Home / Lajme / Maqedoni / Shteti “monstër”

Shteti “monstër”

13 korrik-Por çfarë përshkruan gazeta lidhur me këto tensione që u nxitën pas dënimit me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në rastin e ashtuquajtur “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në prill të 2012 në periferi të Shkupit.

Gazeta e njohur “Koha Ditore” në Kosovë i ka kushtuar një speciale ngjarjeve të fundit në Maqedoni dhe protestave të shqiptarëve me titullin “shteti monstër”.

Por çfarë përshkruan gazeta lidhur me këto tensione që u nxitën pas dënimit me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në rastin e ashtuquajtur “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në prill të 2012 në periferi të Shkupit.

“Një gjykatë në Shkup dënoi javën e shkuar gjashtë shqiptarë me burgim të përjetshëm, duke formalizuar kështu verdiktin që e kishte kumtuar dy vjet më parë politika.

Akti ka nxjerrë shumë shqiptarët rrugëve gjithandej Maqedonisë, për të protestuar kundër pasigurisë juridike dhe diskriminimit që u bëhet vazhdimisht nga shteti që i trajton si qytetarë të dorës së dytë.

Ndarje të thella etnike vazhdon të përjetojë Maqedonia, edhe pas më shumë se një dekade prej kur është arritur Marrëveshja e Ohrit që shmangu një luftë të përgjakshme ndërmjet një pjese të shqiptarëve që kishin rrokur armët dhe forcave qeveritare.

Paqja qe mbërritur vetëm kur u dhanë garanci për avancim të të drejtave të shqiptarëve, që përbëjnë një të tretën e popullatës së këtij shteti. Shumë nga garancitë mbetën vetëm në letër. E tash revolta që shihet në masë, rrezikon ta vrasë edhe këtë paqe të brishtë.

Pakënaqësitë e shqiptarëve u theksuan tash, kur iu dha epilogu një procesi gjyqësor për vrasjen e pesë maqedonasve që dy vjet më parë ka ndodhur në një breg liqeni në periferi të Shkupit. Pak ditë pas vrasjes, policia ndërmori një aksion të koduar “Monstra” për gjetjen e autorëve.

Pjesë e aksionit ishin gati një mijë policë të shpërndarë në të gjitha lagjet me shqiptarë, që ndodhen në kryeqytetin maqedonas. Qenë arrestuar 20 persona, në mesin e të cilëve gra të moshuara, por shumica nga ta u liruan më pas, duke mbetur të akuzuar vetëm shtatë veta”, shkruan ndër të tjera “Koha Ditore”.

“Opozita e re” për një Maqedoni ndryshe

Zhurma e makinerisë së rëndë ia merr anën gurgullimës së Vardarit. Lumi është shndërruar në kantier ndërtimi. Gjithçka po realizohet sipas planit të detajuar “Shkupi 2014”. Është dashur të hidhet goxha shumë gurë e rërë në shtratin e lumit që t’i forcohej baza kranit që bart material të vrazhdë ndërtimor matanë rrjedhës.

Në tarracat pranë Vardarit ka pak mysafirë, që herë pas here kthejnë kokën kah objektet e reja. Në mesditë kur temperatura është mbi tridhjetë shkallë celsius, disa turistë turq shkrepin aparatin para shtatoreve të vendosura nëpër ura, kënde dhe sheshe. Sipër të gjithave i hiperbolizuar qëndron Aleksandri i Madh me shpatë në dorën e djathtë, teksa shtrëngohet në kalin që mbahet në këmbët e pasme.

Një tjetër turist që flet anglisht dëgjohet teksa i thotë një shoqeje: “Nuk po mund ta shoh”. Heroi antik është lartësuar 24 metra, midis shatërvanit që ruhet nga luftëtarë e luanë, që nga goja nxjerrin ujë. Shikimin e kanë të kthyer kah një ekran i madh, ku jepen emrat e DJ-ve të huaj që do të jenë gjatë verës nëpër diskotekat e Shkupit. Vardari ndan pjesën e re të Shkupit të zhvilluar të banuar kryesisht prej maqedonasve dhe pjesën e vjetër të pazhvilluar, të dominuar prej shqiptarëve.(INA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *