Home / Lajme / Maqedoni / Epidemia e verdhëzës nuk do të prolongojë fillimin e vitit shkollor (VIDEO)

Epidemia e verdhëzës nuk do të prolongojë fillimin e vitit shkollor (VIDEO)

25 Gusht – Nuk ka shtyrje të vitit të ri shkollor për shkak të epidemisë së verdhëzës. Kështu njoftoi ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi, sipas të cilit situata nuk është aq alarmante.

Ai shtoi megjithatë, se iu ka dhënë rekomandime e direktiva shkollave, të forcojnë masat e mirëmbajtjes së higjienës.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetit Publik. Në seancën e fundit kishte rekomandime për të gjitha shkollat në Maqedoni që të ndërmarrin masat e nevojshme sa i takon higjienës. Tani për tani nuk ka vendim për shtyrje të fillimit të vitit shkollor, dhe në bazë të gjitha gjasave nuk do të ketë”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Ndërkohë, në javën e dytë të shtatorit do të mësohen edhe emrat e mësimdhënësve të cilët do të dënohen, si dhe ata që do të shpërblehen, bazuar në rezultatet e testimit të fundit ekstern. Për testimin e vitit të kaluar, mësuesit që kanë gabuar gjatë vlerësimit të nxënësve, nuk do të ndëshkohen, por vetëm do të këshillohen dhe trajnohen në seminare. Sipas këtyre të dhënave, do të duhej të dënoheshin mbi 3600 mësimdhënës ndërsa mbi 7000 të tjerë të shpërbleheshin. Sipas ligjit, nëse një mësimdhënës do të gjendet tre herë radhazi në fund të listës apo në listën e të dënuarve, atëherë ai do të përjashtohet nga puna.

“Për listën e shpallur më 21 gusht nuk ka dënime ndërsa për listën që do të shpallet në javën e dytë të muajit shtator do të ketë dënime dhe shpërblime për arsimtarët në bazë të rangimit të tyre në listën për vlerësimin ekstern”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Përsa i përket maturës shtetërore, në afatin e gushtit, nga gjithsej 4275 nxënës, provimin nuk kanë arritur ta kalojnë 35 % të tyre. Kandidatët e pakënaqur mund të parashtrojnë ankesë, ndërsa nëse duan të kontrollojnë testin, duhet të paraqiten në Qendrën Shtetërore për Provime. Afati për ankesa skadon sot. /Tv Koha/

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *