Home / Lajme / Maqedoni / Punimet e drurit, vetëm për dekorim

Punimet e drurit, vetëm për dekorim

25 gusht- Janë të rrallë ata që i ruajnë këta zanate të vjetra në rrugën e Çarshisë në qytetin e Tetovës, kurse edhe interesimi i autoriteteve shtetërore dhe atyre lokale ndaj tyre është shumë i vogël dhe të njëjtit janë lënë në harresë dhe koha moderne t’i shkelë pamëshirshëm.

Urim HASIPI
Modernizimi i jetës në hapësirat e Pollogut, trevë e njohur për zanatet e vjetra, ka bërë që shumë profesione të cilët në të kaluarën ishin të njohura tashmë të shuhen ndërsa disa zanate mezi mbijetojnë. Koha moderne gjithnjë popullatën e ka larguar nga përdorimi i shumë gjërave të cilët para dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve ishin në modë. Nadi Islami, një zdrukthëtarë në Tetovë rikujton kohën e kaluar atëherë kur profesioni i tij ishte në modë. Atij më shumë i kanë ngelur kujtimet nga e kaluara kur zdrukthatria lulëzonte dhe kishte shumë “hajr” nga kjo punë. “Këtë profesion e kam trashëguar nga babai, i cili poashtu është marrë me këtë punë. Atëherë kishte interesim për gjithçka, për nallanet, për tryezat, për bishtat e veglave të punëve bujqësore e kështu me radhë. Kishte më shumë interesim nga ana e popullatës. Jo vetëm ky zanat por edhe të tjerët kishin më shumë punë, sepse kishte edhe shumë njerëz nga vise tjera që vinin dhe bënin tregti këtu”, rrëfen kohën e “artë”, Nadi Islami. Por, sot kanë ndryshuar kohërat sepse sipas Nadi-ut shumë pak njerëz ndjekin traditën dhe shfrytëzojnë punimet e drurit. Ai tregon se tash interesimi është vetëm sa për sy e faqe dhe më shumë blihen sendet për dekorim se sa për nevojë. “Tash vetëm në ëndërr nallanet me i pa, nuk i blen askush tash përdorin ato prej plastike e me materiale tjera. Tryezat nuk shiten sepse ushqimi tash shtrohet në tavolina moderne. Ka interesim ende për djepat të cilët përdoren në popullatë. Bishtat për sëpata, lopata dhe vegla tjera bujqësore ende përdoren në ndonjë vend. Shesin ndonjë daulle dhe tupan, kurse më shumë ka interesim për çifteli. Ato ende përdoren dhe njerëzit dëshirojnë të ruajnë traditën e folklorit. Gjithnjë këta vegla shiten për dekorime në formë të lodrave për fëmijë se sa për përdorim dhe për nevojë”, tregon Nadi Islami zdrukthëtarë nga Tetova. Poashtu koha moderne ka ndryshuar rrënjësisht edhe mënyrën e ruajtjes së teshave. Në të kaluarën në popullatë në modë ishte kutia prej druri e njohur si “Çekmexhe” apo sirtarë kur ruheshin teshat e nusërisë. “Askush nuk kërkon tash Çekmexhe. Në të kaluarën ata u përdoreshin shumë nga qytetarët e të gjithë trevave. Sot, rrallë kush, pothuajse askush nuk e blen sepse më shumë përdoren sirtarë modern. Rrallë herë ndonjë banor i Malësisë së Dërvenit vjen dhe e blen atë, por edhe atje pak përdoren”, rrëfen Islami. Në Tetovë tashmë këta zanatet e vjetra gjithnjë janë duke u zhdukur, edhe për shkak interesimit të vogël por edhe për shkak të modernizimit të jetës. Janë të rrallë ata që i ruajnë këta zanate të vjetra në rrugën e Çarshisë në qytetin e Tetovës, kurse edhe interesimi i autoriteteve shtetërore dhe atyre lokale ndaj tyre është shumë i vogël dhe të njëjtit janë lënë në harresë dhe koha moderne t’i shkelë pamëshirshëm.

Gjithashtu lexo

Kuvendi duhet të votojë për shkarkim të Zvërlevskit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të mbajë vazhdime të tre seancave midis të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *