhëniet ndëretnike në Shkup”, ka shtuar Berisha.

Reagime edhe nga Prishtina. Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me protestat e dhunshme të një dite më parë.

“Procesi i fundit gjyqësor ndaj shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm, pa pasur prova, tashmë e vulosë idenë se akte të tilla të përsëritura të cilat mohojnë edhe të drejtat bazike qytetare shkojnë përtej paragjykimeve rastësore, dhe dëshmojnë për një strategji institucionale që ka për qëllim shtypjen dhe frikësimin e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në Maqedoni. Ndërhyrja e dhunshme e policisë në protestë veç sa e shpërfaqë edhe një herë padrejtësinë kundër të cilës po protestohet, duke i dhënë të drejtë protestuesve, të cilët janë rrahur, lënduar rëndë dhe arrestuar”.

Nga Lëvizja VETËVENDOSJE! bënë thirrje për lirim të menjëhershëm të gjithë qytetarëve të arrestuar. “Sistemi shtypës që është ndërtuar në Maqedoni është bërë edhe me ndihmën e atyre politikanëve shqiptarë që nuk kanë ditur të shikojnë përtej interesave të ngushta klanore të partive që përfaqësojnë. Bashkimi i faktorëve progresivë të politikës shqiptarë në Maqedoni është sot një nevojë urgjente që do të mund të hapte rrugën për drejtësi”, theksohet në reagimin e Vetëvendosjes.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *