Home / Lajme / Rajon / Rrëfehen familjarët e Lavdërim Muhaxherit

Rrëfehen familjarët e Lavdërim Muhaxherit

31 korrik-“Unë mendoj që njerëzit si Lavdërimi paguhen. Ekziston papunësi e madhe. Mendoj që këta po financohen nga grupe terroristë. Unë për vete po të ishte për Palestinën kisha shkuar të luftoj nesër. Por, për ISIS në Siri e Irak kurrë”, thotë një i ri tjetër që gjithashtu nuk dëshiron t’i përmendet emri.

Një ditë pasi një fotografi e të birit tmerroi botën, dera e shtëpisë së Kjani Muhaxhirit në periferi të Kaçanikut ishte e mbyllur pothuajse gjatë gjithë ditës.

Prindërit dhe dy vëllezërit thonë se nuk janë aty. Përreth oborrit bëjnë pothuajse roje axhallarët dhe kushërinjtë.

Në shtëpinë e Lavdërim Muhaxherit të afërmit preferojnë më tepër t’i përgjigjen me heshtje aktit makabër. Ata e pranojnë që fotografia ku vërehet një i mitur me kokë të prerë në duart e Muhaxherit nuk është e rreme.

Madje kanë edhe arsyetimin për të.

Janë xhaxhallarët ata që shpjegojnë pse ai i preu kokën një njeriu. Axha i tij, Kadri Muhaxheri thotë se nuk është ndier mirë.

“Por, kjo është luftë. Çka t’i bësh. Edhe këtu ka pas luftë, çka nuk ka ndodhë. Kanë pre koka e gjithçka”, thotë ai për Radio Kosovën.

Kjo fotografi nuk është që i ka bërë të ndihen mirë, por ata e dinë pse Lavdërimi ka ardhur deri tek ky moment morbid.

Në versionin e tyre viktima pa identitet nuk është një i mitur. Sipas tyre bëhet fjalë për dhunuesin e një femre. Në kasaphanën e Sirisë edhe dhunimi i femrave po përdorët si armë lufte. Më tej ata këpusin fijen e shpjegimit. Nuk japin detaje të tjera, përderisa fotoja e ka përçuar tmerrin. Megjithatë nuk është vështirë të shpaloset ndjesia për të nipin.

“Djalë më të mirë në Kosovë nuk ka”, thotë Kadriu.

Ajo që shihet në qenësinë e tërë anëtarëve të familjes është një raport mirëkuptimi me veprimet e tij, në zemër të së cilave është “lufta për Xhihad”.

Në asnjë mënyrë ata nuk duket se kundërshtojnë veprimet e tij, asnjë gjë që ai e ka bërë deri më tani.”Është zgjedhja e tij. Ai nuk e ka bërë për pare sepse nuk është që i ka pasur punët keq në aspektin material”, thotë axha i tij Kadriu. Në këtë zgjedhje rrugësh për tek konfliktet ku prerja kokës është një opsion, te Muhaxherët nuk ka distancim. Të paktën jo haptas.

Prej janarit të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka hapur hetimet ndaj Lavdërim Muhaxherit për organizim të grupeve që shkojnë në konflikte jashtë vendit dhe pjesëmarrje në aktivitete të terrorizimit. Por, familjarët e Muhaxherit që publikoi një video ku shihej tek po e griste pasaportën e Kosovës diku në “tokat e Shamit” nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në vend.

Sipas tyre “në Kosovë nuk mund t’i besosh gjyqësisë”.

Ky pohim mohues bëhej saktësisht në orën kur fotot e Lavdërim Muhaxherit e kishin shty presidenten të mbledh në Prishtinë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Megjithatë që prej një viti që kur sipas tyre Lavdërimi iu bashkua luftës në Siri ata janë të vetëdijshëm se gjërat kanë ndryshuar shumë për ta. Por, thonë se nuk bëhet fjalë krejt për të keq. Madje konsiderojnë se janë familje e respektuar dhe se njerëzit i duan. Ata nuk e mohojnë që djaloshi 25 vjeçar që ka të kryer vetëm shkollën e mesme ka shumë shokë. Disa nga ata sipas tyre janë atje, pas tij. Në shpjegimin e tyre Xhihadi po e tërheq ngadalë armatën nga Kosova, rekrutët më të shumtë të të cilit thuhet se janë po nga kjo anë.

Ata flasin për një rrugë të shkurtër të Lavdërim Muhaxherit prej një të riu të zakonshëm në Kaçanik që ndihmonte të atin në tregtinë me pemë e perime nëpër tregjet e Kosovës deri tek përfshirja në tregun botëror të Xhihadit nën simbolin “Shteti Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS). Përcaktues për këtë zgjedhje të tij thonë se ishte koha sa ai po punonte në një bazë amerikane në Irak. Ata i bien me ngulm idesë se ai nuk ka punuar në bazën ushtarake amerikane (Bondsteel) në Kosovë. Por, thonë se ai ka pasur shumë miq amerikanë në Kosovë, të cilët madje i kanë ndihmuar atij që të shkoj në Irak.

E gjitha sipas familjarëve ka nisur në Irak, aty ku ai sipas tyre punonte për amerikanët, por duke hezituar të tregojnë se çka punonte. Pastaj mbyllin rrëfimin për këtë kapitull kohor. Sipas numërimit të tyre kalendarik Lavdërim Muhaxheri ka vetëm një vit që i është bashkuar kësaj lufte. E kjo luftë e tij duket e pakuptimtë për shumë banorë të Kaçanikut.

Një ditë pas, qyteza lindore e Kosovës shfaq tronditjen nga fotot e Muhaxherit. Njerëzit e quajnë hapur krim monstruoz, pavarësisht rrethanave apo shpjegimeve. Ajo që më nuk e fshehin është se rrjetet që po i rekrutojnë ata kanë rrënjët në radikalizëm.

Një pjesë e atyre që e kanë njohur Lavdërim Muhaxherin, thonë se ende është e vështirë të kuptojnë pse ai dhe të tjerë si ai, zgjodhën këtë rrugë.

“Kjo nuk mund të pranohet është e tmerrshme. Asnjë element i fesë nuk lejon krimet tilla”, thotë një komshi i familjes Muhaxheri në Kaçanik.

Ka edhe ndonjë që beson se lufta e tyre mund të jetë e drejtë.” Mendoj që e kanë me të drejtë”.

Të tjerë besojnë se bëhet fjalë për ideologji vrasëse që kanë bazën në dhunë dhe krim.

“Unë mendoj që njerëzit si Lavdërimi paguhen. Ekziston papunësi e madhe. Mendoj që këta po financohen nga grupe terroristë. Unë për vete po të ishte për Palestinën kisha shkuar të luftoj nesër. Por, për ISIS në Siri e Irak kurrë”, thotë një i ri tjetër që gjithashtu nuk dëshiron t’i përmendet emri.

Në këtë mënyrë, duket se pengesa kryesore për Lavdërimin dhe luftëtarët si ai është që ideologjinë e tyre nuk e ndajnë shumica e të tjerëve në Kaçanik dhe përtej.

Nëse domosdoshmërish janë përcaktuar të ndjekin rregullat e islamit në mënyrën siç i predikon ISIS, e që natyrshëm shpien në dhunë, në Kosovë ata i pret përballja me gjyqin.

Sipas ligjeve të vendit këto grupe duhet t’i përgjigjen drejtësisë. Sidoqoftë “drejtësia hyjnore”, kauza për cilën ata po thonë se po luftojnë, po flet përgjakshëm çdo ditë e më tepër. RTK

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *