Home / Lajme / Rajon / Këshilli i Sigurimit nesër shqyrton situatën në Kosovë

Këshilli i Sigurimit nesër shqyrton situatën në Kosovë

29 gusht-Sipas paralajmërimeve në mediat e Beogradit, zyrtarët e këtij vendi, si edhe herëve të tjera, do të akuzojnë Kosovën për “problemet me të cilat përballen serbët” këtu.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër do të shqyrtojë situatën në Kosovë në bazë të raportit të rregullt të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun.
Bëhet e ditur se sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-Mun do t’u kërkojë Prishtinës e Beogradit që të vazhdojnë dialogun sa më parë për çështjet e pazgjidhura, pas një ndërprerjeje për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Kosovë.
Delegacionin e Kosovës në këtë mbledhje, siç është paralajmëruar, do ta udhëheq ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai pritet të kërkojë mbështetje nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit që t’i bëhet presion Serbisë për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, të eliminojë strukturat paralele të saj nga Kosova, të respektojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të japë kontributin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Nga Beogradi bëhet e ditur se delegacionin e Serbisë do ta kryesojë Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i këtij vendi. Ai do të shoqërohet edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sipas paralajmërimeve në mediat e Beogradit, zyrtarët e këtij vendi, si edhe herëve të tjera, do të akuzojnë Kosovën për “problemet me të cilat përballen serbët” këtu. Po ashtu theksohet se ministri serb Daçiq do të kërkojë mbështetjen e KS të OKB për formimin sa më parë të Asociacionit të komunave serbe, siç thuhet “në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.
Palët pritet të përshëndesin vendimin e Kosovës për formimin e gjykatës speciale për krimet e luftës në Kosovë.
Në raportin paraprak sekretari Ban kishte vlerësuar se kanë mbetur disa sfida në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këshillin e Sigurimit gjatë këtij muaji e kryeson Britania e Madhe.

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *