Home / Lajme / Maqedoni / 13 vjet nga Masakra në Luboten

13 vjet nga Masakra në Luboten

12 gusht-Edhe në këtë përvjetor në Luboten nuk ishte i pranishëm asnjë funksionarë i partisë shqiptare në pushtet. Në akademinë përkujtimore mori pjesë vetëm kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së Fazli Veliu.

12 gushti sjell sërish kujtimet e masakrës së Lubotenit, ndër kapitujt më të dhimbshëm të vitit 2001. Aksioni policor ndaj popullatës së pambrojtur civile të Lubotenit, që filloi më 10 gusht të vitit 2001, la të vrarë 10 civilë, 6 të plagosur, ndërsa 106 të tjerë u morrën dhe keqtrajtuan nëpër stacione policore. Mes të vrarëve ishte edhe 5 vjeçari Erxhan Aliu, i cili u shënjestrua nga granatat maqedonase teksa kthehej nga shtëpia e xhaxhait.

“Djali im Erxhan Aliu ka qenë këtu tek axha duke luajtur, duke u kthyer së bashku me fëmijët tjerë. Mu në këtë vend ishte dhe ata kanë gjuajtur nga ajo anë, policia dhe ushtria, kanë gjuajtur dhe e kanë kapur granatat, mu në këtë vend këtu”, tha Isni Aliu, babai i Erxhanit.

Nëna e njërit prej civilëve të vrarë, Rami Jusufit, përkujton ditën e kobshme kur jo vetëm që iu vra i biri, por edhe u dogj dhe plaçkit e gjithë pasuria familjare para syve të saj.

“Kishte rënë granata në derë, djali doli të shihte granatën, më pas ata gjuajtën dhe e lanë të plagosur mu në derë. Më pastaj erdhën tek dera dhe pushkatuan aparatet shtëpiake, si boca gazi etj. Gjithçka shkatërruan, madje edhe kafshët. As ndihmë nuk na është ofruar, sa vite tashmë kanë kaluar, nuk kemi ndihmë prej askujt”, deklaroi Zejnepe Jusufi, nëna e Ramiut.

Djali i Ramiut nga ana tjetër, edhe pse ishte vetëm 1 vjeç kur vdekja gjeti babain e tij, thotë se edhe përkundër dhembjes, familjarët janë krenarë me të rënët.

“Në atë kohë kur policia vranë babanë tim, unë kam qenë 1 vjeç. Kam 4 motra dhe ne si familjarë të dëshmorit Rami Jusufi, jemi krenarë që me gjakun e dëshmorëve është shpallur liria në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Emrah Jusufi, djali i Ramiut.

Familjarët thonë se ka munguar interesi i autoriteteve rreth gjendjes ekonomike të familjeve të dëshmorëve.

“Me qira jemi në Shkup. Jemi larguar pasi që fëmijët frikohen të flenë këtu. Kur vdiq një plakë, pastaj fëmijët frikohesh të flenë këtu. Ja me qira jemi në Shkup dhe askush nuk vjen as të na shikojë se si jetojmë”, tha Zejnepe Jusufi, nëna e Ramiut.

“Askush deri më sot nuk është interesuar, përpos gazetarëve. Faleminderit nga ju. Askujt tjetër nuk i intereson çfarë ka ndodhur dhe çfarë është bërë”, deklaroi Isni Aliu, babai i Erxhanit.

Banorët e fshatit Luboten organizuan sot akademi përkujtimore për bashkëfshatarët e rënë.

“Këshilli organizativ i fshatit Luboten si çdoherë, edhe këtë herë pas 13 viteve e përkujton këtë ngjarje tronditëse për fshatit tonë. Më 10 gusht dhe 12 gusht janë dy ngjarje të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë”, u shpreh Organizatori.

Edhe në këtë përvjetor në Luboten nuk ishte i pranishëm asnjë funksionarë i partisë shqiptare në pushtet. Në akademinë përkujtimore mori pjesë vetëm kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së Fazli Veliu./Alsat/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *