Home / Sport / Shkëndija eliminohet nga Evropa (VIDEO)

Shkëndija eliminohet nga Evropa (VIDEO)

Kualifikimi në raundin e dytë dhe përballjet me CSKA-në e Sofies kanë mbetur ‘ëndërr’ e pa realizuar për Shkëndijën, pasi që ‘kuqezinjtë’ u mundën 2:0 në transfertën me Zimbrun.

Një gol në fillim të takimit dhe një tjetër në fund u mjaftuan moldavëve të eliminojnë epërsinë 2:1 të Shkëndijës nga ndeshja e parë në Shkup. Më shumë se eliminimi dhemb mënyra se si luajti ekipi në këtë përballje. Së pari skuadra lejoi të pranojë gol pikërisht atëherë kur s’duhej dhe kur mendohej paraprakisht se do të vijë rreziku. Më pas edhe pse u krijuan disa shanse, gjithsesi kjo nuk mjaftoi për të shënuar, pasi në momente egoizmi dilte mbi kolektivin. Ndërsa kur nuk erdhi barazimi nga disa tentime në pjesën e parë, fraksioni i dytë solli lojë të dobët dhe shumë mundësi për kundërshtarin, që në fund me meritë kualifikohet më tej. Ndeshja filloi shumë keq për Shkëndijën pasi që vendasit arritën të avansojnë në aksionin e tyre të parë. Ishte minuta e 6-të e takimit kur Vermea dërgoi topin në zonë, Grozu ktheu për Amanin. i cili arrin që me goditje precize të shënojë për epërsi 1:0 të Zimbrut. Këtu rezultati në dy ndeshje u barazua në 2:2, mirëpo ky rezultat tani më çonte Zimbrun në raundin e dytë, për shkak të golit të shënuar në transfertë. Shkëndija nisi të kërkojë golin e barazimit dhe në minutën e 14-të Bojan Vruçina u gjet në depërtim në zonë, ndalet me faul nga Bogdan, mirëpo arbitri kryesor tregon loja të vazhdojë. Tre minuta më vonë kapiteni Pollozhani lëshon një goditje të fortë nga distanca, Rusu ruan portën me vështirësi, ndërsa në vazhdim Mitrov nuk gjendet mirë në zonë. Në minutën e 21-të Miliev kishte tentim të pa suksesshëm me kokë, pas harkimit të Vruçinës nga këndi. Loja e hapur e Shkëndijës lente shumë hapsira në mbrojtje dhe në minutën e 32-të vendasit gjejnë me diagonale Grosun, i cili hedh nga loja Muratin dhe Berishën, mirëpo për fat të Shkëndijës goditja e tij ishte jo precize. Katër minuta para fundit të pjesës së parë ‘kuqezinjtë’ gjenden në mundësi për të barazuar, Zhunior depërton në pjesën kundërshtare, mirëpo përfundimi ishte shumë i dobët dhe rezultati mbetet i pandryshuar nga minuta e 6-të. Në fillim të pjesës së dytë Shkëndija nisi më fuqishëm dhe ishin Berisha e Vruçina ata që nuk arritën të shënojnë nga dy mundësi të mira. Dhe kjo ishte thuajse e tëra nga Shkëndija në pjesën e dytë, pasi në vazhdim pasoi dominim i plotë dhe shumë shanse të vendasve. Pavluçek u kanos me kokë, para se Jovanovski të ndal dy tentime të Grosut. Dedov ishte futbollisti rradhës që mundej të shënojë, mirëpo Jovanovski vazhdoi të shfaqet i sigurtë në portë. Pak më vonë ka qenë Murati që ka shpëtuar gol të sigurtë, duke larguar topin pas goditjes së Spataru-s. Shkëndija nuk arrinte të gjejë veten në teren dhe vetëm ndonjë tentim i rastësishëm si ai i Vruçinës në minutën e 67-të nuk mjaftonte për të sjellë barazimin e aq dëshiruar. Në minutën e 70-të, Shkëndija kishte rast të dyfishtë. Së pari Rusu ndal tentimin e Vruçinës nga gjuajtja e lirë, ndërsa në vazhdim Imeri nuk gjen portën. Në minutën e 83-të Shkëndija kishte tentimin e fundit, kur Miliev tentoi portën, pa mundur të shqetësojë Rusu-n. Në anën tjetër vendasit egzekutojnë rivënie nga këndi, përsëri rëmujë në zonë, ndërsa Pascanenco me kokë shënon për 2:0 dhe në një mënyrë fundos shpresat e Shkëndijës për rezultat pozitiv. Kështu Shkëndija eliminohet nga kualifikimet e Liga Evropës, ndërsa Zimbru kalon më tej me rezultat të përgjithshëm 3:2. Shkëndija pëson disfatën e katërt në përballjen e 6-të evropiane, ndërsa për Zimbrun kjo ishte ndeshja e 56-të në Kupat e Evropës.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *